Ministrja e Mbrojtjes Kodheli në Kuvend: Gjetëm një institucion pa sigurim jete. Në Shërbimin Inteligjent, asnjë ish-punonjës Sigurimi

13 Tetor 2016, 16:13Politika TEMA

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli hedh poshtë akuzat e opozitës së në shërbimin informativ të ushtrisë (AISM), janë të punësuar ish-punonjës të Sigurimit të Shtetit. Gjatë diskutimit të saj në kuvend, ministrja e Mbrojtjes garantoi se nga tetori i vitit 2013, e deri më sot, tek kjo agjenci janë emëruar vetëm 18 persona civilë dhe të tjerët janë ushtarakë dhe ish-ushtarakë që kanë pasur lidhje me këtë shërbim. Mosha mesatare e këtyre 18 personave është 33.5 vjeç dhe kjo tregon se nuk kanë të bëjnë me veprimtari të tjera të mëparshme, sepse nuk e kanë pasur dot këtë mundësi”.

Sipas Kodhelit mendimi që po i bëhet ligjit për sigurimet shoqërore thjeshtë dhe vetëm vendos në vend një të drejtë, e cila duhej të ishte vënë në vend kohë më përpara, që me ligjin 117 të vitit 2012, të miratuar asokohe nga qeveria e mëparshme. Ligj, i cili në nenin 52 të tij nuk u zbatua kurrë për shkak të të gjithë mungesës së akteve nënligjore të mbetura pezull dhe të bëra kështu në këtë mënyrë të pazbatueshme për sigurimet shoqërore”.

Ministrja theksoi se ndryshe nga koha e qeverisjes së PD, këto tre vjet numri i punonjësve të Shërbimit(AISM) është ulur sepse nuk ka më emërime nepotike.

Sipas saj, sot kjo strukturë është reduktuar në 45 punonjës, prej të cilëve vetëm 10 janë civilë.

Ministrja Kodheli ka prekur edhe një temë tepër të nxehtë, atë të sigurimit të jetës të ushtarakëve në pozicione pune me rrezikshmëri apo në misione, që në qeverisjen e PD as që bëhej fjalë, ndërsa tani janë të siguruar me ligj.

“Nëqoftëse deri dje, ushtarakët apo civilët e rënë në detyrë të FA apo Ministrisë së Mbrojtjes kanë qenë të pasiguruar, sot, ata janë të siguruar kudo që ata janë në misione. Ju kujtoj vetëm një detaj të thjeshtë që, jua rikthej në vëmendje të gjithë qytetarëve (se ndofta kjo gjë ju ka shpëtuar dhe nuk ka qenë asnjëherë prezent) se me rënien në detyrë të kapiten Voglit në Afganistan (dëshmor i Atdheut) është marrë një Vendim i Këshillit të Ministrave i cili i ka akorduar familjes, një shumë prej 5 milionë lekësh.

Sot, nuk ka nevojë që kjo gjë të bëhet, se, me një Vendim të Këshillit të Ministrave të disa kohëve të mëparshme, ushtarët tanë që janë në mision, janë të siguruar në raste dëmtimesh, plagosjesh, apo humbje jete.  Ata përfitojnë 10 milionë lekë të reja. Për të mos thënë për detyra akoma më të vështira siç është detyra e pilotëve, sigurimi i të cilëve, pas humbjes së jetës së tyre, familjet e tyre kanë fituar 18 milionë lekë të reja për çdo familje. Kjo vetëm për të treguar rritjen e vëmendjes, të përkujdesjes ndaj  këtyre njerëzve që ushtrojnë  detyrë të vështirë”, deklaroi Kodheli.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje