Kampioni i botës, Thomas Müller, është akuzuar si një nga fajtorët kryesorë të dështimit të Gjermanisë në Kampionatin Evropian 2016 dhe sidomos ndaj Francës në gjysmëfinale. Mesfushori ofensiv i Bayernit jo vetëm që nuk e gjeti rrugën e rrjetës në gjithë turneun, por në shumicën e ndeshjeve pati shumë pak raste para porte. Në sfidën me “gjelat” ai u provua si sulmues i parë, por kjo nuk funksionoi dhe Müller këtë fakt e pranoi vetë duke përmendur një shprehje shumë të qartë. “Po sillesha rrotull më tepër seç duhet”, – u shpreh ai së fundmi në një turne golfi për bamirësi.
“Më duhet ta pranoj se jam zhvilluar si sulmues, por nganjëherë kaloja 20 minuta pa pasur asnjë kontakt me topin. Kisha ndjesinë sikur isha i panevojshëm dhe kështu përpiqesha të ndihmoja të tjerët në ndonjë pozicion tjetër, por më pas ndodhte që askush nuk ishte në qendër. Kjo nuk sjell gjë”, – deklaroi Müller duke bërë autokritikë.
“Gjithsesi, kam dhënë gjithçka për skuadrën dhe nuk kam asnjë peng“, – shtoi kampioni i Gjermanisë, i cili nuk do t’ia dijë për kritikët e stilit të lojës së kombëtares gjermane. “A duhej ne të ktheheshim mbrapa dhe të linim Francën të sulmonte? Kjo nuk është ajo që ne duam. Mbase ashtu mund të jesh i suksesshëm, por probabiliteti është më i madh kur je dominues në lojë”, – përfundoi 27-vjeçari.