Presidenti nga populli dhe “drejtësia” me Referendum, nisma e Blushit mbështetje edhe nga PD

27 Qershor 2016, 11:18Politika TEMA

Dy deputetët socialistë Mimoza Hafizi dhe Blen Blushi kanë shpallur sot nismën e tyre për disa ndryshime kushtetuese, ku pritet që të mbështeten edhe nga disa deputetë të Partisë Demokratike, të PBDNJ, PDK dhe PDIU.

Sipas kësaj nisme ata synojnë që Presidenti të zgjidhet nga populli dhe Reforma në Drejtësi të bëhet me referendum, një kërkesë kjo e fundit e bërë dhe nga ish-kryeministri socialist Pandeli Majko, i cili kerkon që referendumi për reformën në drejtësi të bëhet në një ditë me zgjedhjet e parakohshme.

NISMA PER NDRYSHIME KUSHTETUESE

Kam kënaqësinë që në emrin e një grupi deputetësh, të shpall nismën për dy ndryshime të rëndësishme në Kushtetutën e vendit, përmes projektligjit bashkëlidhur.

Me amendamentin e parë kushtetues, ne kërkojmë që Presidentin e Republikës t’ia japim popullit.

Ka të paktën dhjetë vjet diskutimesh, idesh dhe përpjekjesh në politikën shqiptare dhe në opinionin publik për zgjedhjen e Presidentit të Republikës nga populli. Një President i zgjedhur nga populli, dhe jo nga Kuvendi, do të jetë figurë e pavarur nga politika e ditës dhe përfaqësues i unitetit të popullit në ushtrimin e detyrave të tij të rëndësishme kushtetuese. Ne nuk kërkojmë ndryshimin e kompetencave të Presidentit, kërkojmë vetëm ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së tj. Në shumë vende të botës, që nga SHBA e Franca, por edhe Mali i Zi, Turqia, Sllovenia, Serbia, Rumania, Kroacia, Bullgaria, Polonia, Moldavia, Maqedonia, etj., Presidenti i Republikës zgjidhet nga populli.

Me amendamentin e dytë kushtetues, ne kërkojmë që popullit t’i bëhet e mundur të ndryshojë Kushtetutën e vendit. Me Kushtetutën aktuale, këtë të drejtë populli e merr vetëm nëse bëhen bashkë 94 deputetë, ose 2/3 e parlamentit. Por 94 deputetë është e vështirë të bien dakord. Edhe kur bien dakord, preferojnë ta ndryshojnë kushtetutën vetë, pa pyetur popullin, siç ka ndodhur në vitin 2008. Ne kërkojmë që ky numër të ulet në 2/5, pra në 56 deputetë.

Sot diskutohet fort për reformën në drejtësi, por populli shiptar e ka të pamundur të marrë pjesë në këtë proces. Me ndryshimin që ne propozojmë, popullit shqiptar i lind e drejta që të vendosë vetë për reformën në drejtësi dhe për reforma të tjera të rëndësishme.

Amendamentet i përgatitëm me Arta Daden dhe Ben Blushin, në diskutim me një grup deputetësh të spektrit të gjerë të parlamentit, të cilët po i rendis në vijim. Vazhdojmë kontaktet me shumë deputetë të tjerë dhe me grupet parlamentare, për të siguruar mbështetjen e nevojshme që këto ndryshime në Kushtetutë të miratohen.

Besojmë se këto ndryshime kushtetuese janë të domosdoshme për jetën demokratike të vendit. Prandaj do i kërkojmë opinionit publik dhe të gjithë qytetarëve të ushtrojnë presion mbi deputetët e tyre për ta mbështetur këtë nismë.

 

Deputetët e parë propozues (sipas rendit alfabetik):

Agron Duka

Arta Dade

Ben Blushi

Dashamir Shehi

Eduard Selami

Luljeta Arapi

Mimoza Hafizi

Nard Ndoka

Tahir Muhedini

Vangjel Dule

1 komente në “Presidenti nga populli dhe “drejtësia” me Referendum, nisma e Blushit mbështetje edhe nga PD”

  1. oldman says:

    Shtoni ne kerkese:
    1. Numri i deputeteve te jete jo me shume se 100.
    (edhe 100 jane shume krahasuar me mesataren europiane per popullsi, siperfaqe dhe GDP)
    2. Zgjedhje cdo 2 vjet (per Shqiperine eshte e domosdoshme)
    3. Cdo mandat drejtues: partiak, qeverises, etj., jo me shume se 4 vjet.
    ………………..deri sa te zhduket fara e keqe……………..(20 vjet)
    4. FBI-ja shqiptare te drejtohet nga euro-amerikanet (e fundit por me e rendesishmja)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje