Doganat e rajonit, bashkëpunim për kontrollin që shmang armët e shkatërrimit në masë

21 Tetor 2016, 13:57Kronika TEMA

Shqipëria, Mali i Zi, Kosova, Serbia dhe Maqedonia synojnë krijimin e një sistemi kontrolli eficent për mospërhapjen e armëve të shkatërrimit në masë.

Administratat doganore janë mbledhur në Tiranë për të shkëmbyer praktikat më të mira dhe legjislacionet e vendeve pjesëmarrëse.

Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave Belinda Ikonomi tha se “Shqipëria mirëpret të tilla aktivitete, të cilat gjithnjë krijojnë mundësi për shkëmbimin e eksperiencave më të mira, që më pas do të ndihmojnë në kapërcimin e këtyre sfidave”.

Gjatë punimeve të takimit rajonal, mbështetur nga Bashkimi Europian, Ikonomi garantoi angazhim maksimal të Administratës Doganore, jo vetëm në këtë fazë të trajnimit për identifikimin e mallrave me përdorim të dyfishtë, por veçanërisht në zbatimin e këtyre njohurive në punën e përditshme në dogana, ç’ka lidhet ngushtë me rritjen e sigurisë dhe mbrojtjen e konsumatorit.

Duke qenë se Administrata Doganore është një nga strukturat kyçe në kontrollin e eksporteve, Drejtoresha Ikonomi bëri të ditur se doganat në bashkëpunim me Autoritetin Licensues kryejnë inspektime të përbashkëta në pikat doganore dhe komunikojnë rregullisht për të përmirësuar sistemin e kontrollit.

Ndërkohë Dogana ka të integruara në profile risku mallrat me përdorim të dyfishtë dhe vijon përmirësimin e këtyre praktikave.

Ndërsa i shprehu mirënjohje për mbështetjen e dhënë përfaqësuesit të Bashkimit Evropian Eric Martin dhe Koordinatorit Rajonal Matjaz Murovec, Drejtoresha e Doganave nënvizoi se “Shqipëria si vend anëtar i NATO-s dhe aspirant për anëtarësimin në Bashkimin Europian është tërësisht e angazhuar në respektimin principeve të BE-së, gjatë transferimeve të këtyre mallrave dhe detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi në Marrëveshjet Ndërkombëtare të mospërhapjes së armëve të shkatërrimit në masë”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje