Një anketim i kryer nga Komiteti Demokrat për Fushatat e Kongresit (DCCC) ka treguar se Suzanna Shkreli është tashmë vetëm 6% larg kongresistit republikan Mike Bishop.
Rezultati 47%-41% është dëshmi e fushatës së suksesshme të 29-vjeçares që mund të bëhet shqiptaro-amerikanja e parë në Kongresin amerikan.
Një muaj më parë, Bishop udhëhiqte 53%-34%, që ishte shenja e parë se Shkreli ishte afruar mjaftueshëm për një kandidate që hyri me vonesë në garë dhe që njihej shumë pak nga banorët e zonës. Brenda një muaji, kongresisti ka rënë 6%, ndërsa kandidatja demokrate është rritur me 7%.
Po ka edhe lajme të tjera të mira për ndihmës-prokuroren e re. Sipas të njëjtit anketim Hillary Clinton do të fitonte në këtë zonë 44%-37%, po të bëheshin zgjedhjet sot. Domethënë, prirja e zonës është që të shkojë drejt demokratëve dhe kjo mund të ndihmojë Shkrelin. Mes votuesve të pavendosur, Clinton ka 24% më shumë se Donald Trump.
Shqiptaro-amerikanja ka mbëritur deri këtu pa ndonjë ndihmë të jashtëzakonshme nga Partia Demokrate, por ky anketim i fundit mund ta bindë DCCC që financojë një reklamë televizive në favor të saj për ta bërë më të njohur në zonë dhe për të mobilizuar demokratët.
Sipas “Daily Kos”, kur DCCC ka botuar sondazhe të ngjashme në zonën 49 elektorale në California dhe në zonën 3 në Kansas, komiteti ka vijuar me financime reklamash televizive në ndihmë të kandidatëve demokratë. Nuk është çudi që anketimi edhe këtu të sinjalizojë sulmin e madh televiziv, me mbështetje financiare nga partia. Fondet kombëtare janë aty por ka shumë konkurrencë mes kandidatëve të të njëjtës parti për të marrë një pjesë. Shkreli me punën e saj duket se e ka merituar. Zgjedhjet janë tani vetëm 25 ditë larg. (Ruben Avxhiu)