Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani teksa është ndalur në problemin e mbipopullimit në burgjet në vend, ka theksuar publikisht se burgu nuk është zgjidhje për gjithçka dhe jo kushdo për cdo shkelje apo gabim duhet të futet në burg.
Gjatë një konference për mediat, Manjani ka deklaruar se drejtësia penale ka ende shumë probleme dhe ai do të këmbëngulë deri në fund për përmirësime.
“Drejtësinë penale ma faturoni si mosarritje po të doni, por unë mendoj se burgu nuk është zgjidhje për gjithçka, por vetëm për ata persona që janë shoqërisht të rrezikshëm për shoqërinë, nuk është zgjidhja kap e fut në burg, kushdo që shpenzon ditë në burg për gabime, duke e futur në burg kemi futur në universitet kriminal, del nga burgu me zanat të ri.
Kjo nuk është politikë penale, unë i rri kësaj çështje me cdo kosto. Nuk jam kundër askujt do i rri deri në fund ekipit politik me cdo kosto, por për dy gram drogë trajtohesh njësoj si për 10 kg, burgu është izolim duhet ta kuptoni” tha Manjani.
Ai tha më tej se 500 persona që janë të identifikuar me sëmundje psiqike janë sot në burgje. “Unë nuk i kam 500 vende në burg për këta, këta duhet të ishin në institucione shëndetësore sipas ligjit dhe jo në burg” tha ai.
Ndërkohë që fjalën e tij, Manjani e ka vënë theksin tek ligji për kthimin dhe kompensimin e ish-pronarëve, i cili sipas tij ka hyrë në rrugën e duhur dhe po jep rezultat.
“Nuk janë shumë, por 34 ish-pronarë kanë mbyllur dosjet njëherë e mirë me shtetin shqiptar dhe quhen të kompensuar. Aktualisht jemi në fazën e mbylljes përfundimtare të procedurave të identifikimit dhe ky proces do të vazhdojë me të njëjtin ritëm. Në dritën e Komisionit të Venecias, kjo çështje ka marrë zgjidhje përfundimtare”, tha Manjani.
Më tej, ministri i Drejtësisë ka shprehur bindjen se Komisioni Europian do të japë një rekomandim për nisjen e negociatave të anëtarësimit, duke qenë se klasa politike, sipas tij, i ka përmbushur detyrat.
“Pasi kemi realizuar reformën në drejtësi, presim që ky rekomandim të jetë pozitiv. Është me rëndësi që askush të mos bllokojë zbatimin e reformës në drejtësi”, ka vijuar Manjani.
Sa i takon shërbimeve gjyqësore dhe të prokurorisë, ai ka theksuar se, “ato janë vendime ku unë nuk mund të ndërhyj, pasi mund të interpretohet si presion mbi gjyqtarin”.