Luca Bertoni është zyrtarisht një futbollist i Partizanit. Lajmi është bërë i ditur nga vetë klubi kryeqytetas, ndërsa mesfushori 24 vjecar, që është formuar si futbollist te klubi i Milanit është prezantuar zyrtarisht në ambjentet e klubit të kuq nga drejtori i Përgjithshëm, Genci Tomorri.
Ai ishte i pranishëm dhe në seancën stërvitore të pasdites së kësaj të hëne ku u bashkua me ekipin.
Bertoni, që luan në rolin e organizatorit ishte në bisedime prej disa ditësh me kryeqytetasit, që arritën të sigurojnë shërbimet e tij në formë huazimi me të drejtë blerje nga skuadra e Sudtirol, ku ai ka luajtur sezonin e kaluar.
Me ekipin e Lega Pro, Bertoni ka luajtur në total 52 ndeshje duke shënuar dhe 2 gola, ndërsa më parë ai ka qenë dhe pjesë e skuadrës së Carpit, kur ky ekip gjendej në Serinë B.
Në sezonin 2012/2013, Bertoni ishte dhe pjesë e Milanit por nuk pati asnjëherë mundësinë që të aktivizohej me kuqezinjtë. Afrimi i Bertonit ishte një kërkesë e vetë trajnerit Sormani, që e njeh mirë lojtarin dhe e shikon atë si një përforcim me vlera për ekipin e tij.