Konsumatorët braktisin blerjet e mëdha

20 Tetor 2016, 12:34Ekonomia TEMA

Dobësitë e konsumatorëve për të blerë mallra të qëndrueshëm u thelluan edhe më shumë në tremujorin e tretë të vitit aktual. Banka e Shqipërisë në vrojtimin e konsumatorëve vërejti se balanca e konsumatorëve për blerje të mëdha shënoi rënien më të madhe që nga tremujori i parë i vitit 2015.

Balanca e blerjeve të mëdha nga konsumatorët shënoi -62 pikë përqindje, nga -60.9 që ishte në tremujorin e tretë.
Treguesi i besimit konsumator (TBK) ra me 0.5 pikë përqindje në tremujorin e tretë të vitit, pas përmirësimit të lehtë një tremujor më parë, raporton Monitor.

Banka e Shqipërisë  sqaroi se, balancat të cilat kontribuuan në kahun rënës për vlerën e TBK-së lidhen me pyetjet për situatën e të ardhurave dhe shpenzimeve (balanca ra me 2.8 pikë përqindje) dhe për blerjet e mëdha (balanca ra me 1.3 pikë përqindje).

Ndërkohë, dy balancat e tjera formuese të të besimit konsumator, situata e përgjithshme ekonomike e pritur në vend dhe situata financiare e pritur e familjes, shënuan rritje të lehta me përkatësisht 1.3 dhe 0.9 pikë përqindje.
Balanca të tjera nga vrojtimi i besimit të konsumatorit si blerjet e mëdha në të ardhmen, situata aktuale dhe e pritur e kursimeve shënuan rënie krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Kriza ekonomike dhe pasiguria për të investuar apo shpenzuar shuma të mëdha ka ulur shitjet e mallrave apo shërbimeve që kushtojnë dhe “rëndojnë” xhepat e tyre.

Në një kohë kur kursimi duket se është trendi i të gjithëve, individët kanë hezituar të shpenzojnë shuma të mëdha për blerjen e shtëpive, elektroshtëpiakeve, mobilieve, makinave, etj. individët janë gjithnjë e më pak të prirur të konsumojnë, e më tepër në investime të shtrenjta në një periudhë kur mungojnë garancitë për atë çka do të ndodhë më pas.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje