Sulmuesi i talentuar i Juventusit, Paulo Dybala, ka pranuar se sezoni 2016-2017 e ka gjetur me një mungesë të theksuar vetëbesimi. Argjentinasi vjet ishte një yll i vërtetë për bardhezinjtë në sezonin e tij të parë si juventin, duke shënuar 23 gola në 46 ndeshje në të gjitha kompeticionet. Sivjet, krejt ndryshe, djaloshi nuk po arrin të nxjerrë më të mirën nga vetja dhe këtë 22-vjeçari e ka shpjeguar duke thënë se i mungon vetëbesimi. “Vjet e nisa sezonin më mirë. Mbase më mungon paksa vetëbesimi, por thjesht po përpiqem të ndihmoj skuadrën në çdo mënyrë të mundshme”, – tha ai për “ESPN“-në.
“Nëse nuk shënoj, do të përpiqem të punoj bashkë me ata të cilët bëjnë gola duke vrapuar dhe duke ndjekur topin”, – shtoi lojtari i transferuar për 34 milionë euro në Torino. Ndërkohë, Juventusi sot luan me Cagliari-n dhe teksa Dybala pret të shënojë golin e parë në Serie A, Gonzalo Higuain, kolegu i tij në sulm, e ka shënjestruar tri herë portën. “Gonzalo është shumë i rëndësishëm për ne. Çdo lojtar i ri ka sjellë diçka në skuadër. Të gjithë do të na ndihmojnë për t’u përmirësuar krahasuar me vitin e kaluar”, – u shpreh Dybala për bashkëpatriotin e tij.