Endacaku tenton të vrasë me thikë kalimtarin në rrugë, pretendon se e kanë fyer

28 Gusht 2016, 17:31Kronika TEMA

Një endacak nga Berati, person me precedentë penalë, sulmoi me thikë një kalimtar 50­-vjeçar në Tiranë, duke tentuar ta vrasë.

Ngjarja ndodhi paraditen e djeshme në afërsi të sheshit “Avni Rustemi”, në Tiranë, kur 53­vjeçari Luan Ziu, i pastrehë, goditi një herë me thikë në bark shtetasin Selim Tuka.

Sipas Policisë, ngjarja mësohet të ketë ndodhur për një fyerje.

Sipas Ziut, që tashmë ndodhet i arrestuar, kalimtari e ka sharë dhe për këtë arsye ai e ka goditur me thikë.

Fatmirësisht një patrullë e Komisariatit nr.1, që ndodhej pranë vendngjarjes, ka arritur të ndërhyjë në kohë, duke arrestuar në flagrancë autorin e ngjarjes.

Burimet thanë se edhe pas ndërhyrjes së efektivëve të Patrullës së Përgjithshme, endacaku vazhdonte të shante kalimtarin, të cilin e kishte goditur me thikë.

Sipas Policisë, ai synonte ta godiste sërish, por u mbajt me forcë nga shërbimet e rendit.

Nga ana tjetër, i plagosuri i transportua me urgjencë në Spitalin e Traumës, ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ai është marrë në pyetje nga oficerët e Policisë, të cilëve u ka sqaruar se nuk e ka fyer autorin e sulmit, por thjeshtë i ka kërkuar që të lirojë rrugën ku ai po kalonte.

PERSONAZHI

I arrestuari, Luan Ziu, është një endacak nga Berati, i cili ka qenë i proceduar edhe më parë, por njëkohësisht është bërë edhe objekt kronikash televizive, pasi preferonte të flinte rrugës, edhe pse kishte mundësi strehimi.

Në vitin 2008, Ziu, banor i lagjes “Çlirim”, në Berat, u arrestua pasi dyshohej se kishte vjedhur një biçikletë para një lokali.

Grupi i gatshëm i policisë, që ndodhej në vendin e quajtur, ka pikasur në rrugë biçikletën e vjedhur dhe menjëherë ka ndaluar personin që po i jepte, shtetasin Luan Ziu, i cili rezultoi autor i vjedhjes.

Një vit më parë, Ziu u intervistua nga gazetarët, teksa flinte në dimër në stolat e një parku në Berat.

Ai thoshte se e kishte zgjedhur vetë këtë mënyrë jetese dhe se familjarët nuk e kishin braktisur, madje kishte edhe shtëpi për të jetuar.

Ndërsa personat që e njihnin, shpreheshin se zakonisht ai është njëri i qetë, që pranon lëmoshat që i lënë pranë vendit ku fle, por ka raste që bëhet edhe i dhunshëm, pa ndonjë arsye konkrete.

1 komente në “Endacaku tenton të vrasë me thikë kalimtarin në rrugë, pretendon se e kanë fyer”

  1. tfgs1 says:

    ma Zi nuk ka ku shkon……………bith zi,zemer zi,fat zi se fundi edhe burg zi!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje