Puna e policisë po pengohet nga të gjitha drejtimet, dhe me sa duket lufta kundër krimit, trafikut të drogës dhe trafiqeve të tjera ka prekur shumë “tela” në Shqipëri.
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri për të disatën ditë rresht po përpiqet që të evidentojë punën e policisë në luftën kundër krimit, trafikut të drogës dhe të trafiqeve të tjera, përballë pengesave që po dalin një pas një nga të gjithë segmentet që po tentojnë ta mbysin këtë luftë që në themel.
Kështu ditën e sotme ministri Tahiri akuzoi Prokurorinë se po hedh baltë mbi punën e Policisë së Shtetit. Duke shfrytëzuar daljen publike gjatë ceremonisë së prezantimit të automjeteve elektrike për Policinë e Shtetit, Tahiri këmbënguli se po sulmohet puna e policisë si nga opozita, media ashtu edhe nga Prokuroria.
Ministri i Brendshëm nënvizoi fort se burime pranë Prokurorisë janë bërë si “Qytetari Dixhital”, duke ironizuar kështu me termin e ish-kryeministrit Sali Berisha për informatorët e tij në rrjetet sociale.
“Fronti i së keqes ka shkuar shumë përtej se SHQUP-i, te media, edhe burime të Prokurorisë janë bërë si “Qytetari Dixhital”. Edhe sot e gjejnë të bëjnë diçka për të bërë punën pis të policisë. Do të dalë ndonjë portal, ndonjë gazetë që të hedhë baltë mbi punën tonë. Është shenjë e dëshpërimit të atyre që nuk pajtohen me rezultatet tona.
Kanë zgjedhur të luftojnë policinë. Çdo akuzë dhe çdo përbaltje është mundësia më e mirë për të konfirmuar se po bëjnë punën e duhur”, u shpreh Tahiri.
Ndërkohë që pas kësaj deklarate të fortë, ministri i Brendshëm ka evidentuar garancinë e automjeteve elektrike. Pasi prej ditës së sotme Policia e Shtetit do ketë në përdorim automjete elektrike, një risi kjo e këtij lloji në vendin tonë. Ministri i Brendshëm, Tahiri tha se makinat elektrike garantojnë mjedisin dhe janë më ekonomike se ato me karburant.
“Janë automjete ekologjike të cilat nuk emetojnë në mjedis, por e garantojnë mjedisin. Janë makina ekonomike, për 100 km harxhojnë 120 lekë të reja. Ndërsa një makinë normale me karburant, shpenzon deri në 30 mijë lekë të vjetra për 100 km.
Është një kursim i paimagjinueshëm. Edhe vende të BE po nxisin makinat elektrike për qytetarët. Këto makina shpenzojnë 6 orë për karikim dhe mbrojnë mjedisin. Edhe ne kemi për detyrë të japim këtë shembull për makinat e policisë edhe për institucionet e tjera, për një mjedis më të shëndetshëm për ne dhe fëmijët”, tha Tahiri, duke e cilësuar një risi për policinë.