Ndërsa Erdogan gdhend identitetin e ri turk, cili është çmimi që turqit duhet të paguajnë?

12 Korrik 2016, 21:32Kulturë TEMA
Ndërsa Erdogan gdhend identitetin e ri turk, cili është

Nga Sabrina Tavernise

STAMBOLL – Umit Engin, pronari i një librarie të vogël në një nga rrugicat e distriktit Beyoglu, e kalon pasditen e heshtur, duke lexuar brenda dyqanit të tij.

Puna ka rënë së tepërmi krahasuar me një vit më parë, qyshkur sulmet me bomba nisën dhe fluksi i turistëve u rrallua, dhe Z. Engin, 42-vjeç, i cili është tejet i shqetësuar për të ardhmen e Turqisë, i kalon ditët duke vështruar rrugën, në pritje të klientëve.

“Ndihemi të humbur,” thotë ai. “Nuk kemi më energji. As nuk e dimë se ç’do të ndodhë më tej. Jemi në pritje të diçkaje, por nuk e dime se çfarë është.”

Ai hesht një çast, për të shtuar, i vrenjtur: “Është si ‘Të presësh Godonë,’ ndërsa i referohet dramës ekzistencialiste të Samuel Beckett. “Në pritje të Turqisë.”

Turqia është duke jetuar ditë të trazuara. Shpërthimet e bombave, janë tashmë ngjarje të zakonshme në qytetet kryesore. Shoqëria është kaq e polarizuar, saqë njerëzit kanë nisur të flasin zymtësisht për një konflikt civil të armatosur. Një luftë e vjetër me separatistët Kurdë është rihapur, duke çuar në flakë kufirin juglindor. E gjitha, pikërisht kur vende si Siria dhe Iraku në jug të Turqisë, lëngojnë nga dhuna dhe pikëpyetjet ekzistenciale.

Por, ndryshimet më të thella kanë ndodhur në formën e vetë shoqërisë. Dhe, për këtë, vendi duhet të falenderojë presidentin e vet bombastik, Rexhep Taip Erdogan.

Z. Erdogan është duke shkatërruar sistemin e ashpër shekullarist, të imponuar nga Mustafa Kemal Ataturk në vitet ’20, ndërsa fuqizon shtresën Islamike prej kohësh të shtypur, për ta bërë shoqërinë Turke shumë më të barabartë, duke ndjekur politika për zhvillimin e zonave më të varfra. Por, në rrugë e sipër, Erdogan është bërë gjithmonë e më autokrat; rrethi i tij i brendshëm, përherë e më i pasur; ndërsa shumë Turq, përfshirë edhe mbështetësit e tij, janë të shqetësuar për ngrehinën që ai po ndërton mbi rrënojat e sistemit të vjetër.

“Është si tek ‘Zoti i Unazave’: Ne e kemi tashmë unazën, por jemi kthyer në skllevër të saj,” thotë një aktiviste e re Islamike – duke iu referuar parave dhe pushtetit – të cilës iu desh të mbyllte llogarinë e saj në “Twitter,” pas sulmeve nga blogerë pro-qeveritarë, kur ajo kritikoi dhunën e ushtruar ndaj protestuesve në 2013. “Nuk ka të bëjë me Kemalistët, e as me protestuesit shekullaristë – është testi ynë. Dhe, në pjesën më të madhe, nuk po e kalojmë…”

…Gjatë protestave, “ne humbëm gjithçka, e nuk fituam gjë,” thotë librashitësi Engin. “Në fakt, humbëm shumë gjëra prej tyre. Humbëm miqtë tanë. Tani është e pamundur të organizosh protesta të atilla. Njerëzit mendojnë se përfundimi do të jetë i njëjtë.”

Teksa Turqia lundron në ujëra të panjohura, një pjesë e Turqve pyesin veten se ku po shkon vendi i tyre – dhe mbi të gjitha, si do të duket kur të prekë bregun…

…”Kush jemi ne dhe përse jemi bashkë, këtu?” thotë Cengiz Candar, intelektual Turk, ndërsa shpiegon gjendjen e vështirë të vendit. “Ne, dikur ishim një republikë laike. Tanimë, as nuk e dimë çfarë jemi. Ç’projekte na mbajnë bashkë? Cila kontratë shoqërore?”

Z. Erdogan ofron historinë. Ai flet me zell bër lavdinë e të shkuarës Osmane të vendit, duke zbehur tetë dekadat e ndërmjetme shekullariste, të njohura se Kemalizëm. Ai mban fjalime të zjarrta, ku flet për ato çfarë synon të arrijë gjer në 2023, njëqind-vjetori i Turqisë, dhe ndonjëherë duket sikur kërkon të zëvendësojë edhe vetë Ataturkun…

…Deri më tani, shoqëria Turke duket se nuk ka ndryshuar shumë. Gratë nuk janë të detyruara të mbajnë shami, por ndonëse një urdhër i tillë duket krejt i pagjasë, disa liberalë si Z. Engin shqetësohen se mund të ndodhë, veçanërisht nën dritën e deklaratës së re të Erdoganit, ku iu kërkoi grave Turke të lindin sa më shumë fëmijë. Turqit fetarë e pëlqejnë vizionin e tij, ndoshta më tepër për qëndrimin kundërshtues ndaj Perëndimit, se sa për referncat e tij ndaj të shkuarës Otomane…

…Rrënjët e klasës punëtore të Z. Erdogan ofrojnë gjithashtu një simpati të përgjithshme. “Ai vjen nga fundi, si ne,” thotë Emre Bozkurt, 22-vjeç. “Ai mund të ulet e të pijë çaj me të varfrit. Pikërisht këto bëjnë që ne ta duam. Kur njerëzit e shohin, gjejnë tek ai veten e tyre.”
Z. Erdogan dhe partia e tij kanë fituar bindshëm 40-50% të votave gjatë sundimit të tij 15-vjeçar. Një pjesë e kësaj përkrahjeje vjen nga votues pragmatistë, të cilëve iu interesojnë më tepër xhepat e tyre, sesa politika.

“Ata i frikësohen një krize ekonomike më shumë se gjithçkaje,” thotë Hakan Altinay, drejtor i “Shkollës Europiane të Politikës” në Universitetin e Stambollit, ndërsa i referohet qeverisë. “Kjo është ujdia: Ti nuk ngatërrohesh me mënyrën se si unë të qeveris ty, dhe unë të sjell të mirat. Por, nëse nuk i sjell, ti mund të më dërgosh një faturë për vonesën, bashkë me interesat.”
Shenja pakënaqësie pati edhe gjatë një iftari të shtruar muajin e kaluar në Basaksehir, periferi larg qendrës së vjetër të Stambollit, e cila është prej kohësh bastion i Z. Erdogan dhe partisë së tij “Drejtësi dhe Zhvillim.”

Emine Akarsu, arkitekte 48-vjeçare, lavdëroi partinë për punën e kryer për shndërrimin e distriktit, nga një vendgrumbullim plehrash, në grumbuj ndërtesash të larta, parqesh me shatërvanë dhe liqene artificialë, si edhe një stacion metroje. Megjithatë, teksa partia pasurohet gjithmonë e më shumë dhe akuza për korrupsion janë ngritur, Znj. Akarsu thotë se nuk voton më për ta.

“Ata kanë ndryshuar, e po ashtu edhe qëndrimi im për ta,” thotë ajo, teksa bën gati termusin e çajit. “Nuk besoj më se ata po na thonë të vërtetën…”

…Por, në ç’drejtim po shkon Turqia? Intelektualët e vendit, duket se nuk po qëndrojnë aty për ta zbuluar. Z. Candar, i cili më parë është akuzuar për ofendim të presidentit në artikujt e shkruar për artikujt e konlfiktit me Kurdët, tashmë është duke vizituar Stokholmin. Madje, edhe disa pjesëtarë të shtresës së mesme e të lartë, janë duke vëshguar prona jashtë vendit. Portugalia, duket se është një nga zgjedhjet më popullore.

Ata të cilët nuk mund të largohen, vazhdojnë të presin. Z. Engin i krahasoi këto ditë me një stuhi që po godet popullin Turk. Ai tha se do të ketë dëme, por se sa, kjo mbetet për t’u parë.

“Duhet të presim të përfundojë, që ajri të kthjellohet,” thotë ai. Ai shton se nuk e di nëse kjo do të marrë një muaj, apo një dekadë, por ai beson se ndryshimi do të vijë sepse “gjërat nuk mund të vazhdojnë kështu.” / Përg.: Bjorn Runa

Marrë me shkurtime nga “The New York Times”

1 komente në “Ndërsa Erdogan gdhend identitetin e ri turk, cili është çmimi që turqit duhet të paguajnë?”

  1. vang says:

    Intelektualet turq shqetesohen per te ardhmen e Turqise,per shndrrimin e saje nga nje shtet demokratik shekular, laik ne nje shtet mbi germadhat e perandorise Osmane,Vendet arabe ju luten Ataturkut te shpallej Sulltan,te forconin Kalifatin,por Ataturk nuk pranoi dhe hodhi themelet e shtetit te ri demokratik.ERDOGAN e kthen shoqerine turke ne nje qorr sokak dhe ne shqiptaret perpiqemi ta imitojme duke stimiluar thellimin dhe zgjerimin e besimit mysliman.Pale te behet fjale per nje besim te importuar, te imponuar nga pushtues 5 shekullor .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje