Mustafa Nano: Pse kërkova largimin e Ramës si kryeministër, akuzat se po i shërbej Berishës dhe a i qendroj "bashkimit të gjithë qelbësirave" kundër tij

26 Shtator 2016, 10:23Politika TEMA

Analisti Mustafa Nano sqaroi qëndrimin e tij në lidhje me largimin e Edi Ramës si kryeministër, duke iu përgjigjur në të njëjtën kohë edhe kolegut të tij, Andrea Stefani.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Nano shprehet se ka kërkuar largimin e Ramës nga socialistët, pas miratimit të ligjit për importin e mbetjeve, por jo rrotacionin politik. Nano i qëndron deklaratës së tri viteve më parë se Berisha duhej larguar nga pushteti me çdo çmim.

Z.Nano, ka shkaktuar debat thirrja juaj e fundit publike ndaj socialistëve për të larguar Kryeministrin Rama. Ju njiheni si mbështetës i Ramës në opozitë, por edhe gjatë këtyre tri viteve në pushtet nuk jeni shfaqur shumë kritik ndaj tij. Ishte akti i fundit i qeverisë për lejimin e importit të plehrave që ju bëri të ndryshoni mendim, apo është një ide që e keni pjekur më parë?

Zëri im para disa vitesh, më shumë se mbështetës për të, ka qenë kritik për palën tjetër. Por nëse doni të më kualifikoni si mbështetës të Ramës në opozitë, bëjeni! Jemi OK. Nuk prishemi. Qoftë edhe indirekt, ai e ka pasur mbështetjen time. Ndërsa, për sa u takon tri viteve të fundit, jam shfaqur shumë pak në publik. Shkrime pothuaj nuk kam bërë asnjë, por reagimet e mia kritike e denoncuese ndaj qeverisë e ndaj Kryeministrit nuk kanë munguar.

Puna është se i kam shprehur në programin tim “Zululand”, në një televizion online, “TemA TV”, që tani ka filluar të bëhet i njohur. Sidoqoftë, nuk kam qenë ndër më kritikët ndaj Ramës e ndaj maxhorancës. Këtë medalje le ta mbajnë të tjerët. Nuk kam qenë aq kritik sa disa të tjerë, ngaqë nuk kam parë arsye të isha. Dy vitet e para të kësaj maxhorance, nuk kanë qenë të këqija. Shenja të keqpërdorimit të pushtetit dukeshin, por marrë në tërësi dy vitet e para kanë qenë të vlerësueshëm.

Ka qenë aq e vërtetë kjo sa kundërshtarët e tij, përfshirë edhe disa gazetarë që kishin paralajmëruar kohë të këqija nën hyqmin e Ramës, zunë të bëhen nervozë, ngaqë nuk po u dilte llafi tamam. Rama i ka lëshuar frenat vetëm vitin e fundit. Nuk di çfarë ka ndodhur konkretisht. Nuk besoj se e ka kondicionuar aleati i tij, Ilir Meta.

LSI-ja është ajo që është, e sikur kjo parti të mos ekzistonte, punët do të kishin shkuar më mirë në këtë vend, por duhet thënë se Ramës LSI-ja nuk i është bërë pengesë. Ramës i kanë dalë nga kontrolli gjërat dhe mendon se çdo gjë zgjidhet duke marrë nën kontroll median, duke u bërë favore disa biznesmenëve, që deri dje ishin me Berishën, duke marrë në mbrojtje ministra e zyrtarë ose idiotë, ose të korruptuar, duke i kopsitur gjërat me Metën e duke garantuar fitoren e zgjedhjeve tok me LSI-në dhe zgjedhjet do t’i fitojë. Kjo është e sigurt, sepse pala tjetër s’ekziston.

Por kjo fitore nuk ka për t’iu dashur as dreqit. As atij. Ai, kjo është frika ime, nuk di se ç’të bëjë me pushtetin. E kërkon atë, do ta ketë të pakufishëm, por nuk dihet se për çfarë e do. Kapardisjet di t’i bëjë, sidoqoftë. Trillet e tij të vanitetit di t’i kurojë mirë. Edhe kur pozon e harxhon orë të tëra me Arrigo Saçhi-in e Carlo Ancelotti-n në Kryeministri! Me siguri, këta të fundit janë duke pyetur veten edhe sot e kësaj dite: Po pse vallë Kryeministri i një vendi duhet të na priste e duhej të rrinte me ne disa orë të mira? E kushedi se ç’përgjigje japin.

Këtë apel tuajin, analisti Andrea Stefani e ka cilësuar si një thirrje për të rikthyer Sali Berishën në pushtet, të cilin edhe ju vetë e cilësoni “bandit delinkuent”. Stefani e kundërshton idenë tuaj për largimin e Ramës nga drejtimi i qeverisë, sepse në këtë mënyrë do të pengoheshin reformat shtetformuese e mbi të gjitha zbatimi i Reformës në Drejtësi. Si e vlerësoni këtë reagim të kolegut tuaj, Stefani?

Unë jam i fundit që duhet të më bëhet akuza se dua të risjell në pushtet Berishën. Dhe Andrea është i pari që e di këtë. Përveç kësaj, askush nga ne, as unë, as Andrea, nuk kemi fuqi të sjellim në pushtet Berishën. Këtë fuqi e ka vetëm Rama. Për sa më takon mua, unë nuk jam i gatshëm, megjithatë, që dëshirën time që Berisha të jetë në opozitë, Rama ta përdorë si një smokescreen për të fshehur horrllëqet e veta, apo si licencë për të bërë ç’i do qejfi, pa pyetur fare për askënd e për asgjë. Para tri vitesh e kundërshtoi ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve.

Madje, ishte gati t’i vinte flakën vendit nëse ai ligj miratohej. Premtoi se do ta shfuqizonte atë ligj. Dhe nën orgazmën e fitores së pushtetit e shfuqizoi shpejt e shpejt. Tani, pas tri vitesh, na e miraton fshehurazi, larg çdo debati, në formë blitzkrieg-u, duke na kapur të gjithëve në befasi. Nuk ka asnjë studim të bërë që do të justifikonte këtë gjë. Ka vetëm një pretendim se industria e riciklimit që ekziston na paska mbetur pa punë. Në gjithë këtë histori, lëri të tjerat, por ky të bën të të duket vetja si budalla. Unë isha me Ramën atëherë.

Duhet të jem me Ramën sërish? Gjë që s’bëhet.

Por nuk është vetëm kjo. Rama ka bërë gjëra më të rënda. Dhe më e rënda është se ai ka krijuar një klikë të tijën, që në një masë të madhe është e njëjta klikë e vjetër që sundonte edhe në kohën e Berishës. Hiq këta që bilbilosin nga Shqupi sot, të tjerët janë ata që ishin. Klika është e palëvizshme.

Dhe Rama do që gjithë Shqipërinë ta vërë në shërbim të kësaj klike. Korrupsioni që po bëhet është në përmasa të frikshme. Andrea do fakte dhe unë personalisht do të tentoj, nëse mundem, të vihem edhe në gjurmë të fakteve korruptive. Por, sidoqoftë, nuk besoj se ka nevojë të priten faktet e mia. Një gjëje që i ndihet kutërbimi, nuk ka nevojë ta prekësh për t’u bindur që ekziston.

Kur u bëni thirrje socialistëve për të larguar Ramën, a keni parasysh një ose disa figura të mundshme brenda PS-së si kandidatë për Kryeministër, apo jeni për rrotacion në zgjedhjet e ardhshme të 2017-s?

Jo, nuk jam për rrotacion. Ç’rrotacion? Po të risillnim sërish në pushtet Berishën, do të ishte njësoj si t’i thoshim botës se jemi një popull i sëmurë me dementia. Prandaj, shoh si zgjidhje që socialistët të largojnë Ramën. Nuk do të doja që edhe socialistët të bënin atë që bëjnë gjithë kohën demokratët, d.m.th. të ngatërrojnë (njëjtësojnë) interesin e vendit me interesin e një të paudhi.

Dhe në këtë mënyrë të hedhin në greminë partinë, e më keq akoma, vendin. Se kush vjen në krye, këtë nuk e di. Por mos më thoni se “nuk ka kush ta zëvendësojë”. Kushdo mund ta zëvendësojë një kryeministër, që ka harruar se është zgjedhur për të qeverisur. Dhe në çdo rast do të jetë më mirë.

Po një Edi Rama që vendos të bëjë ndryshime, e të bëjë atë që presin njerëzit, do ta mirëprisnit?

Unë do ta mirëprisja, sigurisht. Mbi të gjitha, ngaqë kjo do të ishte provë se ai i ka duart e lira. Por kam frikë se vetëm kjo nuk mund të ndodhë. Rama, dhe ky është fakti më i dhimbshëm, nuk i ka duart e lira. Edhe kreun e një institucioni qeveritar që ka dështuar nuk e heq dot. Ja, nën presion, hoqi nja dy këto ditë, dhe u gjeti fët e fët nga një vend tjetër pëllumbash. Qeverisja e tij, përsëris, është një klikë e mbyllur dhe e korruptuar.

Sot, pas tri vitesh, a mendoni se ishte e drejtë thirrja juaj për “bashkimin e qelbësirave” për të hequr me çdo lloj çmimi Berishën nga pushteti, përderisa ju thoni se preferoni më mirë një “bandit delinkuent” sesa një të “kapur nga delinkuentët” si Rama?

Absolutisht, po! Është një nga gjërat më me mend që kam thënë ndonjëherë. Sikur të më thoshin se po krijohet një arkiv i veçantë, që do të ruhet për shekuj me radhë, ku secili prej atyre që kanë mbajtur qëndrime publike, do të duhet të zgjedhë vetëm një qëndrim për ta futur në këtë arkiv, dhe sikur të më kërkonin edhe mua të zgjidhja një qëndrim timin për këtë arkiv, unë do të zgjidhja pikërisht këtë qëndrim.

Mua më vjen keq që ka ende shqiptarë që nuk e kuptojnë se në vitin 2013 ka ndodhur një gjë e madhe. Një gjë fantastike. Kemi larguar nga drejtimi i një vendi një motherfucker. Më vjen keq edhe që në shoqërinë shqiptare ka një kompleks subordinimi kur vjen puna te qëndrimi ndaj tij.

Shikojeni se ç’ndodh! Ka tre vjet që ka humbur zgjedhjet, që i ka humbur ato në mënyrë spektakolare, ka tre vjet që bën si gore në Parlament, ka tre vjet që mban peng partinë demokratike dhe askush nuk i bën dot as kritikën më minimale. Të gjithë i qurraviten, deputetët, aparatçikët e Partisë Demokratike, kryetari i PD-së po se po, gazetarët që e kanë për zanat t’i atashohen partisë, por edhe gazetarë që mbahen me të madh si opinionistë nacionalë.

Dhe jo vetëm kaq. Edhe kritikët e lidershipit të Partisë demokratike nuk mungojnë t’i përcjellin herë pas here sinjale dashurie e solidariteti. Majlinda Bregut nuk i erdhi asnjë çikë turp kur na kujtoi këto ditë se ajo kish qarë kur Berisha ka dhënë dorëheqjen. Edhe hajde prit hair nga Majlinda!

Të vjen për të vjellë nga këta njerëz. Për dëmet që i ka bërë vendit ky njeri do të flitet mirë kur ai të qërohet nga politika. Atëherë do të flasin edhe ata që s’kanë gojë sot. Por për ta njohur se kush është, nuk ka nevojë të presësh kaq shumë. Nuk ka nevojë as të dish se ç’ka bërë. Është mjaft ta shohësh në Parlament një ditë të enjte dhe ti e kupton se kush është.

14 komente në “Mustafa Nano: Pse kërkova largimin e Ramës si kryeministër, akuzat se po i shërbej Berishës dhe a i qendroj “bashkimit të gjithë qelbësirave” kundër tij”

  1. mikel says:

    kisha dhe vazhdoi ta ruai respektin per ty muco ,por kesai rralle e dhive fare ,nuk eshte momenti me u mar me ramen qoftelargu nuk ka vdek akoma .muco nje pyetje te thjeshte kam ,po sikur edhe rama te mos ishte dacord me sistemin ne trejtesi? dhe ti jepte doren sales sic boni edhe nano ,dhe ta benin bashke sistemin.? kshu qe ka edhe ma keq ,sic jemi mesuar kto 25 vjet ,tashi qe po shofim shprese ti thu ta heqim,po prit o muc sa per ta heq aty e kemi ,por mos harro gjithmon se nje kryeminister i ri mund tja japi doren sales,kshu qe nuk ja vlen ma mire kokforti sic thone por besnik deri tashi,. eshte momenti ma i veshtire per vendin tone , por kur te kemi nje oposite sic duhet jame i sigurte qe do te kemi nje ed rama si duhet .

  2. andromeda says:

    Për pyetjen e fundit s’ke dhënë një përgjigje shteruese, o Muç. S’ka më qelbësirë se kryeqelbësira Sali Berisha, ke thënë ti pak a shumë. Dhe meqë Rama është një qelbësirë si shumë të tjerë, atëhere lërja pra këtij qelbësire ta kryej atë që ka nisur mirë apo keq, por gjithsesi më mirë se ajo çka prodhoi kryeqelbësira, sepse ti duke e sharë dhe mallkuar Ramën, nuk e besoj se shikon ndonjë opsion qelbësire më të mirë, apo ti mendon se Meta është një qelbësirë më e mirë? Jo për gjë, por me këtë që ke thënë ai kryeqelbësira ka fërkuar duart dhe është ngërdheshur si djalli para viktimës së tij. I vetmi qelbësirë që ka kërkuar reformën në drejtësi, pa u mëdyshur në asnjë rast është Edi Rama. Ta lëmë ta hajë mutin që ka gatuar vetë derisa t’ia shohim frytet reformës në drejtësi, nëse kjo do të jetë një vjeshtë e mirë për frute të bollëshme.

  3. trojani says:

    ndermjet dy qelbanikeve do zhjedhim qelbanikun me te vogel !! megjithate eshte apsurde te krahasosh ramen (qe nuk eshte qelbanik) me berishen, ky i fundit e beri shqiperin biznesin e familjes,pa llogaritur vrasjet me duar ne xhepa.
    Qe rama i ka duart e lidhura nuk do mend,se eshte ne aleance me qelbanikun ilir meta.

  4. Fshatari says:

    O Muq qartesoi mendimet se nuk mund te besh interesantin Duke shpatuar sa majtas -djathtas…burre pa tope

  5. I biri sheqeres dhe i partizanit serb says:

    Nuk ka me idiot se ky mustafa nano

  6. Spartaku says:

    Muçi! Ne fund e ndreqe.Per ate mendim qe ke ti per heqjen sa me pare te Edi rames,nuk varet nga ty.Ti ke vetem nje vote,por jane njemiljon qe nuk te pyesin ty fare.Ti thua se Rama do ti vinte flaken shqiperise per mbetjet,por ta dishe mire,dhe e di mire,qe flaken shqiperise ja ka vene Sali Berisha,ai Berish qe ke qejf ti te vij ne pushtet.Me keto mendime qe ke ti per Ramen,na shkon mendja qe ti je i shitur te Saliu,pasi atij nuk i mungojne parat,i ka jo me thase,por me komiona.Kame patur shume respekt per ty si gazetar,ishe kritik kundra kryekriminelit Berisha,qe ka te lyera duaret me gjakun e shqipetareve te pafajshem.Kurse Rama nuk ka vrare njeri,nuk ka tradhetuar si Saliu qe i shiti detin Greqise,dhe nuk ka vjedhur si Saliu dhe Basha ne menyre galopante.Prandaj ato qe thua ti kundra Rames,jane te mira per Berishen.Pra ti po çon uje ne mullirin e Sali Berishes dhe Bashes.Megjithate eshte e drejta jote,jane mendimet e tua personale.

  7. vedeta says:

    RRESPEKTE Muç je i drejt dhe i perpikt , qellimi jot i vetem esht qe ky vend te drejtohet siç e meriton dhe per ty emrat e politikanve nuk kan kurrfar kuptimi por vetem puna e tyre qe bejn ne detyrat e pushtetit , rrespekte Muç, jam i te njejtit mendim me ty me pelqeu artikulli ishte teper i vertet, ne duhet te jemi tifozet e sherbetorve te vertet te ktij populli qe punojn dit nat per te , dhe jo tifoz te batakçinjve kalimtar qe i deh pushteti dhe hyn ne pazare te ulta politike.

  8. Drini says:

    Muc nano ketu je munduar ti besh bisht pyetjeve.E deklarove hapur dhe qarte se eshte me mire nen drejtimin e kriminelit deliquent sali berisha se sa nen drejtimin e nje krimineli qe e drejtojn mafia. Dhe ky shperthim erdhi i papritur sa shume komentues thane po muc nano cpati.Nese ka nje gabim per ligjin e plehrave qe solli shperthimin tuaj eshte mosinformimi i publikut dhe kete duhet ta benit edhe ju si media, por une u siguroje ju se ju nuk dini asgje per importin e mbetjeve te riciklueshme dhe flisni per importim plehrash kur ne fakt nuk eshte i tille.

  9. edi asllani says:

    juve dhisni gjak nga berisha more b… q…,

  10. Ricardo says:

    Kisha nje fare respekti per Mucin por dyshoj per ndonje luge corbe te prishur.Kujdes se e vjell gjithe jeten Muco !!

  11. Ali Pasha says:

    Me gjithe respektin, ti nuk je gje tjeter vecse ne analist i “pamvarur”!
    Sali Berisha te eshte kethyer ne nje obsesion por fatkeqesia eshte se ti nuk e kupton, pra qe je nje i semure me keq se ai.
    Kjo eshte e gjitha, dhe mjer ata njerze me ju.

  12. arbereshi says:

    O MUC nano, te sotmen e kupton mbas nje jave dhe ne momentin kur e kupton kujton se je i pari ne kete konkluzion ose je gjithmon jashte ritmit. Je shume larg per te bere analistin, mund te besh analistin per Berishen ( qe nuk eshte gje e veshtire) por tjeter njeri tin nuk e gjykon dot sepse nuk je ne kohe. Per sa i perket Edit dhe disa te tjereve qe ti te jetosh 200 vjet nuk do te arish kurre ti kuptosh, por meru me Stefanin, me Bushatin, me Lesin me Vasiarin ju me njeri tjetrin mund te thashethemethoni dhe te kenaqni nivelin tuaj. Kuptoni nje gje jeni njerez krejtesisht te zakonshem bile nen mesataren e inteligjences se maturuarve, mos perfitoni nga ruralizmi i madh qe egziston sot ne shqiperi dhe beheni avanguardet e ketij ruralizmi. Kaq keni ju qe jetoni sa te doni por gjurme nuk do tju duket gjekundi ne llogjiken e se ardhmes.

  13. arbereshi says:

    O MUC nano, te sotmen e kupton mbas nje jave dhe ne momentin kur e kupton kujton se je i pari ne kete konkluzion ose je gjithmon jashte ritmit. Je shume larg per te bere analistin, mund te besh analistin per Berishen ( qe nuk eshte gje e veshtire) por tjeter njeri tin nuk e gjykon dot sepse nuk je ne kohe. Per sa i perket Edit dhe disa te tjereve qe ti te jetosh 200 vjet nuk do te arish kurre ti kuptosh, por meru me Stefanin, me Bushatin, me Lesin me Vasiarin ju me njeri tjetrin mund te thashethemethoni dhe te kenaqni nivelin tuaj. Kuptoni nje gje jeni njerez krejtesisht te zakonshem bile nen mesataren e inteligjences se maturuarve, mos perfitoni nga ruralizmi i madh qe egziston sot ne shqiperi dhe beheni avanguardet e ketij ruralizmi. Kaq keni ju qe jetoni sa te doni por gjurme nuk do tju duket gjekundi ne llogjiken e se ardhmes.Ndoshta more Muc ne kete kohe po shkruan edhe per fene dhe te ngaterohen mendimet e shkrimit per fene me analizen politike per qeverisjen e Shqiperise dhe te duket kryeministri i shqiperise si Allahu ose si Jesus. Kurse ti je me Darvinin por mendimet darviniane mbas inkuizicionit ti nuk je ne gjendje qe ti shikosh dhe ti kuptosh, keshtu qe ti Darvinin vete nuk e ke kuptuar me te thene e ke prandaj je thjesht nje tifoz i Darvinit por pa e kuptuar ate. Une do tju sygjeroja te shkruanit per gjera krejt te zakoneshme te jetes tone, shkruaj ps perse femrat shqiptare kurverohen per hic mos gje, mos ndoshta ju analistet luani rol te keq me analizat tuaja politike? Kot shembull solla.

  14. emigranti says:

    nuk e di se si po punon edi rama jam jashte po per saliu dhe pd jo me ne pushtet sepse ata e shkateruan shqiperine futen krimin, drogen, prostuticionin hoqen ligjet shkateruan endren e shqiptareve per demokraci.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje