Një lindje si e Çezarit

22 Korrik 2016, 12:27Blog TEMA

Nga Enkel Demi

Thuhet që Çezari i Romës lindi në këtë mënyrë, ndaj prej tij këtyre lindjeve ju dha emri i Perandorit. Reforma në Drejtësi ishte pikërisht një lindje çezariane. Nuk erdhi normalisht, por u desh ndërhyrja e kirurgëve si në kohën e lashtë, të cilët i çanë barkun mëmës.

Kurrë në Shqipëri një proces nuk ka rrjedhur paq, asnjë reformë, asnjë ligj themeltar, asnjë kod zgjedhor. Përherë kemi qenë si nëna e romakut të famshëm, në prag dështimi. Kësaj here ndoshta e pikasëm pak më qartë këtë ngërç, sepse të huajt na e varën më shumë. Nuk dihet ende mirë përse, por ky vend është kthyer në qendër të vëmendjes. Ndoshta afrimi i kufirit rus në Ballkan, ka ngritur antenat e alarmit dhe gjeopolitikisht ka gjasa të jetë vendosur që Shqipëria të bëhet.

Sak për këtë, klasa politike shqiptare rrëfeu që ishte e papërgatitur. Kjo reformë është guri i provës që dikush më i lartë se udhëheqja jonë ka vendosur të prishë ujërat e gjirizit, atje ku prej vitesh pluskojnë amfibët e korrupsionit, krimit, hajnisë. U kthye në modë parimi maoist: “Turbulloje që të kullojë”. Pikërisht prishja e kësaj kënete, derdhja në të e ujërave të freskët shkaktoi mëri, inat, kërleshje, karfosje, sepse kush nget rutinën të prish gjakun.

Tani që reforma me hir apo pahir kaloi, duhet kuptuar që ajo nuk ishte burim i një vullneti të mirë i besëpakëve që zotërojnë ende pushtetin e politikës. Kjo Kushtetutë e re erdhi si një vizitor i padëshiruar prej nga ku jashtë. Në një farë mënyre për klasën politike është një prodhim alien.

Kësaj here u evidentua edhe një herë që mungesa e besës është çimentuar si vlerë kombëtare. U pa që në majën e ligjvënies njerëzit e hanin fjalën si Xhaferri simiten. U dalluan gaztorë oborresh që nesër mund të na qeverisin. U dalluan kokoroçë arrogantë që prodhimin e vetëm politik kanë benzinën për zjarrin dhe batutën shakatore për program ardhmërie. U dalluan kërcënues të pacipë, qaramanë mediatikë.

E vetmja gjë që nuk u dallua është urtia.

Tani fillojnë pushimet dhe bashkë me to dasmat. Shqiptarët i kanë për zakon dorovitjet, sepse u pëlqen harbimi i haresë. Do ketë banjo dielli dhe uji, shkuma party, foto, thashetheme dhe gazetarë që u bien brekët, kur hidhen në ujë për të pritur vjeshtën, ku do të ketë sërish sherr dhe lindje të vështira. Natyrisht, në vjeshtë do të na mungojnë flokët e kuq me dredha të ambasadores Vllahutin, por Donald Lu me dikë tjetër do ta krijojë një çift, qoftë edhe të së njëjtës gjini. Falë Çezarit ai tani ka më shumë liri për lundruar në ujërat e Shqipërisë dhe jo vetëm ai, por edhe një grup njerëzish që kanë populluar do zyra, të cilat në anglisht u thonë “byro”./ 27.al

3 komente në “Një lindje si e Çezarit”

  1. xheJ eN Bi says:

    Si gjithmon te Ekeli nuk gjen komentues.
    Une mar inisiativen dhe shkruaj,po kete rradhe me shume po komentoje jo per shkrimin ,
    poper shprehjen popullore per Xhaferin me simiten.
    Kjo shprehja nuk perdoret ashtu ,po thuhet :” e humbi si Xhaferi simiten”.

  2. Kola says:

    Bravo zoti Demi. JO vetem parapergatitje nuk u vu re, por u vu re antagonizmi shqiptar i viteve 1942-1946. Partite luftojne mes tyre sikur te jene armike mes njera tjetres, duke harruar se shqiptari pret e shpreson dicka te mire nga te gjitha partite. Problemi eshte fare i thjeshte, reforma u miratua dhe duhet te vere pikat mbi “i”. Ky vend eshte grabitur e kthyer ne feud maskarenjsh. Ky vend eshte shitur tek te huajt duke shnderuar shqiptarin ne skllav te tyre. Ky vend eshte masakruar per buken e gojes sic ishte Gerdeci e 21 Janari. PERFUNDIMISHT: Ky vend kerkon drejtesi dhe kete e kerkon urgjentisht, pasi shume vite u shperdoruan. Fjalet e shumta jane fukarallek.

  3. albani says:

    Mire e ke thene Z. Demi, shume mire madje. Vetem se, citoj “Klasa politike shqiptare rrefeu se ishte e pa sigurt …”, kjo nuk me duket tamam keshtu. Klasa politike shqiptare, dhe ne menyre te vecante “klasa politike e PD”, ka qene me e sigurt se kurre per ate qe bente dhe kerkonte te bente. Klase e neveritshme, tradhetare, antikombetare me ne krye Salih Rame Shiqere UDB Berisha dhe ai kercinjgjati, zhulsi me gel Lulzime Basha.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje