Xhepa dhe Minxhozi: Ja pse duhet pakti për reformizmin

22 Tetor 2016, 15:15Politika TEMA

Xhepa: Partitë, të kuptojnë se politikat dritëshkurtra dhe populsite prodhojnë më shumë kosto

Profesori i Ekonomisë në UET, Selami Xhepa, është një prej propozuesve të Paktit për Reformizmin, një nismë e një grupi pedagogësh të Universitetit Europianin të Tiranës, që synon të “pajtojë” partitë politike në Shqipëri në një konsensus kombëtar mbi një sërë reformash që mund të mos jenë joshëse mjaftueshëm, por që sipas propozuesve do të ndihmonin në përmirësimin e qeverisjes dhe shoqërisë.

Çfarë është pakti për reformizmin?

Pakti për reformizmin është një ftesë publike që një grup profesorësh i drejton klasës politike të vendit për t’u dakordësuar mbi një paketë reformash të domosdoshme për shoqërinë, për jetën politike, ekonomike dhe sociale. Shqipëria ka shënuar një progres të padiskutueshëm deri më sot; jeta e vendit është transformuar në një mënyrë rrënjësore. Por, shpejtësia dhe cilësia e ndryshimeve jo rrallë janë kompromentuar nga qasjet afatshkurtra të politikës, masat populiste të shpalosura në programet elektorale që më pas mbajnë peng politikëbërjen në funksion të interesave më afatgjatë të vendit. Pakti për reformizëm nënkupton që forcat politike arrijnë në një konsensus për parimet themelore të reformave madhore që i pret jeta politike ekonomike dhe sociale e vendit, duke lejuar diversitetin ideologjik të çdo force të majtë apo të djathtë në qasjen konkrete të adresimit të një problemi. Në këtë kuptim, reformat që mund të kenë kosto sociale dhe politike të mos jetë e mundur të kapitalizohen nga njëra forcë në kurriz të një force tjetër, ashtu sikurse kostot e saj të mos paguhen vetëm nga forca që i ndërmerr ato.

Pse ky pakt dhe pse tani?

Kryerja e reformës në sistemin e drejtësisë mendoj se është një shkollë e rëndësishme për klasën tonë politike. Së pari, ajo dëshmon për domosdoshmërinë që ka vendi për të hyrë në një fazë të re të zhvillimit të demokracisë dhe forcimit të institucioneve të saj, dhe nga ana tjetër, dëshmoi se klasa politike ka mundësi të bashkëpunojë kur bëhet fjalë për reforma madhore. Në rastin konkret, prezenca dhe shtysa e fortë e faktorit ndërkombëtar ishte kritike. Por duke marrë shkas nga ky episod, mendojmë se klasa jonë politike duhet të vazhdojë të tregojë maturi dhe pjekuri që të demonstrojë se ajo vetë, me iniciativën e saj është e gatshme të zhvillojë frymën bipartizane të reformave madhore. Së dyti, vendi ka akumuluar probleme sfiduese, madhore, të cilat nëse nuk adresohen në një mënyrë të gjerë dhe sa më konsensuale, do të vazhdojnë të mbajnë vendin të ngërthyer në kurthin e nënzhvillimit, të një vendi me institucione të dobëta demokratike, me një ekonomi të dobët dhe jokonkurruese dhe një shoqëri të polarizuar. Kjo do të minonte seriozisht perspektivat që vendi të shndërrohej në një vend të zhvilluar dhe një shoqërie të emancipuar perëndimore. Në një kuptim, mund të them se ky është një Pakt për Shqipërinë si një vend i zhvilluar. Historia e kohëve tona moderne na dëshmon se mjaft vende i kanë nisur proceset demokratike dhe të ekonomisë së tregut, por sërish ato nuk e kanë kaluar dot cakun e vendit në zhvillim. Këto kanë rrezikuar pastaj vetë rendin social dhe politik. Prandaj, sërish theksoj se kryerja e disa reformave të rëndësishme, madhore, janë më shumë rëndësi për të ardhmen demokratike të vendit.

Pse iu bashkuat ju këtij pakti?

Mendoj se zhvillimi i vendit është një interes i madh publik, ku çdo aktor duhet të thotë fjalën e vet. Sigurisht politika ka një rol drejtues në proceset dhe reformat e vendit, por kjo nuk çliron nga detyrimi grupet e tjera shoqërore, që dhe ata të thonë fjalën e tyre. Veçanërisht kur bëhet fjalë për ngërçe të mëdha të jetës publike në vend, apo kur udhëkryqet në të cilat ndodhet vendi janë të dukshme dhe me pasoja serioze në rast mosveprimi.

Çfarë do i sjellë shoqërisë diskutimi i këtyre pikave?

Stabilitet të politikave, institucione të qëndrueshme, politika me objektiva afatgjatë dhe larg presioneve populiste – këto mendoj se duhet të jenë edhe produkti kryesor që mund të rezultojë nga debati publik.

Si do ta vini në jetë dhe do ta bëni efikas?

Pakti për Reformizëm është një ftesë për debat publik dhe mendoj se do të varet shumë nga shkalla e përfshirjes në debat, nga shumësia e aktorëve, nga serioziteti me të cilin forcat politike do të dëshirojnë të angazhohen në këtë proces dhe mënyra se si ato do të reagojnë në ndërtimin e programeve elektorale në zgjedhjet e reja që po afrojnë. Këtë proces të debatit publik ne do ta zhvillojmë sa në auditorët tanë me të ftuarit tanë të përjavshëm nga bota e politikës dhe dijes, edhe në median kombëtare dhe lokale, duke ftuar sa më shumë pjesëmarrje në diskutimet e këtyre tema me rëndësi për të ardhmen e vendit.

A besoni që partitë politike shqiptare kanë vullnet të bashkohen me këto kauza që ju i quani jopopuliste?

Edhe partitë politike ka ardhur koha të kuptojnë se politikat dritëshkurtra, elektorale dhe populsite, më shumë prodhojnë kosto për vetë forcën politike dhe për vendin në tërësi. Edhe qëllimet më të mira që mund të kenë forcat politike, nuk kanë zgjidhje të lehta dhe pa kosto për disa grupe shoqërore. As zgjidhje të natyrës “revolucionare” nuk mund të gjenden. Zgjidhjet duhen gjetur te veprimi i përditshëm i aksionit politik, i cili nuk është shumë i dukshëm për publikun votues sot. Zhvillimi i qëndrueshëm është një proces evolutiv, i lodhshëm, jo shumë popullor në disa raste, por që garanton një të ardhme më të sigurt për vendin. Mos harrojmë se zhgënjimet e mëdha popullore nga politikat tradicionaliste, konfliktuale, populiste kanë prodhuar një rezistencë të fortë të qytetarëve me establishmentin politik tradicional dhe i ka dhënë shtysë shfaqjes së partive ekstremiste, zgjidhjet e ofruara prej të cilave vetëm se do ta zgjasin agoninë e kombeve. Shihni se çfarë ndodh te fqinj ynë, Greqia.

A mendoni se do të ketë dhe gjej përkrahje në opinionin publik?

Nëse diskutimi mbi këto tema nuk do të arrijë të prodhojë shumë vëmendje nga publiku, atëherë do të thotë se nuk kemi arritur të gjejmë shqetësimet e shoqërisë sonë siç duhet. Ose se ndoshta shqetësimet që ne ngremë janë të ekzagjeruara. Mbetet për t’u provuar në ditët dhe javët e ardhshme.

Cilat janë reformat urgjente që duhet të ndërmarrë Shqipëria?

Ne nuk ndalemi në raste specifike reformash, por në një lloj aksioni politik për të rishikuar politikat e ndërmarra gjatë këtyre viteve dhe për të ndërtuar një tërësi parimesh që të shërbejnë si piketa të pacenueshme në të ardhmen. Për shembull, në fushën e ekonomisë dhe atë sociale ne ngremë një sërë shqetësimesh që prej kohësh janë shqetësuese, të tilla si zhvillimi i qëndrueshëm, punësimi, mbështetje për sipërmarrjen private, konkurrencë të ndershme mes aktorëve ekonomikë, përfshi dhe ofrimin e shërbimeve publike, ndëshkim të mosaktivizimit të aseteve ekonomike etj. Të gjitha këto fusha, bashkë me nevojën për të gjetur zgjidhje të përshtatshme për ndërtimin e një administrate publike të nivelit të lartë të qëndrueshëm, një ruajtje dhe zhvillim të vlerave politike të shoqërisë etj., duhet të debatohen, duke mos u kufizuar vetëm te disa ide që ne kemi paraqitur për secilën prej tyre, por edhe ide të tjera alternative. Shumë prej këtyre temave janë në debat dhe ne duam të krijojmë një rifuqizim të këtyre debateve për të prodhuar politika dhe reforma më të mira dhe më të qëndrueshme për ekonominë dhe shoqërinë e vendit.

 

Minxhozi: Të formulohen reforma të projektuara për zgjidhje më strategjike

Për profesoreshë Luljeta Minxhozin Pakti për Reformizmin është një “iniciativë e një grupi akademikësh, një mundësi e mirë për të kontribuar në krijimin e një fryme të një debati konstruktiv”. Ajo beson se hedhja e këtij propozimi do të angazhojë shoqërinë në debat mbi çështje që përndryshe marrin zgjidhje afatshkurtra ose zgjidhen në mënyrë kontradiktore. 

Çfarë është pakti për reformizmin?

Është një ftesë që një grup akademikësh i bëjnë shoqërisë civile për të kontribuar në gjetjen e zgjidhjeve sa më racionale të sfidave dhe dilemave të zhvillimit, që i dalin përpara shoqërisë shqiptare sot. Procesi i transformimit ekonomik dhe shoqëror në të cilin është përshirë shoqëria jonë në këtë periudhë 25-vjeçare, shpesh ka ngecur dhe zgjidhjet qe i janë ofruar për të çliruar këtë ngecje, kanë qenë të pamundura ose të diktuara nga kushte apo rrethana afatshkurtra. Kjo ka krijuar jo rrallë situata kur reformat e projektuara për t’i dhënë zgjidhje një problematike ekonomike apo shoqërore, të kenë qenë kontradiktore me reformat e kryera më parë. Kështu që ne mendojmë që duhet gjithnjë të formulohen reforma të projektuara për zgjidhje më strategjike të problemeve të zhvillimi ekonomik dhe atij shoqëror.

Pse ky pakt dhe pse tani?

Mendoj që aktualisht shoqëria shqiptare është përfshirë në një proces të gjerë reformimi. Shumë nga sektorët themelore të shoqërisë që janë edhe jetikë për të siguruar rritjen ekonomike dhe mirëqenien janë në një proces reformimi të thellë. Përmendim këtu Reformën për Drejtësi por edhe reformën në arsimin e lartë apo përpjekjet për të reformuar sistemin fiskal. Është pikërisht momenti që në këtë proces të hartimit dhe zbatimit të këtyre reformave të përfshihen sa më shumë aktorë nga shoqëria civile dhe grupet e interesit. Debatet midis tyre do të ndihmojnë që reformat të jenë eficiente dhe të çojnë në zgjidhje të problemeve dhe jo në bllokime të progresit në Shqipëri.

Pse iu bashkuat ju këtij pakti?

Dëshira e secilit prej nesh që jetojmë në këtë vend do të ishte një Shqipëri më e prosperuar. Por nga ana tjetër secili nga qytetarët e këtij vendi e ka mundësinë që të japë kontributin e tij për ta siguruar këtë prosperitet të munguar. Kjo iniciativë e një grupi akademikësh është një mundësi e mirë për të kontribuar në krijimin e një fryme të një debati konstruktiv i cili të ndihmojë në formulimin e zgjidhjeve sa më të drejta për sfidat me të cilat përballet ekonomia dhe shoqëria.

Çfarë do i sjellë shoqërisë diskutimi i këtyre pikave?

Unë besoj fort që problematikat e ngritura në dokumentin e Paktit për Reformizmin shprehin shqetësimet e shumicës së shoqërisë, kështu që ky debat që ne mendojmë të iniciojmë do të përfshijë rreth vetes shumë palë të interesuara. Besoj që shqetësimet e vazhdueshme të shtresave të ndryshme të shoqërisë, që janë prezent vazhdimisht në forma të ndryshme të debatit publik, do të gjejnë në këtë iniciativë një “platformë” të specializuar dhe profesionale për të debatuar jo vetëm rreth aktualitetit por ajo që është më e rëndësishme për të debatuar rreth gjetjes së zgjidhjeve më të mira për të zhvilluar ekonominë dhe demokratizuar shoqërinë.

A besoni që partitë politike shqiptare kanë vullnet të bashkohen me këto kauza që ju i quani jopopuliste?

Më duket e vështirë që kjo të ndodhë shpejt. Deri tani partitë i kanë përdorur shpesh kauzat e zhvillimit dhe sfidat që ato prodhojnë si instrumente për të fituar vota dhe elektorat. Por besoj që iniciativa për të nxitur debatin e vërtetë të shoqërisë civile për sfidat e zhvillimit dhe barazisë shoqërore do t’i zbehin këto përfitime “populiste” afatshkurtër të partive politike.

A mendoni se do të ketë dhe gjej përkrahje në opinionin publik?

Unë besoj se po. Pakti është një thirrje drejtuar të gjithë shoqërisë për të diskutuar rreth problemeve që e kanë mbërthyer vendin tonë në kurthin e moszhvillimit. Këto probleme prekin interesat e të gjitha shtresave shoqërore, kështu që besoj edhe përfshirja në këtë debat do të jetë e gjerë.

Pakti thoni ju godet populizmin, cilat janë ato fusha më të prekura prej tij (populizmit) dhe si mendoni ta sfidoni atë?

Atë që ne e quajmë “populizëm” unë e shikoj si efekt të presionit të vazhdueshëm që i bëhet qeverive nga grupe të ndryshme interesash të veçanta, të cilët nëpërmjet partive politike bëjnë për të ndryshuar efektet e reformave në favor të tyre. Natyrisht që ky presion i grupeve të interesit dhe shoqërisë civile është jetik në një sistem demokratik. Po që presioni i shoqërisë civile të luajë këtë rol duhet të jetë i studiuar në mënyrë që të jetë i dobishëm për gjithë shoqërinë dhe jo për segmente të veçanta të saj. Shumë shpesh ndodh që partitë politike nga frika e humbjes së elektoratit bëjnë kauzë të tyre edhe shqetësime të grupeve të veçanta të shoqërisë dhe qeveria nën presionin e tyre devijon programin e saj në dobi të një grupi shoqëror të caktuar, duke cenuar ndoshta interesin e një grupi tjetër. Këto devijime qe ngjajnë më iniciativa populiste e ulin shumë eficiencën ekonomike dhe shoqërore të reformave.

Cilat janë reformat urgjente që duhet të ndërmarrë Shqipëria?

Synimi i Paktit për Reformizmin është nxitja e një debati që të rezultojë një zgjidhje për të siguruar sa më shpejt statusin e Shqipërisë – si një vend i zhvilluar. Kështu që unë besoj se reformat me urgjente janë ato qe sigurojnë një funksionim sa më të mirë të ekonomisë. Perspektivat rajonale dhe globale të ekonomisë sonë kërkon që ajo të jetë konkurruese dhe e mbështetur në inovacion e dije. Kështu duhet të mbështeten me prioritet sektorët e ekonomisë me avantazhe të shfaqura krahasuese. Krijimi i zinxhirit të vlerës së shtuar që krijojnë degët e mbështetura në avantazhe konkurruese dhe në dije e inovacion, janë një mënyrë e sigurt për të siguruar një vlerë të shtuar të burimeve të përdorura. Vetëm kështu Shqipëria do të siguronte një rritje ekonomike të shpejtë e më ritëm të lartë, që do ta shkëpuste nga moszhvillimi dhe do ta radhiste në grupin e ekonomive të përparuara.

2 komente në “Xhepa dhe Minxhozi: Ja pse duhet pakti për reformizmin”

  1. asritvetiu says:

    MUNGON SHPALLJA E MONARKISE NE VITIN 1928,si pakt konsensual i akademikeve te sotem

  2. krysho ludovik says:

    te gjitha keto nismat e henri (naim) cilit jane pak a shume keshtu
    henri fiton edhe shteti (lexo populli) paguan
    i lumte bytha edi rames sikur ps eshte perfaqesuese e kapitalit te madh e jo shtesave te majta.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje