“Ishte një budallallëk ajo që bëra, tani do pushoj pak”, kjo ishte deklarata e parë e ish-trajnerit të Anglisë Sam Allardyce pas skandalit dhe pushimit të menjëhershëm nga puna.
Allardyce u filmua nga gazetarët e “Telegraph” duke treguar se si shmangen rregullat për transferimin e lojtarëve.
Pas këtij skandali Federata Angleze nuk mund të merrte një vendim tjetër, përveçse ta pushonte.
61-vjeçari i njohur me nofkën “Big Sam” është transferuar në vilën e tij në Bolton, në pritje për t’u harruar kjo ngjarje poshtëruese për të.
Allardyce ka trajnuar disa nga klubet më në zë në Angli dhe emërimi i tij në krye të kombëtares ishte një ndër majat e karrierës së tij, por fatkeqësisht për të zgjati vetëm dy muaj e pak ditë.