Ben Blushi drejt një partie të ekstremit të majtë komuniste (dhe shembulli i Kreshnik Spahiut që duhet ta trembë)

1 Tetor 2016, 09:55Politika TEMA

Gazeta Mapo ka analizuar sot lëvizjet e fundit të Ben Blushit.

Ky i fundit zyrtarizoi dje largimin nga PS, pas muajve të tëra kritikash.

Mapo shkruan se Blushi po shkon drejt krijimit të një partie të ekstremit të majtë, të tipit të komunistëve.

“Në fakt Retorika, që Blushi ka prodhuar gjatë dy viteve përplasje me qeverinë e “Rilindjes” siç është pagëzuar prej të vetëve dhe kundërshtarëve që e përdorin me ironi, është ajo e një populisti të majtë. Në programin e shpalosur te libri “Letër një socialisti”, Blushi flet për rritje pagash, ndihmë ekonomike dhe ndryshim në sistemin e taksimit. Ai e quan “paketa e dinjitetit” (edhe pse pak a shumë është përdorur nga të gjitha qeveritë në vend) dhe premton përmes saj pikërisht dyfishim të ndihmës ekonomike “në jo më pak se 10 mijë lekë”. Të ardhurat për këtë Blushi i nxjerr në mirëmenaxhim por edhe në ndryshimin e skemës së taksimit progresiv që do të synojë të taksojë deri në 40 për qind ata që fitojnë më shumë se 20 milion euro.

Por edhe më herët Blushi është rreshtuar në krah të të “varfërve”. Fjalimet e tij në kuvend që prej momentit që filloi përplasjen me Ramën dhe Rilindjen kanë pasur këta të fundit në qendër. Ai pati adoptuar të njëjtën gjuhë si opozita për të sulmuar për shembull atë që Rama e pati pagëzuar si reforma në energjetikë. “Masat i kanë hequr të vetmen liri që garanton rendi i mjerimit: lirinë për të abuzuar pak, çka ata besojnë se duhet të jetë legjitime, në një sistem ku të pasurit abuzojnë shumë”, shkruante Blushi një vit më parë duke kritikuar lëvizjet e qeverisë si masa ndëshkuese. Nga ana tjetër Blushi pati shfaqur haptazi miratimin e tij për Aleksis Tsipras dhe frymën e tij antisistem. Fakti që Tsipras u kthye me këmbë në tokë prej realitetit ekonomik dhe madje po zbaton masa më të ashpra se sa paraardhësit e tij është lënë në harresë për hir të “antisistemit”. Ish-deputeti i PS-së madje shkoi deri aty sa të përpiqej të vendosej edhe në llogoren anti-europianiste që kanë shfaqur ekstremet antisistem prej Syrizas në Greqi, te Pesë Yjet në Itali, Podemos në Spanjë (majtas) apo UKIP në Britani, Fronti Nacional i Le Pen në Francë e AFD që po i jep dhimbje koke Angela Merkelit në Gjermani (djathtas). Të dy krahët e ekstremeve edhe pse kanë gjetur fajtorë të ndryshëm për problemet ekonomike të Europës (të majtët kapitalizmin dhe të djathtët emigracionin dhe refugjatët), janë bashkë në qëndrimet e tyre kundër Bashkimit Europian. Ashtu si shumë prej këtyre forcave ekstreme Blushi fajëson Gjermaninë dhe Angela Merkel për situatën, madje duke vizatuar me fjalë një karikaturë të Berlinit e ngjashme me atë që mbanin protestuesit e Syrizas apo përdorën tabloidët grekë në kohën e krizës”, shkruan Mapo.

Por, kjo gazetë thotë se këtë model e ka ndjekur fillimisht Kreshnik Spahiu dhe dështoi në mënyrë spektakolare:

“Qasja e tyre drejt ekstremit dhe njëkohësisht antisistemit është në modë në Europë dhe në botë, por fati i saj nuk është aq i qartë. Kreshnik Spahiu, nga një stad më i ulët, u nis mbi premisa të ngjashme dhe madje i shtoi edhe nacionalizmin çështjes së vet, por dështoi rëndshëm në zgjedhjet e shkuara dhe thuajse u shkri dhe u kthye në qesharak.

Përtej kësaj dalja në skenë e forcës së re që në retorikë i ngjan ekstremit të majtë alla Syriza, por që synon të përfaqësojë të pakënaqur në të dy krahët mund të ndryshojë skemën politike në Shqipëri edhe pse ashtu siç shkruan Blushi, vetë po del prej të njëjtit kazan”.

4 komente në “Ben Blushi drejt një partie të ekstremit të majtë komuniste (dhe shembulli i Kreshnik Spahiut që duhet ta trembë)”

  1. neritan says:

    Po perpiqesha te lexoja shkrim-analizen. por gjeja qe me ra ne sy eshte qe spo gjej autorin qe e shkruajti. Nuk ka asnje shenim qe te na thote nese eshte editorial apo jo. Mendoj qe nje analize e tille do nje autoresi te forte, o ndonje profesor te ndoruaruar, o ndonje person publik qe i ka peshe zeri ose zeri i linjes editoriale. Nese eshte ndonje nga gazetaret e Temes i bie qe i keni vene nje peshe te madhe mbi supe.

  2. erion says:

    Për mendimin tim blushi është alla peppe grillo i cili zgjedhjet e radhës në itali i fiton 5 stelle. Edhe Shqiptaret kanë nevoje për një parti të tillë.,e cila në momentin që kuptohet se,”Mero Base”është i korruptuar përjashtohet nga partia.

  3. maks says:

    do te behesha me cdo parti qe ne programin e saj te vej denimin e te gjith atyre qe e cuan shqiperin ne kete gjendje ata qe vodhen ne emer te demokracise ata qe e dhan pasurin kombetare me koncesion miqve te tyre dhe qe e kthyen vendin ne nje republik bananesh

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje