Familjarët e Ardit Gjoklajt akuzuan fadromistin që pasi e ka shtypur 17 vjeçarin e ka fshehur trupin e tij mes plehrave.
Fran Gjoklaj, xhaxhai i viktimës tha se është i indinjuar, pasi sipas tij është tentuar të fshihet krimi dhe fadromisti.
“Fadromisti mbasi e ka mbytur, e ka mbështjellë me mbeturinat dhe ka dashur ta fshehë dhe ka thënë që ka ardhur i mbytur. E gjitha është te fadromisti. Ta kishte mbytur dhe të kishte thënë ‘e mbyta’, do ia jepnim një kafe, por ne na ka rënduar shumë se e ka fshehur për të mos u zbuluar dhe ka thënë që e kanë mbytur të tjerët. Nuk ka tjetër histori kjo punë”, – ka deklaruar xhaxhai i 17-vjeçarit për Ora News.
Nga ana tjetër katër të arrestuarit për vrasjen aksidentale të Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës kanë deklaruar se “nuk e njohim personin që u gjet i vdekur në landfill dhe nuk e kemi idenë sesi ka hyrë aty.”
Deklarata është bërë gjatë marrjes në pyetje së 4 drejtuesve të firmës dhe me sa duket ata kanë shfrytëzuar faktin se i riu nuk nuk ishte regjistruar dhe as deklaruar në punë.
Sipas tyre, trupin e pajetë mund ta kenë sjellë kamionët që dërgonin mbeturina nga Tirana në landfill dhe e kanë hedhur aty mes mbetjeve duke hedhur poshtë mundësinë e vrasjes nga “ekskavatori me kova”.
Të arrestuarit janë: Besnik Braha, përgjegjës firme; Edmond Kollari, drejtues ekskavatori; Dëfrim Hakrama, përgjegjës turni dhe Bujar Daja, përgjegjës i punonjësve. Ata kanë marrë masën e sigurisë arrest me burg sëbashku me administratorin e firmës “3R”, Edurim Teqja, i shpallur në kërkim.
Ardit Gjoklaj u përcoll dje për në banesën e fundit.
17-vjeçari kishte përfunduar vitin e dytë në shkollën “Karl Gega” në Kombinat dhe punonte në të zezë në landfillin e Sharrës.
Familjarët thanë se me paratë e punës do të blinte librat për vete dhe për të motrën, dhe çfarë t’i mbetej të blinte ndonjë rrobë.