Aksidentet rrugore marrin përditë jetë njerëzish. Ndër shkaqet kryesore janë shpejtësia, përdorimi i alkoolit, mos vendosja e rripit dhe pakujdesia e këmbësorëve që presin rrugën e drejtuesve të mjeteve.
Nga fillimi i vitit numërohen 234 të vrarë dhe 386 të plagosur rëndë.
Me shqetësim vërehet përfshirja e fëmijëve në aksidente. Në 2016, 13 prej tyre humbën jetën tragjikisht.
Në përkujtim të këtyre viktimave sot në orën 12:00, në kuadër të ditës botërore, në mbarë rrugët e vendit u mbajt një minutë heshtje nga shoferët që fikën makinat.
Ndërsa policët rrugorë mbajtën në krah një shirit të zi.
Ministria e Brendshme, për të rritur sensibilizimin kishte risjellë në rrugë disa nga aksidentet e ndodhura më pasoja të rënda, duke theksuar mesazhin se kjo mund t’i ndodhë kujto nëse nuk respekton rregullat.
Në autostrada janë vendosur bill-borde të mëdha me mesazhe nga vetë të afërm të viktimave.
Një grua që ka humbur bashkëshortin, një vajzë që ka humbur gjithë familjen, prindërit dhe dy vëllezërit dhe një polic që ka mbetur invalid nga përplasja me makinë, janë disa nga historitë e dhimbshme, të dëshmuara nga të afërm të viktimave në aksidente.
Ndaj kur të lexoni këto mesazhe në rrugë, mendoni dy herë kur drejtoni mjetin!