LSI, Vasili: Pro Presidentit nga populli e Kuvendi me 100 deputetë, jo referendumit në 'Drejtësi'. Majko për zgjedhjet? S’ka propozim në tavolinë

27 Qershor 2016, 13:38Politika TEMA

Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili është shprehur pro, në parim, të zgjedhjes së Presidentit nga populli dhe një Parlamenti me 100 deputetë, por kundër referendumit për reformën në Drejtësi.

Ndërsa në lidhje me zhvillimin e zgjedhjeve të parakohëshme në një ditë me referendumin për reformën në drejtësi sipas propozimit të ish-kryeministrit Pandeli Majko, ai shprehet se deri më tani nuk kam propozim në tavolinë, ndaj s’mund të mbajë qëndrim.

Duke u bazuar në propozimet e bëra publike nga deputetja socialiste Mimoza Hafizi, sipas tij, duhet pasur kujdes, pasi nëse populli do të vendoste për zgjedhjen prej tij të Presidentit atëherë duhet të rishikohen edhe kompetencat e tij. Sipas Vasilit, kompetencat aktuale të Presidentit janë të cunguara.

“Në parim jam dakort për zgjedhje nga populli, por jo në këtë moment. Të zgjidhet njëherë çështja e kompetencave dhe më pas duhet të vendoset nëse do të zgjidhet nga populli me kaq pak kompetenca që ka aktualisht”, tha ai.

Duke u ndalur tek propozimi i dytë për referendum për Reformën në Drejtësi, Vasili tha se, me përfshirjen e 56 deputetëve, pra me një shumicë të thjeshtë, mund të ndodhë siç ndodhi në Britaninë e Madhe dhe mund të sillen në vend situata të paqëndrueshme.

“Propozimi kërkon një ulje të dukshme të mundësisë të deputetëve që e mbështesin. Edhe këtu çështja është delikate sepse ngjarjet më të rëndësishme na bëjnë të jemi të kujdesshëm përpara se të formulojmë opsione. Nuk duhet që të krijojmë paqëndrueshmëri të reja. Mekanizmat e nxituara mund të krijojnë paqëndrueshmëri të mëdha, situata të panjohura”, tha Vasili.

Vasili shtoi se nuk paragjykohen këto dy propozime, por Venecia duhet të shprehet për këto dy propozime të bëra publike sot.

Përsa i përket deklaratës së deputetit të PS, Pandeli Majko për referendum dhe zgjedhje në një ditë për të vendosur, kreu i grupit të LSI deklaroi se “Nuk jam njohur sepse nuk kemi pasur propozim në tavolinë dhe nuk kam arsye dhe mundësi të komentoj pa u njohur në mënyrë të drejtpërdrejtë”.

1 komente në “LSI, Vasili: Pro Presidentit nga populli e Kuvendi me 100 deputetë, jo referendumit në ‘Drejtësi’. Majko për zgjedhjet? S’ka propozim në tavolinë”

  1. Albanistan says:

    Nuk pritet gje nga LSI eshte me llum se PD,vetem Amerika e shpeton kete popull. Shprese te ty ambasadori Lu!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje