Instituti i statistikave njoftoi se papunësia në Shqipëri për moshën nga 15 deri 74 vjeç ka rënë në nivelin 15,5 përqind në tremujorin e dytë të vitit.
Me një rënie prej 1,1 përqind krahasuar me tremujorin e parë. Që nga tremujori i dytë 2013 niveli i papunësisë në Shqipëri ka njohur nivele nga 16 deri në 18,2 përqind dhe kjo është rënia e parë nën pragun 16 përqind.
Sipas Anketës së Forcave të Punës, në terma vjetorë punësimi u rrit me 6,8 %. Papunësia është më e lartë te meshkujt sesa tek femrat.
Ndërkohë, sipas grupmoshave, niveli i papunësisë është më i lartë tek të rinjtë nga 15 deri 29 vjeç me 29,9 përqind, tendenca sipas INSTAT është me rënie të lehtë. Grupmosha më e konsoliduar, ajo nga 30 deri në 64 vjeç ka një nivel papunësie prej 11,9%, edhe këtu vërehet një rënie e nivelit të papunësisë me gati 1 pikë përqindjeje. Instituti i Statistikave raporton se popullsia e moshës 15-64 vjeç ekonomikisht jo-aktive është në nivelin 34,2 %.
Vlerësohet se pjesa me e madhe e popullsisë jo aktive për punë rreth 19% e këtij është duke përmbushur detyrat shtëpiake, 11,7 % e saj është në pension ose pension të parakohshëm, ndërsa 9,9 % në paaftësi të përhershme.
Anketa Tremujore e Forcave të Punës është një vrojtim statistikor që kryhet pranë familjeve. Baza e zgjedhjes se përdorur është censusi i 2011-s. Për tremujorin e dytë anketimi u bë me rreth 8 mijë familje.
Pas kësaj, ka reaguar edhe ministri i Financave, Arben Ahmetaj, që thotë se ky është një sinjal pozitiv.
Reagimi i Ahmetaj:
Sinjale pozitive për punësimin edhe në tremujorin e dytë.
INSTAT publikoi sot Anketën e Forcave të Punës për tremujorin e dytë 2016, duke konfirmuar rritjen e punësimit dhe uljen e papunësisë edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit.
“Punësimi shfaq një tendencë në rritje si në terma vjetorë, ashtu dhe në terma tremujorë. Në tremujorin e dytë, punësimi u rrit me 6.8 % krahasuar me tremujorin e dytë 2015 dhe 1.8% më shumë se tremujori i parë 2016.
Papunësia ka vijuar të ulet edhe në këtë tremujor, duke zbritur në 15.5%, ose 1.1% më pak se tremujori i parë i vitit” – thotë INSTAT”.
Sigurisht që beteja jonë për punësimin është aty dhe vazhdon çdo ditë, por statistikat dhe faktet që prodhon ekonomia shqiptare janë gjithashtu aty, për të konfirmuar se tashmë kemi hyrë në një cikël të pakthyeshëm, rritje dhe konsolidimi afatgjatë.