Tyson Fury është në rënie të lirë. Boksieri anglez ka humbur kontrollin e jetës së tij. Një gjë e dhimbshme për t’u parë dhe për t’u dëgjuar. Harroni mburrjen e tij për përdorimin e kokainës (“kam konsumuar një mal me kokainë”). Disa muaj më parë ai ishte Mbreti Cigan i Botës, heroi i papritur nga Mançester që u shpall kampion i botës i peshave të rënda në boks pasi mundi Wladimir Klitschko. Tani, thjesht një ish-kampion bote i peshave të rënda. Në një intervistë tronditëse të dhënë për revistën “Rolling Stone”, ai ka zbuluar se: “Jam një maniak depresiv. Thjesht shpresoj që dikush të më vrasë para se të vras veten. Po kërkoj ndihmë, por askush nuk mund të më ndihmojë”.
“Jam shtyrë në limit. Nuk duroj dot më. Jam në një spital për momentin. Po takohem me një psikiatër. Thonë se jam bipolar (ulje dhe ngritje të theksuara të humorit ose gjendjes shpirtërore). Unë jam maniako-depresiv prej asaj që më kanë bërë. Gjithë ky m… prej boksit, prej titujve të fituat, për shkak se më kanë nënvlerësuar gjithmonë. Nëse do të mund të vrisja veten, dhe po të mos isha i krishterë, do ta bëja sa hap e mbyll sytë. Shpresoj që dikush të më vrasë para se të vras veten përndryshe do të më duhet ta kaloj përjetësinë në ferr. Kjo është gjithçka. E urrej boksin. Nuk do të kaloja as rrugën për të parë një përballje për titullin e kampionit të botës”.
“Kjo është ajo që më kanë bërë. Nuk dua as të zgjohem. Shpresoj të vdes çdo ditë. Dhe kjo nuk është normale kur ke tre fëmijë dhe një grua të bukur, apo jo? Por unë nuk dua të jetoj më. Ajo që kam unë nuk mund të shërohet. Nuk ka rëndësi sa para ke apo sa i famshëm je, nëse nuk je i lumtur. Dhe unë nuk jam i lumtur”, ka thënë Fury. Të hënën ai lajmëroi tërheqjen e tij nga boksi me një mesazh në Twitter dhe ka përgënjeshtruar gjithçka tri orë më vonë. Një gjest që është kritikuar nga dashamirësit e boksit në të gjithë botën, me 28-vjeçarin që është përkufizuar si “një turp për sportin”.
Tani ka ardhur një rrëfim i dhimbshëm, që duket më shumë si një thirrje për ndihmë. “Më kanë persekutuar qëkur kam fituar titullin e kampionit të botës për shkak të prejardhjes sime, për atë që jam dhe për atë që bëj. Ka një urrejtje ndaj ciganëve në botë. Veçanërisht në Britaninë e Madhe. Ata kanë fituar. Unë nuk po kaloj një moment të mirë dhe nuk e di se çfarë do të ndodhë me mua. Nuk e di nëse do ta kaloj këtë vit. Nuk mund të shikoj një dritë në fund të tunelit”. Për momentin, nuk ka dritë. Vetëm errësirë. Një errësirë shkatërrimtare. Tyson Fury ka nevojë për ndihmë./Telesport