Ditën e djeshme bosi famëkeq Bernardo Provenzano ndërroi jetë në burg, pasi ishte dënuar me tre burgime të përjetshme.
Ai ishte ndër emrat më të frikshëm të mafias italiane “Cosa Nostra” dhe falë makabriteteve që kishte bërë, kishte marrë titullin “Capo dei Capi”.
Provenzano ishte djali i tretë i Angelo Provenzano, një fermer, lindur në 31 janar 1933.
Që në rininë e tij Provenzano fitoi famën e një killeri të pamëshirshëm dhe qitës i mirë me pistoletë.
Ai iu bashkua fillimisht mafiozit Luciano Liggio në mafien lokale.
Në fillim të viteve ’60, Provenzano u bë protagonist në luftën mes mafies palermitane dhe klanit Navarra.
Ishte koha kur nga përplasja mes këtyre bandave kishte të paktën një vrasje në ditë.
Jeta e tij në arrati nis në 18 shtatorin e 1963 kur karabinierët e Korleones nxjerrin një urdhër-arrest për të.
Ai kërkohet për vrajsen e një prej krerëve të klanit Navarra.
“Një burrë kurajoz, i shkathët dhe hakmarrës që lëviz me dy pistoleta në brez”, kështu e përshkruante policia lokale në atë kohë Provenzanon.
Në vitin 1993 ai mori famën dhe emrin “Capo dei Capi-Shefi i shefave” pas arrestimit të të famshmit Tot Riina.
Ai ndryshoi përgjithmonë mënyrën e veprimit të mafias corleoneze.
Receta e tij? “Ndërmjetësimi”! ?Ai fuste gjithë kohën spiunë në institucione duke qenë gjithmonë një hap përpara.
Ai e bëri mafien korleoneze të “padukshme” ndaj drejtësisë dhe policisë.
Kur e arrestuan në 11 prill 2006, policëve u doli përpara një burrë i lodhur dhe i drobitur nga arratia, duke rrëzuar kështu mitin e një vrasësi gjakatar.
Komunikimi i tij me vartësit ka qenë gjithmonë i koduar dhe ishte shumë i kujdesshëm ndaj “çmikave” dhe fliste me zë shumë të ulët.
Në mbretërimin e Toto Riinës, Provenzano ishte gjithmonë i dyti në radhë.
Por për vartësit, ata ishin të dy njëlloj.
Por karakteri i tyre ishte i ndryshëm: Toto Riina ishte i padurueshëm dhe i bëntë gjërat nxitimthi, ndërsa Provenzano ishte mendimtar dhe i kujdesshëm.
Mafia nën udhëheqjen e Prvenzanos “ndërroi lëkurë”.
Ai ndaloi konfliktet për të rinisur tregtinë dhe iu shmang shtetit duke luajtur rolin e “nëndetëses”.
Por ai mori me vete shumë sekrete në varr.
Provenzano mbrojti shumë prej ish-bashkëpunëtorëve të tij duke mos rrëfyer shumë për prokurorinë, pavarësisht “stimulimeve” që i bënë.
Ai shtirej si një plak i rrjedhur dhe me kujtesë të keqe.
Fiziku i tij gjatë viteve të burgut ra ndjeshëm dhe kohët e fundit ishte veçse një hije e bosit të dikurshëm që komandonte mafien më të fuqishme.
Roli i Provenzanos pas “daljes së tij nga skena” i shkon Matteo Messina Denaros, me të cilin shkëmbente mesazhe, dhe që është versioni modern i një mafiozi të paparashikueshëm./ Përgatiti Amarildo Lumani. TemA