Kartela e vrasësit: Nga spitali e nxorri i ati. Banorët e fshatit: E gjithë familja ka probleme

18 Gusht 2016, 20:06Kronika TEMA

Jorgos Zani, 31-vjeçari i cili masakroi të mërkurën në Palasë një 12-vjeçar, ka dalë nga Spitali Psikiatrik i Vlorës pasi babai i tij, Petro Zani mori përsipër përgjegjësinë për kujdesin ndaj tij.

Top Channel ka siguruar kartelën mjekësore të Zanit, në të cilën përshkruhet e gjithë sjellja e tij, që nga momenti i mbërritjes në Spital e deri në largimin, më 5 nëntor 2015.

Në Epikrizën e Daljes, thuhet se gjatë qëndrimit në Spital ai ka patur përmirësime dhe se i këshillohet mjekim ambulator në shtëpi. Diagnoza përfundimtare është “çrregullime personaliteti si pasojë e përdorimit të lëndëve narkotike”.

Drejtori i Spitalit, Kujtim Llapi, konfirmon se pas mjekimit të marrë, ka qenë i ati ai që e ka nxjerrë nga spitali 30-vjeçarin.

“Pacienti është mjekuar deri më datë 5 nëntor 2015. Më mbrapa, pasi është njoftuar dhe i ati, është qetësuar dhe është dominuar nga mjekimi i vendosur nga spitali dhe në datën 5 ka dalë. Ka firmosur dhe i ati kartelën, sipas të gjitha procedurave”, thotë Kujtim Llapi, drejtori i Spitalit Psikiatrik “Ali Mihali” në Vlorë.

Por i pyetur sesi mund të lihet i lirë një person i cili shfaq rrezikshmëri me sjelljen e tij, Llapi ka shpjeguar.

“Detyra jonë është që të japim mjekimin derisa të vendosë konsulta që pacienti është në rregull. Ne jemi të detyruar të zbatojmë ligjin 44/2012 për shëndetin mendorë dhe të gjithë pacientët kanë të drejtat njësoj si dhe ne që jemi normalë. Nëse pacienti thotë do të dal, je i detyruar ta lësh të dalë. Nëse firmos familjari, je i detyruar ta lësh. Jepen rekomandimet e nevojshme që të vazhdojë mjekimin atje ku do të shkojë”, thotë Llapi.

Në Kartelën Mjekësore të Jorgo Zanit, shkruhet se kanë qenë banorët e zonës ata të cilët janë ankuar për sjellen e tij duke njoftuar dhe policinë. Ka qenë pikërisht një oficer police dhe një infermiere, ata që kanë e dërguar atë në spitalin “Ali Mihali” në Vlorë.

Në rubrikën “Arsyet e ardhjes në Klinike”, shkruhet se Zani shfaqte sjellje konfrontuese edhe me fëmijët e lagjes, madje deri në sjellje kanibaliste ku therte dhe qentë dhe kafshët e punës, për t’u ushqyer me mëlçinë e tyre.

Në fshatin e tragjedisë, banorët: E gjithë familja ka problem

Tufa me lule dhe qirinj janë vendosur në vendin ku mëngjesin e të mërkurës u masakrua një 12-vjeçar nga një i afërm i tij.

Dëshmitarë i parë i ngjarjes ishte një punëtor sezonal nga Librazhdi, i cili vrapoi në vendin e ngjarjes menjëherë sapo ajo kishte ndodhur.

“Ishim duke punuar dhe dëgjuam një plakë që po bërtiste. Dolëm këtu dhe ishte i shtrirë pa kokë. I thërritëm një të lagjes këtu dhe erdhi ai dhe lajmëruam policinë”, rrëfen Ndriçim Muzhaqi, punëtor sezonal nga Librazhdi.

Banorët e fshatit Palasë janë të tronditur nga ngjarja e rëndë, e padëgjuar ndonjëherë në këtë zonë të qetë dhe ku të gjithë banorët kanë lidhje mes tyre. Për tragjedinë, ata bëjnë përgjegjës edhe prindërit e vrasësit.

“Në shtëpi kishte babanë dhe mamanë. Të çmëndur janë edhe ata. që të tre janë të çmendur. Kështu kanë qenë. Edhe prindërit, edhe i biri. Ata e lënë që të bridhte kështu”, thotë një banore e fshatit.

Në banesën e Jorgo Zanit askush nuk përgjigjet edhe pse brenda ka njerëz. Nga jashtë dëgjohet vetëm e qara me dënesë e babait të moshuar të autorit të ngjarjes.

2 komente në “Kartela e vrasësit: Nga spitali e nxorri i ati. Banorët e fshatit: E gjithë familja ka probleme”

  1. Arasam says:

    Mos rafsh ne goje te fshatit. Te shkretet prinder mire qe i mori me qafe djali po do degjojne dhe ligesine e fshatit.

  2. Besoj e keni jetuar kohen Enverit…dhe nuk di ne jeten time 54vjecare asnje vend ne bote te pyetet i semuri mendor nese do te dali…mjekesie shqiptare vetem e ben kete…a menduat per ate nene a do mundet te fleje me keto te perditshme qe degjon…ju lutem behuni 1 here te vetme serioze e te pergjegjshem si ne kohen qe na detyroni ta kujtojme me respekt

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje