Deklarata kundër "Vetingut" nga të huajt, LSI mbledh grupin parlamentar. Deputeti Përparim Spahiu rrezikon përjashtimin

27 Qershor 2016, 10:31Politika TEMA

Lëvizja Socialiste për Integrim mbledh pas pak grupin parlamentar për të diskutuar dhe vendosur për qëndrimin që do të mbahet ndaj deputetit të saj i zgjedhur me votat e qytetarëve në Bulqizë Përparim Spahiu.

Mësohet se një ndër variantet e mundshme është dhe përjashtimi nga grupi parlamentar i LSI dhe nga vetë LSI, për shkak se është kundër draftit të reformës për drejtësi, për të cilën kreu i kësaj partie Ilir Meta ka dhënë garanci të plotë se 20 votat e LSI janë pro.

Mbledhja u paralajmërua një ditë më parë nga LSI e cila u distancua nga mendimi i dhënë nga Spahiu ku tha se ky ishte një vendim personal i tij dhe që nuk ka lidhje fare me Lëvizjen Socialiste për Integrim.Po ashtu, burime brenda LSI-së thanë se deputeti edhe mund të përjashtohet nga radhët e saj.

Mbledhja pritet të nisë sapo të përfundojë mbledhja e Komisionit të Ekonomisë, aty ku është anëtar edhe vetë deputeti Përparim Spahiu.

Qëndrimi i deputetit të Lëvizjes socialiste për Integrim Përparim Spahiu se është kundër monitorimit të vettingut nga ndërkombëtarët, ka shkaktuar reagime në radhët e kësaj partie.

Situata duket se është tensionuar pas dy statuseve të njëpasnjëshme në Tëittër të Spahiut, i cili shpreh qëndrimin kundër monitorimit të procesit të vettingut nga ndërkombëtarët.

“E kuptoj dhe jam dakord që sovranitetin e vendit tonë të përbashkët duhet ta ndajmë me NATO, me KE, shpresoj dhe me BE. Por nuk jam gati të votoj ndarjen e sovranitetit me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit. Çfarë përfaqësojnë këta?!”, shkruan në Tëitter deputeti i LSI, Përparim Spahiu.

Por pak ditë më parë, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka deklaruar se, 20 votat e LSI do të jenë pro Reformës në Drejtësi.

Për miratimin e Reformës në Drejtësi duhen 94 vota në Parlament. Referuar ekuilibrave aktuale, shumicës në pushtet, i duhen votat e 5-6 deputetëve të opozitës për miratimin e projektit kushtetues, gjithnjë nëse nuk do të ketë një dakordësi mes palëve për modalitetet e zgjedhjes së anëtarëve jo gjyqtarë në institucionet kryesore të drejtësisë së re.

Në rrethet politike dhe mediatike flitet për gati 10 deputetë të PD, të cilët mund të braktisin frontin e Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, duke votuar Reformën në Drejtësi, pa pikën 88.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje