Hapet zyra për kontrollin e figurës së zyrtarëve publikë. Këshilli i Ministrave vendosi të mërkurën në mbledhjen e qeverisë akordimin e një fondi prej 5 milionë lekëve për Prokurorinë e Përgjithshme për krijimin e regjistrit me të dhënat e zyrtarëve. Shuma e lekëve do të përballohet nga fondi rezervë i qeverisë.
Vendimi i qeverisë për akordimin e kësaj shume është bërë në kuadër të zbatimit të ligjit të dekriminalizimit. Një muaj më parë Kryeprokurori Adriatik Llalla firmosi urdhërin për krijimin e strukturës së posaçme për verifikimin e integritetit të të dhënave të zyrtarëve publikë. E thënë ndryshe kjo zyrë do të bëj kontrollin e zyrtarëve publikë.
Për këtë do të ngrihet një zyrë pranë Prokurorisë së Përgjitshme dhe një regjistër elektronik për menaxhimin e të dhënave për funksionarët publikë. Zyra do të përbëhet nga dy prokurorë, tre oficerë gjyqësorë dhe një specialist i teknologjisë së informacionit.