UET PRESS dhe gazetari e studjuesi i arkivave, Dashnor Kaloçi, sjellin botimin më të ri “Kadare në dokumentet e ‘Pallatit të Endrrave”
101 dokumenta të panjohura arkivore të Sigurimit të Shtetit dhe Komitetit Qendror të PPSH-se, të klasifikuara “Tepër Sekret”, me procesverbale të mbledhjeve të Lidhjes së Shkrimtarëve, Byrosë Politike të K.Q.të PPSH-së, me analiza, kritika, propozime, dëshmi,informacione,raporte,relacione,letra,akuza, spiunime e denoncime ndaj shkrimtarit të njohur, Ismail Kadare, të gjitha të papublikuara më parë…?!
Libri do perkthehet dhe do botohet së shpejti në Angli dhe Francë, me një parathënie të gjatë të shkrimtarit Ismail Kadare, me botuesin nga Londra
Nga Dashnor Kaloçi
Dokumenti që po publikojmë në këtë pjesë të librit mendojmë se paraqet mjaft interes, pasi ai ka të bëjë me një denoncim apo më saktë me një akuzë mjaft të rëndë që i është bërë shkrimtarit Ismail Kadare, në muajin janar të vitit 1973, pak ditë pasi kishte mbaruar Festivali i 11–të i Këngës në Radio-Televizion. Ky dokument me siglën ‘sekret’ mban datën 9. I . 1973 dhe është një informacion që i dërgohet Hysni Kapos nga Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Vlorës, Gaqo Nesho, lidhur me problemet që kanë dalë gjatë një mbledhje partie në një nga lagjet e qytetit bregdetar, kur po ‘diskutohej e punohej raporti i Pleniumit të IV-të të Komitetit Qëndror të PPSH-së’. Gjatë asaj mbledhje, ka dalë se një ish-oficer i Degës së Brendëshme të Vlorës, i quajtur Osmën Shefqet Shehu, ndër të tjera u ka thënë dy shokëve të tij, (Mustafa Gjini dhe Rustem Dauti), se “Shoku Mehmet Shehu e ka cilësuar armik Ismail Kadaren, ndërsa shoku Enver Hoxha e mbron”. Dhe jo vetëm aq, por ai (Osmëni), ka thënë se atë gjë, mund t’ua thoshte kudo, duke shtuar nga vetja se: “Ismail Kadarja ështe armik e revizionist, sepse në romanin “Dimëri i vetmisë së madhe”, i paraqit gratë e kuadrove tona të degjeneruara dhe pensionistët, njerëz që marrin vetëm pension”. Nisur nga akuzat që ka bërë ish-oficeri i Sigurimit të Degës së Brendëshme të Vlorës në mbledhjen e organizatës bazë të Lagjes “29 Nëntori” të atij qyteti, duket se çështja ka qenë tepër serioze dhe për këtë Sekretari i Parë, Gaqo Nesho, me të drejtë ka informuar direk Hysni Kapon. Por problemi më i madh nga akuzat e Osmën Shehut, duket se nuk ka qenë ajo që ai ka bërë në adresë të Ismail Kadaresë, duke e etiketuar atë “armik”, por ato që ai ka thënë se; “atë e mbron Enver Hoxha”…?!
Ky duket se ka qenë dhe problemi më i madh jo vetëm për Gaqo Neshon, por edhe për vetë Hysni Kapon…?! Gjë e cila duket edhe nga shënimi që ai ka vënë në krye të dokumentit që i ka ardhur nga Vlora, për Gafur Çuçin, ku e etiketon Osmën Shehun, si ‘njeri llafazan që i pjell mëndja të tilla gjëra dhe merret me thashetheme…’. Duke parë kohën për të cilën bën fjalë kjo ngjarje, pra mbledhjen ku janë diskutuar akuzat që kishte bërë Osmën Shehu ndaj Kadaresë, (ku ai ka përfolur edhe dy udhëheqësit kryesorë të partisë dhe shtetit, Enverin dhe Mehmet Shehun), ajo koncidon me fushatën e sulmeve që sapo kishte nisur dhe vazhdoi më pas ndaj Todi Lubonjës dhe Fadil Paçramit si dhe mjaft personazheve të tjera të njohur e të panjohur shkrimtarë e artistë, duke i etiketuar ata si bashkëpunëtorë të tyre. Dhe një ndër ta, do të ishte dhe shkrimtari Ismail Kadare, ndaj të cilit kishte filluar një fushatë sulmesh jo vetëm nga kolegët në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve (e akuzonin si bashkëpunëtorë të ngushtë të Fadil Paçramit), por edhe nga disa rrethe të vëndit, individë apo organizata të tëra rinie dhe partie, si Tirana, Berati, Dibra, Elbasani, Shkolla e Partisë “Vladimir Iliç Lenin” në Tiranë, etj etj. Dhe të gjitha këto, kurrsesi nuk mund të bëheshin pa nxitjen e orkestrimin e vetë shefave të lartë të partisë-shtet të asaj kohe…?! Ndërsa me këtë gjëra do ndalemi në dokumentet e tjera që publikohen në vijim të këtij libri, i rikthehemi dokumentit në fjalë që po publikojmë në këtë pjesë të librit, i cili bën fjalë me akuzat e bëra ndaj Kadaresë nga një ish-oficer i Sigurimit të Shtetit në rrethin e Vlorës. Po a ishte e mundur në atë kohë, që një anëtar partie, ish-oficer Sigurimi apo dhe çdo zyrtar tjetër partiak a shtetëror me funksion më të lartë të shprehej nga vetja e tij me ato kuza dhe të thoshte se Enver Hoxha mbron një armik?! Për të gjithë ata që e kanë jetuar atë kohë, e dinë se në rastin më të mirë kjo do të përbënte një herezi, për të mos thënë një budallallëk me brirë që normalisht do ta çonte prapa hekurave të burgut kushdo të ishte ai?! Por ja që kjo ka ndodhur në Vlorë, gjë për të cilën bën fjalë dokumenti i cili gjithashtu nuk mund të jetë sajesë…?! Lidhur me këtë, një ish-funksionar i lartë i Ministrisë së Brendëshme dhe gjithashtu i Zbulimit Shqiptar, që ka shërbyer për vite me rradhë edhe jashtë Shqipërisë në trupin diplomatik, tregon se ato akuza (të Osmën Shehut), mund të kenë qenë kurdisur edhe nga vetë Sigurimi i Shtetit, me porosoi nga lart, nga Partia. Sipas praktikave dhe metodave të Sigurimit të Shtetit të mësuara pranë shkollës së KGB-së në Moskë, (me të cilat funksiononte edhe Sigurimi i Shtetit Shqiptar në ato vite), para se Partia të godiste apo dhe eliminonte një person publik të njohur, apo funksionar të lartë partiak e shtetëror, goditja dhe eliminimi i cili do të sillte reagime e mosbesim nga opinioni publik apo probleme të tjera, në fshehtësi, Sigurimi përhapte fjalë që e implikonin keq atë. Dhe kjo bëhej në mënyrë që kur të vinte dita që ai të goditej apo të eliminohej vërtetë, opinionit publik të mos i vinte e papritur ai “lajm” dhe njerzit të kujtoheshin e të thonin me njëri tjetërin se; ‘ajo gjë ka qenë e vërtetë, pasi për x dhe y kemi dëgjuar që më parë”…?! Dhe për ta bërë sa më të vërtetë atë gjë, (akuzat që Ismail Kadare ishte armik), ajo gjë i është ngarkuar një ish oficeri të Sigurimit, të cilin Partia edhe mund “ta falte” nëse ato akuza nuk qëndronin apo nuk do vërtetoheshin…?! (Thuhet se në këto raste, Sigurimi Shtetit përgatiste edhe njerëz me probleme mendore, në mënyrë që dhe po të mos ndodhte më pas dënimi i personit, nuk do të kishte problem, pasi ato ishin thënë nga “persona të papërgjegjshëm”…?!). Dhe kjo metodë, ka qenë zbatur në shumë raste nga Partia e Sigurimi i Shtetit, që nga periudha e luftës, (akoma pa ardhur në pushtet) si p.sh. me; Anastas Lulën, Sadik Premten, Mustafa Gjinishi, Zef Malën, Zef Ndojën, Ludovik Nikën etj, por dhe më shumë pas lufte, si: Koci Xoxe, Nako Spiro, Sali Ormëni, Myslym Keta, etj. Madje edhe deri tek vetë ministri i Brendshëm Kadri Hazbiu, për të cilin që disa muaj para se të arrestohej, qarkullonin fjalë në të gjithë vëndin, se “ishte arrestuar dhe mbaj në një vënd sekret, pasi kishte dashur të arratisej me avion luftarak nga Shqipëria”…?! Dhe në këtë kontekst mendohet që janë përhapur fjalët e akuzat edhe ndaj shkrimtarit Ismail Kadare, (gjë të cilat siç thamë dhe pak më lart, do të shohim në dokumentet e tjera në vijim të këtij libri), pasi në ditët dhe muajt në vijim (mars-qershor 1973), ndaj tij ka një vershim letrash, raportesh, relacionesh, informacionesh, e denoncimesh me akuza nga më të ndryshmet, si zyrtare, ashtu dhe nga individë të veçantë…?! Pra me shumë gjasa mendohet se ndaj Kadaresë po përgatitej goditja siç ishte në praktikën e punës dhe metofave të njohura të regjimit të asaj kohe, se kur goditej ndonjë funksionar i lartë i partisë dhe shtetit, medeomos ai “do të merrte me vete” dhe të tjerë, vartës apo bashkëpunëtorë, me qëllim që të justifikohej në sytë e popullit “dëmi” që i kishte sjellë partisë e popullit…?! Në këtë kontekst mendohet se i janë bërë kadaresë të gjitha ato sulme në atë kohë, si mik dhe bashkëpunëtor i Fadil Paçramit…?! Ashtu si dhe të gjitha dokumentat e tjera edhe ky botohet i plotë.
PARTIA E PUNES SHQIPERISE
KOMITETI PARTISE VLORE Vlorë. 9. I. 1973
Nr. 1211. Sekret
Lënda: Informacion mbi disa shprehje dhe qendrime te gabuara te komunistit Osmën Shefqet Shehu.
KOMITETIT QENDROR TE P.P. SHQIPERISE
TIRANE
Osmën Shefqet Shehu, anëtar i partis i vitit 1944, ish punonjës i Degës së Punëve të Brendshme, tani pensionist, në kohën kur në organizaten bazë te parties së lagjes “29 Nëndori” po punohej raporti i plenumit të 4-të të KQ të PPSH ju shreh komunistëve Mustafa Gjini dhe Rustem Dauti, se shoku Mehmet Shehu e ka cilësuar armik Ismail Kadaren, ndërsa shoku Enver Hoxha e mbron”. “Për mua ka thënë Osmëni, Ismail Kadarea është armik e revizionist, sepse në romanin “Dimëri i vetmisë së madhe” i paraqit gratë e kuadrove tona të degjeneruara dhe pensionistët njerëz që marrin vetëm pension”.
Për të parë qëndrimin e këtij komunisti, u mblodh byroja e organizatës bazë të parties, por edhe aty Osmën Shehu përsëriti të njejtat shprehje: “Ismail Kadarea ështe armik dhe këtë e them ku të doni”. Në byro ai shtoi se, duke udhëtuar në tren ka dëgjuar biseda se “në Shqipëri, nga enciklopedia franceze e vitit 1972, njihen vetëm tre figura: Skënderbeu, Enver Hoxha dhe Ismail Kadareja”. Gjithashtu ai është shprehur se shoku Enver e kritikoi dramën “Njollat e murrme”, ndërsa shoku Mehmet Shehu e mbrojti”.
Duke parë se komunisti Osmën Shehu në kokfortësi e mëndjemadhësi po thellohej në gabimet e tij, u mblodh organizata bazë e partisë së lagjes. Këtu, pas shume diskutimesh me kritika parimore e konstruktive, u arrit në këto konkluzione: Shprehjet e Osmën Shehut, me dashje ose jo, jane armiqësore. Në personin e ketij komunsti manifestohen tendenca egoiste e mëndjemadhësie, pretendon se është shume i pregatitur dhe di shumë gjera, nuk e kontrollon veten dhe ka rënë në pozitat e elementëve të pakënaqur. Osmën Shehu, u tha në organizatën bazë, ka rënë në këto gabime, sepse nuk thellohet me materialet e partisë dhe mësimet e shokut Enver, nuk nxjerr konkluzione e detyra për punën e tij si komunist. “romanet, tha Osmëni, i stjudjoj, ndërsa materialet e partis i lexoj”.
Organizata bazë e partisë, në frymën e fjalimeve të kohëve të fundit të shokut Enver Hoxha dhe të vendimeve të plenumit të 4-të të KQ të PPSH, e kritikoi ashpër qëndrimin e Osmën Shehut. Mbështetur në qëndrimin dhe bindjen për të korigjuar ajo vendosi ta ndëshkojë me vërejtje të rëndë me shënim në kartën e rregjistrimit.
Qëndrimi i këtij komunisti u analizua edhe në mbledhjen e byrosë së Komitetit të Partisë së rrethit. Byroja e kritikoi rëndë Osmën Shehun, qëndrimet e tij u konsideruan të rrezikëshme për partinë, por duke mbajtur parasysh autokritiken e tij në organizatën e partisë dhe në byro, e quajti të drejtë vendimin e organizatës bazë te partisë.-
( Osmen Shehu, lindur në Kuç rrethi rrethi i Vlorë, më 20/ IV/ 1927 dhe banues në lagjen “29 Nëndori” Vlorë).
Sekretari i I-rë i K. P. të rrethit , Gaqo Nesho
Raporti: “Osmën Shefqet Shehu, anëtar i partisë i vitit 1944, ish-punonjes i Deges së Punëve te Brendshme, tani pensionist, në kohën kur në organizatën bazë të partisë së lagjes “29 Nëndori” po punohej raporti i Plenumit te 4-të të KQ të PPSH-së ju shpreh komunistëve Mustafa Gjini dhe Rustem Dauti, se shoku Mehmet Shehu e ka cilësuar armik Ismail Kadaren, ndërsa shoku Enver Hoxha e mbron”.
Raporti: “Për të parë qëndrimin e këtij komunisti, u mblodh byroja e organizatës bazë të parties, por edhe aty Osmën Shehu përsëriti të njejtat shprehje: “Ismail Kadarea ështe armik dhe këtë e them ku të doni”. Në byro ai shtoi se, duke udhëtuar në tren ka dëgjuar biseda se “në Shqipëri, nga enciklopedia franceze e vitit 1972, njihen vetëm tre figura: Skënderbeu, Enver Hoxha dhe Ismail Kadareja”. Gjithashtu ai është shprehur se shoku Enver e kritikoi dramën “Njollat e murrme”, ndërsa shoku Mehmet Shehu e mbrojti”.