DEBATI/ A u keqpërdorën paratë e qeverisë komuniste të Tiranës për Lëvizjen Popullore të Kosovës? Ibrahim Kelmendi jep një version

19 Shtator 2016, 10:31Dossier TEMA

Ndërkohë që Lëvizja Popllore e Kosovës po forcohej në perëndim si lëvizje ilegale, rregjimi komunist i Tiranës i shikonte ata me simpati dhe kishte ura komunikimi përmes konsullit shqiptar në Stamboll Bujar Hoxha dhe ndërlidhësve të tij. Flitet për një rast kur Jusuf Gërvalla i ka kërkuar ndihmë Enver Hoxhës për të blerë një makinë faqosje tekstesh 10 mijë dollarë, dhe sipas dëshmive, qeveria e Tiranë si ka dërguar më shumë se aq.

Ibrahim Kelemndi paralajmëron një botim ku mund të hedh dritë mbi këto zhvillime.

PARALAJMËRIM PËR BOTIM TË LIBRIT “GJURMË DHE FERKEMË” 

(i cili po pret që dy vite të gjënë botues vullnetmirë)

Mund të jetë ky fillimi

Kishte kohë që thuaja pa dashur më vërtiteshin në kujtesë dy tituj librash: “Rrno vetëm për me tregue“ (At Zef Pllumi) dhe “Të rrosh që të rrëfesh” (Gabriel Garsia Markez). Pak a shumë e njëjta gjë në kohë e vende të ndryshme. Mua nganjëherë më bëhet se rrojta shumë, por edhe se rrëfeva shumë. E megjithatë, shoh se njerëzit, të mirë e të këqij, ende e ngatërrojnë gjurmën dhe fërkemin, edhe atëherë kur është ditë e dielli ndrin. Pastaj më erdhën në mendje librat e shenjtë. Për njerëzit, për të gjallët janë shkruar edhe këta, – thashë me vete, pavarësisht se ç’bindje kam unë. Një psalm thotë: “O njeri, goja jote do të dëshmoj kundër teje…”, pastaj numërohen edhe shqisat e tjera, edhe referenca për Ditën e gjykimit. Mbase do ta lija edhe unë këtë punën e dëshmimit të personazheve të mi për atë ditë, po ku të lënë këta? Sidoqoftë, zgjodha pozicionin e komentatorit a të moderatorit duke ua lënë atyre hapësirën e nevojshme për përballje. Kësisoj del të jem autor, përafërsisht, i vetëm një të tretës të këtij libri.
Si ndodhi kjo?

20 “librat” elektronikë të Xhafer Durmishit

I provokuar nga një paraqitje televizive e Zotëri Sabri Novosellës (më 8 tetor 2014) zura të gjurmoj informata në internet. Befasia e radhës: ndërkohë ish-bashkëveprimtari Xhafer Durmishi kishte publikuar 20 “libra” elektronikë. Zura t’i lexoj në mënyrë diagonale. Befasia tjetër: ai tashmë ishte përplasur edhe me eprorin e tij, Z. Sabri Novosella, por edhe me ish-kuadrot e Lëvizjes Nacional Çlirimtare të Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ), si me Shefqet Jasharin-Strovcin, Ramadan Pllanën, madje edhe me ish-argatin e tij, Nuhi Sulejmani, etj.

Në këto “libra” ai kishte publikuar pothuajse të gjitha shkrimet e Jusuf Gërvallës, të intervalit kohor më dinamik të tij (janar 1980 – janar 1982), letrat dhe shënimet e tjera pa ndonjë kriter, me analiza e komente tërësisht subjektive. Këtë kontribut të tij, sado me përjashtime, jam duke e çmuar të vyer, pavarësisht denigrimeve që më paska bërë! Jam i gatshëm t’i vuaj edhe këto denigrime, me çmimin e diskreditimit të veprimeve komplotiste të Sabri Novosellës, Abdullah Prapashticës, Xhafer Shatrit, Xhafer Durmishit dhe Co.

Këtu e tutje do të përzgjedh fragmente nga disa prej “librave” të tij si, “Shokët e Jusuf Gërvallës”, “Vepra e Jusuf Gërvallës”, “Testamenti”, “Lëvizja e Jusuf Gërvallës”, etj. Ndonjëherë do të sjell broçkulla edhe nga librat e vëllezërve Sabri e Salatin Novosella dhe të të tjerëve, të cilët trajtojnë tematikën e veprimtarisë së emigracionit.
Që të mos i lë shteg ndonjë iluzioni, këtu nuk bëhet fjalë për 20 libra të mirëfilltë, po për vandak kompilimesh. Këto nuk trajtojnë tematika të veçanta nga njëra-tjetra, ngaqë kanë pothuajse përmbajtje të njëjtë, vetëm bartje tekstesh e përsëritje të tipit “copy-paste”, nga “libri” në “libër”.

***
Kësaj radhe po ofroj vetëm një fragment nga letra që Jusuf Gërvalla duhet ti ketë dërguar eprorit të tij, Zotëri Sabri Novosellës, me shpresë se ai, Avdyl Gërvalla dhe ndonjë tjetër të ofrojnë përgjigje në pyetjet:

Është letër autentike e Jusuf Gërvallës!?

Çfarë vërtet ka ndodhur gjatë asaj nate (të dhjetorit 1979)!?

Telefonuesi, që është prezantuar si i UDB-së se Pejës, mos ndoshta ishte vet Sabri Novosella?

Nëse nuk ka qenë Sabri Novosella, kush duhet të ketë qenë dhe përse i ka telefonuar pikërisht Jusuf Gërvallës dhe pikërisht në atë kohë e mënyrë të pa zakontë edhe për UDB-në!?

***
Tani citoj fragmenti nga letra që Jusuf Gërvalla duhet ti ketë dërguar Sabri Novosellës, më 14 prill 1981:

“Untergruppenbach, RFGJ 14 prill 1981

I dashuri shok, Bashkim!

Letrën tënde ( një fjalë apo një shenjë sado të vogël) e kam pritur si qorri sytë. Siç do të shohësh pak më poshtë, ajo ka për mua një rëndësi jashtëzakonisht të madhe, bile rëndësi jetësore.

Muajt e parë të arratisë sime u merakosa për efikasitetin e Organizatës sonë.

Unë, në bazë të bisedave në takimet tona, e dija që organizata ka për detyrë dhe është e zoja të marrë kontakt me anëtarët e vet edhe në rrethanat më të vështira, siç është burgu. Nga ana tjetër, megjithëqë vështirësitë për të marrë kontakt me mua, duke u nisur nga karakteri i hapët i kufirit jugosllav me Perëndimin, i konsideroja vështirësi relative, …për disa muaj rresht s’më vinte fjalë as zë. Dhe gjendja e tillë, e cila më jepte dorë ta gjykoja Organizatën, do të vazhdonte deri më sot, sikur ndërkohë unë vetë të mos e bëja një ligësi të kobshme. Ti mund të mos e dish, por shkaktari i arratisjes sate jam unë! Mbase natën që do të jesh arratisur ti, mua më morrën në telefon nga UDB – ja e Pejës dhe më bënë presion të çuditshëm, gjithsesi monstruoz, që të tregoja kush është Bashkim Prishtina. As që më ka shkuar mendja se e kisha humbur aq shumë truallin nën këmbë. I përgjumur dhe me gjasë fare i humbur siç isha, në kthetrat e një ligësie të pashembullt dhe fare të huaj për mua deri atë çast, unë rashë në provimin e rëndësishëm: kallëzova shokun! Për të “shpëtuar” fëmijët e vëllait, morra në qafë fëmijët e shokut, fëmijët e vëllait por që nuk na kishte bërë nëna. Dhe në këmbim të kësaj fitova: faqen e zezë dhe barrën e rëndë të ndërgjegjes së ligur si kurrë ndonjëherë në jetë. Atë çast e tutje, jeta edhe ashtu e errët, me strumbullar të vetëm luftën modeste dhe gatshmërinë për flijim në emër të idealit të lartë të lirisë, m’u errësua edhe më. Brerja e rëndë e ndërgjegjes dhe ndjenja e thellë e shkatërrimtare e fajit ndoqën pa mëshirë dhe në çdo hap të gjitha netët dhe ditët e arratisë sime të hidhur, e cila, pas gjestit tim qyqar, e humbi gjithë qëllimin e vet dhe m’u shndërrua në gur të rëndë në zemër.

Menjëherë pas aktit tim të lig, unë, tashmë i “shpërgjumur”, i bëra telefon një shokut tim në Podujevë që të vinte të të lajmëronte për rrezikun. Por, sigurisht ka qenë vonë për gjithçka. Atëhere m’u shfaq një motiv i fuqishëm që për gjestin tim qyqar t’i rrëfehesha shokut të parë që do të takoja. Po shokë nuk kisha. Gjithë natën e gjatë u detyrova t’i shtrohem gjykimit të vëllait të vogël këtu, të shoqes sime dhe, bile, gjykimit të heshtur të djalit tim 12-vjeç, i cili ishte prezent kur ngjau biseda. Më pastaj prisja t’i rrëfehem ndonjërit nga shokët e Organizatës, kur të merrja eventualisht kontaktin e pritur. Ndërkohë dëgjova për arratisjen tënde dhe vendosa që së pari të të rrëfehem ty e pastaj kujt do që e kërkon puna. (…)
Sokoli [Jusufr Gërvalla]”

[Burimi: Xh. Durmishi, VEPRA E JUSUF GËRVALLËS, f. 229-232]

2 komente në “DEBATI/ A u keqpërdorën paratë e qeverisë komuniste të Tiranës për Lëvizjen Popullore të Kosovës? Ibrahim Kelmendi jep një version”

  1. qwert says:

    jeni me të vërtetë fantastikë!!
    idiotër të klasit të parë!!
    titulli flet për keqpërdorim parash dhe për para thuhen vetëm dy fjalë!!
    qeveria e tiranës ka dhënë 10 mij $,bile me theksimin se “nuk ka dërguar më shumë se aq”!!dmth nuk ka dhënë asnjë bakshish ose dhuratë!?

  2. Zenel says:

    Dhe ne lexuesit duhet te abuzohemi me dokrrat e I.Kelmendit ….
    Nje nga ata avanturieret, spiunet e dyfishte, dallkauket qe per hiret dhe degjenerimet morale nuk lane gje pa bere ne vitet 70-90 duke u solollate neper Europen “degjeneruar kapitaliste”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje