Një Rishelje per shqiptarët dhe historia e deleve që u çarmatosën në shenjë “mirëbesimi”

16 Tetor 2016, 20:25Blog TEMA
Një Rishelje per shqiptarët dhe historia e deleve që u

A janë popujt dhe a jemi ne gjithmonë aq të mençur sa të mos jemi delet, pra të mos bëhemi potencialisht viktimë duke hequr qentë që na ruajnë, në shenjë “mirëbesimi” për një paqe të rrejshme? Se historia ka treguar që ujqër as nuk kemi qenë, as nuk jemi dhe kam frikë që as nuk do të jemi, kështu si shkojnë punët!

Nga Linda Karadaku

Kardinali Rishelje, kryeministër i Francës, prifti katolik dhe besimtar që ngriti doktrinën e shtetit mbi të gjitha, e quajtur Raison d`État, përmes Testamentit te tij Politik, ishte më shumë se një personalitet interesant. Ai përfaqëson modelin e shtetarit që ngre shtyllat e shtetit të vet brenda dhe jashtë vendit, duke forcuar pushtetin e mbretit brenda dhe rolin e Francës jashtë, në Evropë. Besimtar i devotshëm në praktikimin e ritualeve fetare dhe laik po aq i devotshëm në bërjen e detyrave shtetërore. Interesat nacionale franceze mbi të gjitha, kjo ishte baza e doktrinës së tij të suksesshme që nuk bazohej vetëm te forca e shpatës si e tillë, por pikë së pari nga forca e arsyes, e mendjes dhe propogimi i ideve dhe politikave. Dinakëria dhe mençuria kishin sukses aty ku nuk ishte shpata. I njohur si themeluesi i teorisë së ruajtjes së ekuilibrit te forcave/fuqive në Evropë, kur Kardinali vdiq, Papa i atëhershëm Urban i Tetë tha: “Në rast se ka Zot, Kardinali Rishelje do të ketë shumë për të dhënë llogari. Në rast se nuk ka…atëherë ai paska pasur sukses në jetë.” Dhe Kardinali pati sukses! Teoria e tij e ekuilibrit te forcave në Evropë, edhe pse nën fasadën e Bashkimit Evropian, vazhdon të sundojë.

Dhe ne të vegjlit jemi pjesë e kësaj peshoreje, e cila është reformuar apo ndryshuar herë pas herë nga ndërhyrjet e domosdoshme të politikës amerikane, në momente vendimtare, e cila është bazuar në parimin e paqes së drejtë. Presidenti Wilson shkruante pak para luftës së parë botërore: “Cështja nga e cila varet plotësisht paqja dhe politika e ardhme e botës është kjo: a është lufta e sotme një luftë për një paqe të drejtë dhe të sigurt apo vetëm për një ekuilibër të ri force? Nuk duhet të ketë ekuilibër force, por bashkësi force, jo armiqësi të organizuar, por një paqe të përbashkët, të organizuar.” Dilema midis ekuilibrit te forcave në Evropë dhe paqes së drejtë dhe të sigurt, paqes së përbashkët dhe të organizuar vazhdon të mbetet. Dhe përsëri, ne të vegjlit jemi në mes dhe jemi të detyruar t’i bëjmë të dyja, të respektojmë dhe të kemi kujdes nga ky ekuilibër forcash, duke gjetur dhe ruajtur partnerët dhe aleatët dhe duke luftuar dhe kërkuar për vete dhe për të tjerët paqen e drejtë dhe të organizuar siç është anëtarësimi në NATO dhe përpjekja e më shumë se dy dekadave për tu anëtarësuar në BE.

Dhe në këtë peshore të ekuilibrit të forcave dhe paqes së drejtë, neve, më shumë se gjithçka ndoshta na duhet një Rishelje, që të vërë në bazë të punës së vet ndërtimin e shtetit dhe të bëjë gjithçka për ndërtimin e shtetit në kuptimin e plotë të kësaj fjale, brenda dhe jashtë vendit. Një Rishelje që të ketë gati përgjigjen kur Serbia nanuritet si veshka mes dhjamit midis Perëndimit/BE/Amerikës dhe Rusisë dhe në të njëjtën kohë “flirton” me ne dhe kur Greqia na thotë “me delikatesë” se na del më mirë të bashkëpunojmë dhe na kërkon të jemi të kujdesshëm me çështjen came se na e kalon në të gjitha drejtimet, se “ka dhjetëfishin e GDP-së, sisteme të shumëfishta mbrojtjeje dhe sigurie, shumëfish forcë ekonomike,” siç tha ministri i jashtëm grek Kotzias. “T’i zgjidhim problemet me vendet që aspirojnë të aderojnë në Europë, përpara se të fillojnë negociatat me Bashkimin Europian,” tha ai, duke na kujtuar se deshëm apo nuk deshëm, do të na duhet të negociojmë me Greqinë për të marrë dritën e gjelbër për në BE. Dhe këtu rikthehemi tek peshorja e ekuilibrave të Evropës që nuk ka nevojë ta rikujtojmë se më shumë se një herë kanë qenë krejt në disfavorin tonë dhe për fat, në të drejtën tone, në rastin e Kosovës.

Nuk kemi shumë zgjedhje sepse ne vetë nuk jemi bërë gati për të pasur zgjedhje. E vërtetë, nuk kemi as fuqinë ekonomike, as ushtarake, as të sigurisë, as të diplomacisë dhe traditës së marrëdhënieve të hershme të aleancave siç i kanë fqinjët tanë. Por kemi një pozicion në këtë peshore, jemi aktor rajonal për nga numri I përgjithshëm I shqiptarëve që jetojnë në këtë rajon, pavarësisht se jetojmë në shtete të ndryshme dhe para se të bëhemi gati për të nxjerrë “shpatat” në diplomaci apo edhe përtej, do bënim mirë të unifikonim politikat, të balancojmë peshoren tonë nacionale, të bëhemi në një mendje dhe të dalim me një politikë të përbashkët nacionale në rajon dhe rajonale në Evropë. Jemi shumë pak për të dalë veç e veç dhe mundësia për të fituar të ndarë dhe të përçarë paqen e drejtë është shumë e vogël. Ja çfarë shkruan presidenti amerikan Rusvelt në vitin 1918: “Unë nuk kam dëshirë të luaj rolin që edhe Ezopi e kishte për t’u tallur kur shkruante sesi ujqit dhe delet vendosën të çarmatoseshin, dhe delet si garanci mirëbesimi, larguan qentë që I ruanin dhe sesi pastaj ujqit hëngrën delet.” A janë popujt dhe a jemi ne gjithmonë aq të mençur sa të mos jemi delet, pra të mos bëhemi potencialisht viktimë duke hequr qentë që na ruajnë, në shenjë “mirëbesimi” për një paqe të rrejshme? Se historia ka treguar që ujqër as nuk kemi qenë, as nuk jemi dhe kam frikë që as nuk do të jemi, kështu si shkojnë punët!

1 komente në “Një Rishelje per shqiptarët dhe historia e deleve që u çarmatosën në shenjë “mirëbesimi””

  1. Zonja Karadaku meriton perulesi per mendimet origjinale e te vlefshme per ata qe kane ne dore kontribute per te zgjedhur drejtimin qe do te marre Kombi yne. Nje konkluzion logjik qe jo vetem rrjedh nga theniet e cituara e nga historia boterore qe e ka vertetuar ate, por edhe si domosdoshmeri e thirrje per politikanet Shqipfoles: Ne nuk kemi fuqi te jemi te ndare e te percare as ne ide, as ne veprime praktike e te fitojme mbi aleancat e vjetra antishqiptare qe edhe sot kane e ne te ardhmen do te kene te njejtat synime ndaj nesh. Te gjithe aprovojme e na gezon veprimi i politikaneve shqiptare te Malit te Zi te cilet vendosen te hyjne te bashkuar ne zgjedhjet aktuale. Pse te mos bashkohen edhe zerat e politikaneve te Shqiperise e te Kosoves perballe fqinjeve, po behemi rober te cmires e viktima te luftes se brendshme politike? Pse te mos shfrytezojme kete moment te rendesishem qe rralle e sjell historia, kur perkrah kemi USA dhe BE? Jo, ne nuk jemi aq te shumte sa t’i leme ujqit ne kopene tone.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje