Bushati siguron Nuland për vendosmërinë e qeverisë për reformën në drejtësi

10 Korrik 2016, 16:36Politika TEMA

Ministri i jashtem Ditmir Bushati opriti sot zv/ndihmës sekretaren amerikane të Shtetit, Victoria Nuland. Zedhenesi i Ministrise se jashtme thote se takimi u dominua nga bisedimet rreth rëndësise se miratimit të reformës në drejtësi, bashkëveprimi për sfidat e sigurisë globale dhe perspektiva e rajonit të Ballkanit Perëndimor ishin ndër çështjet e trajtuara në takim.

Ministri Bushati e njohu Nuland me zhvillimet më të fundit në vend, vendosmërinë e qeverisë shqiptare për miratimin e reformës në drejtësi, si një reformë e një rëndësie parësore në forcimin e shtetit ligjor në vend, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar në përforcimin e sundimit të ligjit në ekonomi dhe me impakt të drejtpërdrejtë në avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.

Ai falënderoi Ndihmës Sekretaren Nuland për mbështetjen e çmuar të Shteteve të Bashkuara për proceset demokratizuese, konsolidimin e shtetit ligjor dhe kryerjen e reformave duke theksuar se mbështetja dhe asistenca e ekspertëve amerikanë është e një rëndësie themelore për suksesin e reformës në drejtësi. Ne këtë kontekst Ministri Bushati u shpreh se: “Këshillat e SHBA-së kanë qenë të çmuara dhe bashkëpunimi i ngushtë i tyre me BE-në, si dhe mbështetja e pakursyer për reformën tregon rëndësinë dhe koherencën e aksionit tonë të përbashkët. Për ne nuk ka as kthim prapa, as hollim të reformës. Ajo duhet të jetë rrënjësore sepse kështu e kërkon mbi 90% e shoqërisë sonë, e kërkon nevoja jonë për zhvillim”.

Duke u ndalur në bashkëpunimin në kuadër të partneritetit strategjik, Ministri Bushati siguroi mbi angazhimin e Shqipërisë për të vijuar si partner i vendosur përkrah SHBA-së për stabilitetin, paqen e prosperitetin në rajonin tonë e më gjerë, si dhe në drejtim të përballimit të sfidave të sigurisë globale.

Ndihmës Sekretarja Nuland shprehu mbështetjen e SHBA-së në proceset demokratizuese, integrimin e mëtejshëm euroatlantik si dhe në prosperitetin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në rajon.

Ajo theksoi se reforma në drejtësi mbetet një prioritet i lartë në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe për përparimin e Shqipërisë drejt BE-së.

Në vazhdën e vendimeve të marra gjatë Samitit të NATO-s në Varshavë, Nuland vlerësoi rritjen e kontributeve të Shqipërisë në kuadër të misioneve të aleancës dhe luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje