KOMPROMISET NË DIKTATURË/Bashkim Ahmeti: Do bëja sakrifica për ta shpëtuar pikturën

27 Tetor 2016, 20:43Kulturë TEMA

Tare: Ju flisni me artin tuaj, por duam t’ju marrim mendimet mbi përjetimet tuaja, në shoqëritë ku jetoni si në SHBA por edhe këtu në Shqipëri? Përse vini shpesh në Shqipëri?

 

Arsyeja e parë është sepse kam mall dhe dashuri për atdheun, e dyta ndjehem mirë këtu kur vij gjithmonë. Shqipëria është mahnitëse për nga bukuritë që është frymëzuese kudo.Këtë verë kaluam disa muaj me gjithë gruan edhe lëvizëm nëpër Shqipëri, pikturova andej këtej dhe Shqipëria është piktura ime.Kështu që kjo është arsyeja kryesore.

 

 

Tare: A është Shqipëria burim frymëzimi për njerëzit që jetojnë jashtë saj apo edhe kur jeton në këtë vend?

 

Shqipëria është gjithmonë burim frymëzimi, mbase edhe kur je jashtë është më e theksuar kjo por besoj se edhe këtu njerëzit janë të frymëzuar dhe e duan vendin edhe natyrën edhe bukuritë e Shqipërisë. Jashtë ndoshta mendon më shumë për cilësitë e mira të Shqipërisë dhe vlerat e saj, historinë e bukur.

 

Tare: Për mangësitë mendon?

 

Për problemet mendon më pak me shpresën se koha do t’i zgjidhi kur nuk jeton këtu. Kur jeton këtu është më intensive dhe është më e vështirë t’i shohësh nga distanca.

 

Tare: Në këto më shumë se 20 vite demokraci në vendin tonë, ju e keni ndarë kohën, prej ’95 jetoni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si i keni parë zhvillimet në vendin tonë, edhe shoqërinë, ecurinë e artit në përgjithësi, ka ndonjë keqardhje kur e shihni nga larg?

 

Shumë gjëra janë bërë gabim, absolutisht nuk ka dyshim që shumë gjëra janë bërë gabim. Shumë gjëra mund të ishin bërë më mirë, një pjesë janë bërë keq, por kryesorja është që Shqipëria është ndryshuar në një Shqipëri tjetër, një Shqipëri e re, e zhvilluar, e bukur, me një rini të gjallë, të mençur, të ditur, janë aktivë. Kjo është kryesorja që unë dalloj kur i kthej sytë dhë përqëndrohem të Shqipëria.

 

Tare: E keni në përgjithësi këtë që e shikoni me ngjyra jetën, me optimizëm, me pozitivitet?

 

E kam të sinqertë dhe të thellë që e shoh me optimizëm. Koha do të bëj të vetën. Gjërat do të kalojnë, do të zgjidhen. Shqipëria jeton ditë të mira edhe pse duket sikur janë të errësuara me njolla të ndryshme. Unë mendoj që Shqipëria jeton ditë të mira.

 

Tare: Për shembull, keni dëgjuar të flitet për reformën në drejtësi, për vendimin për pezullimin e ligjit të Vettingut?

 

Është trishtuese që u zgjat kaq shumë, është dëshpëruese që akoma nuk po përfundohet por unë gjithmonë shpresoj që shumë shpejt do të përfundojë dhe do të sjellë transformime të mëdha në jetën e njerëzve. Në mos transformime të dukshme e bombastike unë jam i bindur që do të sjellë transformime në jetën e përditshme të njerëzve, në raporte me punën, pronën, drejtësinë me problemet e përditshme të njerëzve me ligjin. Shpresoj që kjo të jetë një ndryshim i madh për jetën në Shqipëri.

 

Tare: Si do ta pikturonit, përmes veprës tuaj një vend ku nuk ka drejtësi, një vend ku ka rreth 6 mijë të vrarë për pronat, ku ka gjyqtarë të korruptuar dhe kur korrupsioni është ngritur në institucion?

 

Nuk kam menduar kaq shumë për këtë dhe e vërteta është që nuk kam menduar as këto shifra  tronditëse që ju përmendët. Mesa duket shqiptarët kanë një eksperiencë të aranzhuarit të vetes me mungesën e drejtësisë, dhe si duket kjo ka bërë që shpirti i kombit të mbijetojë  edhe në këto situata edhe në këto shifra që ju përmendët. Populli shqiptar mbijetoi në ’97 që ishte një situatë kaotike e tmerrshme por njerëzit gjithsesi, pavarësisht nga humbjet të cilat mund të ishin një katastrofë e madhe e pazgjidhshme për Shqipërinë, mbijetuan edhe në atë situatë, u organizuan, mbajtën e mbrojtën njëri tjetrin. Kjo është arsyeja pse prap sheh optimizëm në rrugë.

 

A mendoni që këto probleme që kalon shoqëria shqiptare, këto dy dekada demokraci janë pasoja të diktaturës?

 

Jam absolutisht i bindur që këto janë rezultati i sistemit komunist i asaj mënyrë të të menduari. Është një pikpamje që ne kështu kemi qënë gjithmonë prej shekujsh. Kjo është përpjekja për t’i bërë një alibi regjimit diktatorial që në përjetuam, për ta marrë atë në mbrojtje , për ta hedhur fjalën të Perandoria Turke, Perandoria turke, Epoka e gurit.

 

Pra kërkojmë një faktor të jashtëm për gabimet tona?

 

Kjo nuk është e vërtetë. Ne kemi qënë me të gjitha vështirësitë e tmerrshme që ka kaluar kombi shqiptar. Dinjiteti,personaliteti kanë qënë më të qëndrueshme, më të forta edhe në rrethanat më të këqija. Situatat janë pasoja të regjimit komunist, të mënyrës së menduarit,edhe të një strategjie shkatërrimtare të periudhës post komuniste, për të rrëmbyer, për të grabitur.

 

Tare: Ju sot jeni piktor i suksesshëm. Ekspozitat tuaja shiten të gjitha. Sa ka ndikuar diktatura te arti juaj?

 

Me siguri ka ndikuar. Ndikimet në art nuk është se bëhen drejtpërsëdrejti. Ndonjëherë ato mund të jenë për mirë. Ndonjëherë ato mund ta bëjnë artin më të thellë dhe më të mendueshëm.Ndonjëherë mund ta bëjnë të përjetosh lirinë, dhe besoj kanë një pasojë pozitive nga jeta në diktaturë, pikërisht padurimi për të pritur lirinë dhe bindja që kjo është gjëja më e madhe që mund t’i ofrohet njeriut, veçanërisht një krijuesi, për të pikturuar e shfaqur atë që do.

 

Tare: Ju keni pasur mundësinë në këto vite të reflektoni mbi atë realitet, mbi Gjirokastrën e viteve të diktaturës. Sa ju ka penguar vetë çensura? Në ato kohë ju keni pasur dhe probleme, nuk qëndruat dot në Tiranë dhe shkuat në Gjirokastër. Sa ju është dashur të bëni kompromis për të bërë artin tuaj?

 

 

Isha i bindur vazhdimisht që unë do i largohesha pikturës dhe që do të bëja çdo lloj kompromisi njerëzor e të pranueshëm për ta mbijetuar pikturën.Sigurisht nuk do të dëmtoja të tjerët për të shpëtuar veten por do të bëja çdo lloj sakrifice.

 

Tare: Për shembull portretin e Enver Hoxhës?

 

Absolutisht as që diskutohej. E kam bërë disa herë. Ajo ishte porosia që të jepej. Nuk kishte mëdyshje që do ta bëja. Nuk duhej të kishe ndjenja dhe pasione që ta bëje. Mundoheshe ta bëjë mirë, sipas kërkesave, ti kënaqje ata që ta kishin porositur. Tek e fundit ne ishim artistë që jetonim me pagesën që na jepte shteti, i cili na porosiste.

 

Tare: Do ta kishe bërë edhe nëse nuk do ja kishin kërkuar, edhe për një lloj mbijetese artistike?

 

Ndoshta do ta kisha bërë por ndryshe, ashtu siç mendoj që është personaliteti i tij.

 

Tare: Si është?

 

Është një diktator që i solli kombit pasoja të tmerrshme.

 

Tare: Jeni kthyer në këto vite për ta bërë portretin e Enver Hoxhës?

 

Nuk kam bërë tabllo. Në atë kohë unë nuk kam qënë portretisti i Enver Hoxhës, nja dy të vogla kam bërë dy herë. Madje kam bërë kur ka qënë i ri të lidhur me temën e Gjirokastrës. E kam bërë për parrulla, për të parakaluar. Siç duket e kaluara e Shqipërisë është shumë e rëndësishme edhe për ditët e sotme. Pa e kuptuar se kush ka qënë ajo dhe pa i vënë gjërat nëpër vende, ne do ta kemi të vështirë të mos ta përmendim më, veçanërisht për brezin tim.

 

Tare: Por 30 vite më pas, në sallën e kuqe, në ekspozitën që hapni këtë herë në Tiranë keni një mur me portete të Ismail Kadaresë. Pse kjo zgjedhje?

 

I kisha këto portrete në Gjirokastër. I ekspozova me rastin e 80 vjetorit të lindjes së tij. Unë  kam filluar prej shumë vitesh të pikturoj portretin e shkrimtari të shquar. Kam filluar ndoshta në vitin 2002, pastaj kam punuar vazhdimisht.

 

Tare: Në çfarë viti ka pozuar Kadareja për ju?

 

Duhet të ketë qënë në 2003 në shtëpinë e tij në Tiranë me Timo Fllokon.

 

Tare: Do ndani me publikun dhe disa nga bisedat që keni bërë me të ndërkohë që ai pozonte? Si është Kadareja si subjekt pikture.

 

Ne e zgjidhëm kështu. Ai bisedonte me Timon. Kështu e lamë. Ai ishte ulur në divan. Ata bisedonin bashkë dhe unë vizatoja. Nuk është se i vura kavaletin dhe t’i bëj pikturën e tij. Ai është shumë i sjellshëm dhe shumë i disponueshëm.

 

 

Tare: I pëlqeu piktura në fund?

 

Në fillim nuk i pëlqeu, derisa erdhi një moment, është një tablo që ai ishte entuziast për të, ishte më afër vetes së tij. Është një tablo me kokëulur që unë e quaj ikja, pastaj bëra të madhen. Aty e mbylla. Bëra atë tabllo të madhe dhe pastaj nuk u mora më portretin sepse mendova që e arrita atë që doja.

 

Tare: Mendoni shpesh për punët tuaja që e keni dhënë maksimumin kur përfundojnë ato, apo çdo herë që e shikoni mendoni se mund të shtoni diçka?

 

Me thënë të drejtën një pjesë të pikturave unë duhet t’i firmoj tani mbasi janë varur nëpër mure sepse janë pa firma me idenë që kur e kam lënë, e kam lënë me idenë që do ta punoj akoma.Rrallë ndodh që ta marr një pikturë ta mbaroj ta firmoj edhe të them kjo është e mbaruar. Gjithmonë jam me idenë që diçka do bëj. Por vjen një moment që thua është e kot të shtoj, ato që duhet janë këtu, e ndjen që je shkarkuar me atë pikturë. Mendon për një tjetër pastaj.

 

Tare: A kanë pikturat gjithmonë një mesazh kur i nisni ato apo është një frymëzim që piqet rrugës?

 

Është pak e komplikuar ideja se si shkohet drejt një tabloje. Sigurisht ato vijnë nga mendimi. Vijnë disa ide, disa mesazhe. Ti kërkon ti thuash e t’i shprehësh. Është e vështirë edhe vetes t’ja thuash me fjalë sepse piktura është një gjuhë që është shpikur për t’i treguar gjërat përmes pamjes. Nuk është shpikur për t’i treguar gjërat përmes fjalës. Praktikisht, ky është edhe mendimi im që piktura është shpikur që të themi ato gjëra që nuk i themi dot me fjalë.Për mos t’i folur gjërat thonë në Gjirokastër, kështu që piktura është një gjuhë që nuk duhet ta flasësh.

Tare: Me 90 punimet që keni ekspozuar këtë radhë çfarë keni dashur të thoni? Ka mesazhe kryesore?

 

Nuk ka mesazhe kryesore, janë të ndryshme. Për shembull, shkova në Valbonë këtë verë. Aty te burimet e Valbonës rrinin vazhdimisht familjet që bënin takime në verë, që mblidheshin shumë vëllezër dhe motra me prindëit e bënin ndonjë darkë te restoranti, e dilnin fotografi te ujvara e Valbonës. Aty pash tre kunata me bebe që i thonin dilni, u çua gjithë familja dhe nga admirimi për to po i nxirrnin në fotografi,  unë thashë ku janë tre kunatat, njëra është Rozafa, dhe bëra këto tablo “Tre kunatat” që e quaj Rozafa. Ndonjëherë gjërat vijnë befas. Por pse ndodh kjo?  Ndodh sepse brenda teje dëshira për ta thënë këtë gjë për ta shprehur çfarë ti ke për atë legjendën e famshme të Rozafës, gjen një çast që ajo përmes një figure të del.

 

Tare: Shoh që në punimet tuaja janë ngjyra relativisht të forta. Është një gjendje që i përket një periudhe të caktuar  apo kështu ka qënë pak a shumë në vite?

 

Nuk ka qënë gjithmonë kështu. Piktura ime ka qënë me pak ngjyra, me gri, ndoshta nga përpjekja për të pikturuar Gjirokastrën. Nga njëherë ata që e kanë parë thonë  që si duket  ishte jeta pak e zymtë, dhe unë nuk jam i prirur t’i shpjegoj gjërat në mënyrë letrare. Por kritikët këtë edhe e thonë që pikturat e asaj kohe janë me ngjyra të errta pastaj më vonë kanë ngjyra më të forta.Por nuk besoj që është gjithmonë kështu. Kontakti me pikturën amerikane sigurisht që ka shkaktuar një shpërthim tjetër. E vërteta është që unë kur pash pikturën abstrakte ekspresioniste amerikane me Rothkon, Kliforstill, kur rash në kontak me ta siç duket ata më ndikuan.

 

Tare: I ekspozoni pikturat tuaja edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës? A ka një komunitet përtej atij shqiptar që janë të interesuar?

 

Nuk kam ekspozuar me komunitetin shqiptar. Nuk është se ka një komunitet shqiptar aktiv për të ekspozuar, megjithëse kohët e fundit, ka 2-3 vjet, që disa të rinj kanë krijuar një shoqatë të të rinjve profesional në Manhattan dhe ata bëjnë aktivitete. Dy piktorë bëjnë dhe ekspozitë bashkë me këtë komunitet, edhe unë kam marrë pjesë me ta se më kanë thirrur.

 

Tare: Si priten punimet tuaja nga të huajt?

 

Priten mirë. Nga të huajt nuk mund të them një qëndrim të posaçëm. Unë atje nuk është se ekspozoj si piktor i huaj.Unë atje ekspozoj si një piktor si të gjithë të tjerët.

 

Tare: Si amerikan?

 

Si amerikan, si të gjithë të tjerët.Sigurisht që te emri, fjalët e para dhe pikturat menjëherë kuptohet që je tjetër. Por në Amerikë njerëzit janë mendjehapur edhe janë të prirur të kuptojnë edhe të thithin në çdo lloj kulture, çdo gjë të re që atje vjen.Ekspozita që kisha vjet në galerinë në Pensilvania, punët më të suksesshme ishin me tema nga Shqipëria. Ata që ishin, ishin amerikane nuk ishin shqiptarë. Nuk kishin asnjë lidhje etnike me këtë problem. Por siç duket gjërat përcillen tek njerëzit përmes shikimit në rrugët e ndryshme.

 

Tare: Pastaj shija është shumë individuale dhe ndonjëherë e pashpjegueshme.

 

Patjetër. Njerëzit për një arsye të caktuar i tërheq një gjë, kërkon ta ketë.

 

Tare: Përmendëm pak më parë që jeni paraqitur dhe si amerikan. Keni votuar ndërkohë për zgjedhjet presidenciale?

 

Po votova para se të vija. Aplikova në mungesë edhe ma dërguan, më erdhi forma.

 

Tare: Doni ta bëni publike zgjedhjen që keni bërë për Presidenten? Më fal, për garën presidenciale, për kë votuar?

 

Shumë bukur e the. Sigurisht unë e mbështes, gjithmonë e kam mbështetur Hillary Clinton edhe të shoqin e saj e kam admiruar. Për të mos thënë për lidhjet që ka Shqipëria me Hillaryn dhe Kosova, por në përgjithësi ajo është një grua e jashtëzakonshme që ja ka kushtuar jetën e saj të drejtave të njeriut, ka filluar që fëmijë aktivitetin e saj si nxënëse si studente.

 

Tare: Po Donald Trump është një fenomen që po e kuptojnë amerikanët çfarë po ndodh apo është një suprizë?

Nuk mund të them. Ka njerëz që e mbështesin. Ja tolerojnë disa probleme që i dalin dhe afrohen me pikëpamjet e tij. Ka plot njerëz që unë i njoh e i respektoj, e ata mendojnë që ai duhet të fitojë.Unë këto që i them hapur i them dhe atje hapur. Kur më pyesin ndonjëherë a do votosh, unë jam emigrant, dhe emigrantët votojnë për demokratët si parim.

Tare: Një pyetje të fundit: A keni pritshmëri nga ekspozita që po hapni? Çfarë doni të arrini?

Dua të tregoj pikturat e mia. U bënë shumë vite që nuk i kam treguar në Tiranë.I tregova në Gjirokastër dhe ato ishin të Kadaresë. Ka shtatë vjet që nuk i kam ekspozuar këtu në Galerinë Kombëtare dhe mezi pres t’ja tregoj pikturat atyre që e pëlqejnë pikturën time dhe shokëve, njerëzve të afërt. Kjo është dëshira kryesore, të marr mendimet e tyre, të dëgjoj si ata reflektojnë. Është një punë e vështirë piktura. Ti punon në studio vetëm për një kohë të gjatë edhe e ke të ndërtuar vetëm në kokë atë që do të bësh pastaj fillon e materializon, vetëm mendon që e mbarove mund ta shohë një shok, pjesën tjetër e kthen mbrapsht e mezi pret të marrësh opinione.

Interviste me Ilva Tare per RTV Ora News

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

1 komente në “KOMPROMISET NË DIKTATURË/Bashkim Ahmeti: Do bëja sakrifica për ta shpëtuar pikturën”

  1. xheJ eN Bi says:

    E njoh nga afer Bashkimin dhe per mua eshte nje gjeni si ne pikture ,po edhe si njeri.
    Gjeja me pozitive qe ka eshte komunikimi me ç’do njeri ,te ç’do niveli qofte dhe thjeshtesia qe e karakterizon.
    Po te njejtat gjera do thoshja edhe per Pranveren, nje çift ideal.

    I uroj me kete rast suksese ne art dhe ne jet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje