24 fotografi bardh e zi të realizuara që nga viti 1935 e deri në vitin 1989 nga fotografë amatorë, por edhe nga maja e fotografisë shqiptare – Gegë Marubi – iu paraqitën mbrëmë për herë të parë publikut në një ekspozitë me tematikë biçikletën.
E titulluar “Shkodra, familja ime, biçikleta ime, historia ime” ekspozita e organizuar nga GO2 u hap në Muzeun Historik të Qytetit dhe do të qëndrojë deri me 2 Nëntor, për t’u zhvendosur më pas edhe në Tiranë.
Ekspozita përmban 24 fotografi të përzgjedhura nga konkursi i shpallur nga Organizata GO2 në Gusht të këtij viti. Në konkurs morën pjesë 26 konkurrentë të cilët paraqitën 66 fotografi bardh e zi, të realizuara para vitit 1990. Ata sollën fotografi nga albumet familjare dhe pranuan t’i bëjnë publike historitë e tyre, disa të bukura, por disa edhe tepër të dhimbshme, si rasti i vdekjes së vogëlushes 4-vjeçare, pak ditë pas daljes në njërën prej fotografive konkurruese.
Kjo është hera e parë që në Shqipëri botohet një album me fotografi të mbledhura përmes metodologjisë së hulumtimit të fondit personal. 26 fotografitë e përfshira në album janë ndarë në 3 tema: “Familja ime”, “Biçikleta ime” dhe “Historia ime” dhe përbëjnë në vetvete një ansambël të harmonizuar mirë mes periudhave historike, si ajo e mbretërisë, e pushtimit, e diktaturës, por edhe e pasviteve ’90 e deri në ditët e sotme.