FNSH me "shtëpi të re"/Tahiri: Fillojmë menjëherë punën për zbatimin e Ligjit të masave shtesë të sigurisë

23 Shtator 2016, 13:21Kronika TEMA
FNSH me "shtëpi të re"/Tahiri: Fillojmë

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka marrë pjesë në inaugurimin e godinës së re të Repartit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Tiranë, një investim ky prej rreth 6 milion eurosh.

Në fjalën e tij ministri Tahiri deklaroi se kjo është nje ditë shumë e veçantë për efektivët e këtij reparti elitë të Policisë së Shtetit.

Ministri shtoi se sfidat që kemi përpara do të jenë më të vështira se ato që janë bërë deri më sot.

‘’Jemi te vendosur për të bërë Shqipërinë më të sigurt. Çdo baltë që hidhet mbi ne është konfirmim i punës së mirë të policisë. Nxitja e reforma, rritja e besimit, rritja e investimeve në strukturë është në qendër të vëmendjes për të bërë Policinë e gjeneratës tjetër.

Sfidat që kemi para janë shumë më të vështira se ato që kemi bërë deri më sot. Opozita ka sfidat e saj sigurisht dhe do të marrë faturën e saj. Qentë le të lehin Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të ecin përpara’’, tha ministri i Brendshëm.

I pyetur nga gazetarët në lidhje me miratimin e ligjit ‘’Për masat shtesë të sigurisë publike’’, ministri deklaroi se ai është ligji më i rëndësishëm që është miratuar deri më tani.

‘’Ne duhet të eleminojmë faktorët që nxisin ata që duan të shkelin ligjin. Grabitja e një banke para pak kohësh dëshmoi se ajo bankë i ftonte kriminelët ta vidhnin. Këtë nuk mund ta tolerojmë, nuk mund të tolerohet në asnjë vend të botës.

Disa ngjarje me transportin e valutës dhe parave me makina që nuk plotësojnë asnjë kusht dhe disa ngjarje të tjera që shërbejnë si faktor nxitës për kriminalitetin jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë  botën.  Jemi thuajse vendi i fundit që ndërtojmë këto mekanizma për të parandaluar ngjarjet kriminale.

Do të fillojmë nga puna me njëherë për zbatimin e tij. Ka shumë për të bërë në kuadër të masave konkrete që duhet të marrim duke nisur me njësitë e biznesit që kanë me shumë risk e  për të vijuar me kopshtet dhe shkollat,’’ u shpreh ministri Tahiri.

Për sa i përket hetimit të nisur nga Prokuroria e Tiranës në lidhje me tenderin për uniformat e Policisë, ministri Tahiri nuk ka dashur të bëjë shumë komente duke deklaruar se Policia ka bërë një kallëzim në lidhje me këtë çështje.

“Kjo është shenjë e vullnetit tonë për të respektuar standardet. Në të kaluarën një tender uniformash do kalonte pa u ndjerë edhe me pikëpyetje të forta korruptive siç ka ndodhur. Sot ne nuk pajtohemi me këtë realitet. Policia e Shtetit porositi disa uniforma të cilat mesa duket erdhën jashtë standardeve. Policia ndërpreu kontratën.

Policia nuk pranoi te merrte ne dorëzim uniformat. Policia bëri kallëzim në prokurori. Shembull më i mirë të përkushtimit për të respektuar ligjin dhe për t’i shërbyer punonjësve të policisë që të kenë uniforma të denja unë nuk di te ketë’’, theksoi ministri Tahiri.

1 komente në “FNSH me “shtëpi të re”/Tahiri: Fillojmë menjëherë punën për zbatimin e Ligjit të masave shtesë të sigurisë”

  1. titi says:

    Ta gezojne se e meritojne plotesisht!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje