Gjovalin Kola
Para se të merrte çmimin Saharov në vitin 1988, Nelson Mandela ishte një personalitet i njohur për rezistencën e tij kundër aparteidit në Afrikën e Jugut. Po kështu edhe fituesi tjetër, Aleksandër Dubçek, figura kryesore e Pranverës së Pragës të 1968-s. Shkrimtarja feministe, Salima Ghezali ishte një zë i respektuar në Algjeri, para marrjes së këtij çmimi më 1997. Të njohur në vendin e tyre e më gjerë janë edhe militantja pakistaneze Malala Yousufzai (2013), e plagosur nga talebanët, shkrimtari e blogisti saudit, Raif Badawi (2015) etj. Për të marrë shembuj më të njohur për ne, fitues të këtij çmimi janë edhe A.Demaçi më 1991 dhe I.Rugova më 1998. Pra ky çmim jepet për individë dhe organizata të njohura, që punojnë dhe luftojnë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe liritë themelore, për zhvillimin e demokracisë dhe vendosjen e shtetit të së drejtës. Nuk është çmimi që i ka bërë ata të njohur, por vepra e tyre publike, qoftë kjo intelektuale, artistike, angazhimi militant apo aksioni i kryer. Individë të tillë nuk kanë nevojë për çmime. Parlamenti Evropian iu dha çmimin Saharov për 2016 dy vajzave të minoritetit yazid, në Irak, Nadia Murad dhe Lamiya Aji Bashar, që fatmirësisht kanë arritur t’i shpëtojnë skllavërisë së Shteti Islamik. Ato janë ndër ato qindra e mijëra vajza e gra, viktima të luftës, që janë rrëmbyer e detyruar t’i nënshtrohen skllavërisë seksuale që nga viti 2014. Në motivimin e dhënies së çmimit nga PE thuhet se « ato janë zëri i viktimave të panumërta të skllavërisë, një zë që thërret për t’i dhënë fund këtyre mizorive, për të respektuar dinjitetin njerëzor, lirinë e besimit dhe drejtësinë.” Më tej, shtohet se “ ne, evropianët, jemi betuar t’i mbrojmë këto vlera universale. Kjo është arsyeja për të cilën ka rëndësi nderimi që ne po iu bëjmë Nadia Muradit dhe Lamiya Aji Basharit…” Sigurisht, çdo individ mund të bjerë viktimë e konfliktit ( luftës), e një aksidenti apo fatkeqësie natyrore (si tërmeti në Itali etj). Por viktimat kanë nevojë për ndihmë, për mbrojtje (azil, në rastin e refugjatëve), si dhe për kushte materiale e morale për të kapërcyer traumat dhe rifilluar jetën e tyre normale. Ato meritojnë gjithë respektin, dhimbjen dhe kujdesin tonë. Por çmimet nuk janë për këtë kategori individësh, të cilët, në kushte paqësore e normale, do të vazhdonin jetën e tyre anonime e të zakonshme, si miliona të tjerë në botë. Kjo nuk mund të thuhet për dy kandidatët e tjerë për çmimin Saharov 2016: Can Dundar dhe Mustafa Xhemilev, dy personazhe të vlerësuara përtej kufijve të vendeve të tyre. I pari është gazetar, autor dokumentarësh dhe kritik i mediave në Turqi, i njohur për pacifizmin, angazhimin e tij në mbrojtje të lirive publike dhe partisan i zgjidhjes politike të konfliktit me kurdët. Dundar ka qenë drejtor i gazetës laike e progresiste, Kumhuriyet. Ai është burgosur në nëntor të vitit 2015, sepse zbuloi dhe publikoi implikimin e shërbimeve sekrete turke në shitjen e armëve grupeve islamiste rebele në Siri. Kurse Xhemilev, deputet i parlamentit të Ukrainës, është i njohur si disident që në peridhën sovjetike, kurse tani drejton në mënyrë paqësore lëvizjen nacionale të tartarëve të Krimesë. Mund të renditen edhe emra të tjerë të njohur që kanë si ideal të tyrin mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Ata janë të angazhuar kundër dhunës dhe konformizmit. Shoqëria ka nevojë për këta individë e organizata. Edhe çmimi Saharov gjithashtu.