Trans Adriatic Pipeline (TAP) AG shënoi sot fillimin e ndërtimit të pjesës tokësore të gazsjellësit në Shqipëri me shtrimin e tubacioneve. Kjo ngjarje u shënua nga një ceremoni në afërsi të qytetit të Fierit, ku morën pjesë Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, dhe Drejtori Menaxhues i TAP-it Ian Bradshaw.
Gjatë fjalës para pjesëmarrësve në këtë ceremoni ku ishin përfaqësues të autoriteteve vendore dhe palëve të tjera kyçe të interesit, Kryeministri Rama dhe Ministri i Energjisë Gjiknuri theksuan rëndësinë e projektit për Shqipërinë. Sipas tyre, si një nga investimet më të mëdha të huaja në vend, TAP-i do të ketë një ndikim pozitiv në sektorin energjetik të vendit dhe do të ndihmojë në stimulimin e investimeve të tjera të huaja në vend.
Rama tha se TAP ka rehabilituar afro 100 km rrugë në zonat e Korçës, Çorovodës dhe Fierit; ka ndërtuar dy ura të reja dhe ka rehabilituar 42 ura të tjera; u ka dhënë punë më shumë se 1700 personave, prej të cilëve 90% janë shqiptarë me një pagë mesatare 600 euro. Në bashkëpunim me autoritetet shqiptare është rritur numri i përfituesve nga shpronësimet ku kalon gazsjellësit. Sëbashku kemi plotësuar dokumentacionin për 13 mijë parcela, në total 17 mijë hektarë me 25 mijë përfitues.
Në vlerësimin e tij, TAP pritet të rrisë prodhimin kombëtar me 160 milion euro në vit, ndërsa ekonomia jonë në 20 vitet e ardhshme do të përfitojë mbi 1 miliard euro.
“Ne nuk duam të mbetemi si vend kalues i gazit të Kaspikut në Evropë. Kemi trashëguar një marrëveshje e cila kishte një boshllëk të madh për përfitimet direkte në simetri me vendet e tjera. I jam mirënjohës kompanisë që edhe në këtë rast nuk ka refuzuar, por ka pranuar të negociojë me ne për të gjetur një zgjidhje, e cila bën që Shqipëria të marrë si kontribut në aspektin social të projektit njësoj si Greqia dhe Italia”, u shpreh Kryeministri Rama.
Ndërkaq, Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri deklaroi se sot vendoset një gur i ri kilometrik në realizimin e kësaj vepre me rëndësi të madhe ndërsa theksoi edhe bashkëpunimin me drejtuesit e projektit.
“Në Shqipëri sapo filloi shtrimi i tubacioneve dhe ky projekt po bëhet gjithnjë e më konkret. Jo çdo gjë ka qenë gjithmonë në muaj mjalti por ne kemi negociuar me kompaninë vazhdimisht për të marrë më të mirat e mundshme për interesat e vendit. E tillë është edhe përfshirja e sa më shumë kontraktorëve lokal për tu bërë pjesë e këtij projekti. Jam i gëzuar që vitet e fundit një pjesë e kompanive shqiptare kanë nisur të bëhen pjesë e projektit duke kryer punë konkrete. Kjo ka sjellë përfitime konkrete për ekonomitë familjarë”, theksoi ministri Gjiknuri.
Ai nënvizoi se Shqipëria ka patur kushte jo shumë të favorshme në raport me vendet fqinje. “Dua të falenderoj kompaninë e cila bashkë me autoritetet shqiptare, Ministrinë e Energjisë, është përfshirë në një proces negocimi intensiv të cilin jemi duke e përfunduar shumë shpejt. Ky proces negociatash do të sjellë në balancë të plotë përfitimet e Shqipërisë siç i ka marrë edhe Greqia dhe kjo do të jetë shumë më mirë për të dy palët por mbi të gjitha për vet qëndrueshmërinë e projektit”, vlerësoi Gjiknuri.
Drejtori Menaxhues i TAP-it Ian Bradshaw tha: “Jam me të vërtetë i gëzuar që sot jam këtu me ju. TAP-i ka bërë një progres shumë të madh gjatë këtyre pak viteve të fundit dhe këtë e tregon qartë ajo çka mund të shihni sot këtu: tuba çeliku në tokë, makineri të rënda në sfond, pastrimin e korridorit të kalimit dhe kanalet që po hapen për shtrirjen e tubave. E gjithë kjo është në sajë të qindrave dhe mijërave orëve të punës të sigurtë. Dëshiroj të përfitoj nga rasti të falënderoj Qeverinë e Shqipërisë, veçanërisht Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë për mbështetjen e saj të palëkundur për projektin tonë dhe për bashkëpunimin e ngushtë, që ka hapur rrugën për realizimin e TAP-it dhe dorëzimin e projektit”.
Në Shqipëri progresi i deritanishëm i ndërtimit të TAP-t përfshin:
23 km Korridore Kalimi të pastruara
12 km tuba të lidhur
8 km tuba të salduar
56 % e tubave janë dorëzuar – Tuba linje & bërryla vazhdojnë të mbërrijnë në Durrës (që prej prillit të vitit 2016)
Më shumë se 92% e rrugëve ndihmëse dhe urave (progres i kombinuar) janë përfunduar; rreth 90% e fuqisë punëtore janë shqiptarë.
TAP-i vazhdon të jetë një aktor aktiv në Shqipëri, veçanërisht në rajonet ku projekti vepron. Projektet e investimeve sociale janë planifikuar dhe zbatuar me pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin e ngushtë të përfaqësuesve të komuniteteve vendore.
Rreth Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)
TAP-i do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Denizit II, në Azerbajxhan, në Evropë. Tubacioni, i gjatë 878 km, do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin turko-grek në Kipoi, duke kaluar përmes Greqisë dhe Shqipërisë dhe Detit Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë së Jugut.
Rruga që përshkon TAP-i mund të lehtësojë furnizimin me gaz të disa vendeve të Evropës Juglindore, përfshirë Bullgarinë, Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë dhe të tjera. Dalja në tokë e TAP-it, në Itali, ofron mundësi të shumta për transportimin e mëtejshëm të gazit natyror të Kaspikut në disa nga tregjet më të mëdha evropiane, si Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Zvicra dhe Austria.
TAP-i do të nxisë zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës përgjatë gjurmës së tubacionit; ai do të jetë një burim i madh i investimeve të huaja direkte dhe ai nuk varet nga grante apo subvencione. Pas shitjeve të para të gazit në Gjeorgji dhe Turqi, të synuara për fund-vitin 2018, prurjet e para në Evropë do të fillojnë përafërsisht në fillim të vitit 2020.
Struktura aksionare e TAP-it përbëhet nga BP (20%), SOCAR (20%), Snam S.p.A. (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%).
Mirrni ate qe fqinjet kane marre, mos u kenaqni me therrime.. Mos I zvarrisni kerkesat.. Jemi mesuar me zvarritje dhe kur vjen koha, perfundoni ne gjyqe nderkombetare dhe vetem humbisni.. Konkretojeni pa filluar mire puna..