INTERVISTA/ Rama në Top Story: Kemi mbështetjen e Gjermanisë për hapjen e negociatave

1 Dhjetor 2016, 21:32Politika TEMA

Kryeministri Edi Rama flet në Top Story për pritshmëritë që ka nga mbledhja e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian në mes të dhjetorit për çështjen e negociatave të anëtarësimit.

Përballë Sokol Ballës ai rrëfen takimin me kancelaren Angela Merkel në Berlin dhe garancitë e marra prej këtij takimi.

Intervista

Sokol Balla: Sapo jeni kthyer nga një vizitë e rëndësishme në Berlin me kancelaren Angela Merkel. Gjithçka në rregull?

Kryeministri Rama: Besoj që shumë mirë.

Sokol Balla: Në ç’kuptim?

Kryeministri Rama: Në kuptimin e forcimit të mëtejshëm të një marrëdhënieje tanimë speciale. Mos harrojmë që në tre vjet kemi patur tre takime speciale bilateriale, dy në Berlin dhe një këtu në Tiranë, gjë që nuk ka ndodhur kurrë më parë. Kjo është shprehje e një vullneti shumë të mirë nga ana e Gjermanisë për të ndërtuar një marrëdhënie speciale me Shqipërinë dhe shqiptarët.

Sokol Balla: Që ka një marrëdhënie speciale mes zyrës së Merkel dhe ju kjo tashmë dihet dhe nisma e Berlinit, fakti që disa herë ju ka promovuar, por sa frytdhënëse po kthehet kjo për Shqipërinë? Të mos harrojmë që vizita juaj e fundit në Berlin ditën e hënë ishte një moment kyç dhe delikat sa i përket procesit të integrimit të vendit, hedhjes së hapit të mëtejshëm që të gjithë e presim, por që deri më tani askush nuk e beson se do të ndodhë. Prej disa javësh, edhe ju vetë në mos gaboj në rrjetet sociale keni njoftuar që më 28 nëntor do të ketë një lajm të mirë për Shqipërinë. Cili ishte lajmi i mirë që ju sollët për Shqipërinë?

Kryeministri Rama: Lajmi i mirë është që Gjermania mbështet plotësisht Shqipërinë në procesin e integrimit dhe në një moment delikat për BE, por jo të zakonshëm edhe për Gjermaninë që përgatitet të hyjë në zgjedhje. Ne kemi marrë një rekomandim pozitiv për çeljen negociatave nga KE. Rekomandimi i bëhet KiE. Ka një kusht që është fare i natyrshëm, që duhet të nisë zbatimi i Vettingut dhe ndërkohë duhet të ecet me progres në fushat që përfshijnë pesë prioritetet kyçe për rrugën drejt anëtarësimit. Në këtë kontekst besoj që mbështetja e Gjermanisë është e rëndësishme për shkak të asaj që thashë, të një momenti jo fort pozitiv brenda BE-së në raport me zgjerimin dhe përballë një dallge populizmi anti-BE që shkon duke u fryrë.

Sokol Balla: Në fakt të gjithë prisnim çfarë do të thonte zonja Merkel edhe për shkak se pak më herët, një deputet i Bundestagut që merret direkt me çështjet e zgjerimit, zoti Krichbaum erdhi dhe bëri një deklaratë shumë të prerë, të qartë dhe negative sa i përket të ardhmes së këtij procesi. Me pak fjalë ai tha ‘shihemi pas 2018’ dhe përmendi jo 5, por 7 prioritete. A gjetët këtë gjuhë edhe tek Merkel, pasi nga ato që ne dëgjuam në konferencën për shtyp, në një farë mënyrë nuk ka asnjë dallim me ato që tha Krichbaum. Cili është lajmi i mirë për qeverinë dhe vendin që sillni ju ndryshe nga ajo që tha Krichbaum?

Kryeministri Rama: Së pari njëherë, zoti Krichbaum nuk erdhi këtu në cilësinë e kreut të Komisionit të Çështjeve Europiane në Bundestag, por si një deputet i CDU/CSU dhe nuk ka asgjë të jashtëzakonshme dhe të panatyrshme që brenda grupeve parlamentare të parlamenteve të BE-së ka dhe do të vazhdojë të ketë një debat lidhur me qasjen ndaj zgjerimit. Në deklaratën e kancelares nuk ka absolutisht asgjë më shumë dhe asgjë më pak sesa çka në rekomandimin e KE. Nuk bëhet fjalë për kushtet të reja. Ka vetëm një kusht dhe të tjerat janë të gjitha kritere që do të na shoqërojnë deri në ditën e anëtarësimit, jo të hapjes së negociatave. Diskutimi i brendshëm në grupin parlamentar të kancelares apo në parlamente të tjera të vendeve të BE-së është mëse i natyrshëm. Fakti është që kjo nuk është koha e parlamenteve. Ata do të shprehen vetëm kur të vendoset një datë dhe në dhjetor ne nuk presim një datë, pasi data do të vendoset kur të ketë filluar zbatimi i Vettingut dhe bashkë me këtë proces të jetë rikonstatuar që Shqipëria po vazhdon të bëjë atë progres që kancelarja e nënvizoi shumë qartë. Nënvizimi i kancelares së në vitet e fundit Shqipëria ka bërë ndryshim rrënjësor dhe se kjo konstatohet edhe nga vetë KE, është maksimumi i mbështetjes dhe inkurajimit që mund të merrej në Berlin, ashtu sikundër nënvizimi tjetër i Kancelares se ‘tanimë më e rëndësishmja është bërë’, po të kemi parasysh tonin e saj në komunikim që është gjithmonë një ton shumë i përmbajtur, është një kompliment i jashtëzakonshëm për ato që kemi bërë në këtë proces. Kam qenë me kancelaren para se të merrnim statusin e vendit kandidat, kemi bërë një konferencë shtypi pas takimi, ndërkohë që kjo ishte një konferencë para takimit dhe në atë konferencë kancelarja nuk e ka thënë që Gjermania do të mbështesë dhënien e statusit kandidat, por vetëm pak kohë më pas mbështeti dhënien e statusit.

Sokol Balla: Prisni të ndodhë e njëjta gjë edhe më 13-15 dhjetor?

Kryeministri Rama: Unë pres që Gjermania të jetë mbështetja jonë kryesore në mbledhjen e rëndësishme të dhjetorit. Ajo që dëshirojmë është që KiE të mirëpresë rekomandimin pozitiv dhe të inkurajojë procesin duke qenë i hapur për të rikonsideruar hapjen e negociatave me një datë në momentin kur ne të kemi filluar zbatimin e Vettingut. Pra, ne nuk kemi çfarë kërkojmë më shumë, as Gjermanisë, as KiE, as KE sepse sot ne jemi të bllokuar brenda nesh nga Partia Demokratike që ka çuar ligjin në Gjykatën Kushtetuese.

Sokol Balla: Pra, edhe ju si Qeveri nuk prisnit që të kishte datë, as para ardhjes së Krichbaum?

Kryeministri Rama: Para se të shkoja në Berlin dhe para se deputeti Krichbaum të vinte këtu, nuk kemi folur asnjëherë për një datë në mes të dhjetorit sepse ka një kusht dhe ai është fillimi i zbatimit të ligjit të Vettingut.

Sokol Balla: Përtej konferencës për shtyp dhe informacioneve nga burime brenda për shtyp, çfarë mund të thoni më tepër nga ky takim? Çfarë u tha aty që nuk u tha në konferencën për shtyp?

Kryeministri Rama: Nuk është aspak e natyrshme që çfarë thuhet në një takim me dyer të mbyllura të kthehet në pjesë e komunikimit publik, por mund të them që në takim ka ndodhur ajo që kancelarja njoftoi në fund të konferencës për shtyp, kur tha se ‘tani do të flasim më në detaje për sesi Gjermania do të mbështesë Shqipërinë që të zotërojë rrugën e progresit të mëtjeshëm’. Kemi folur saktësisht për këtë.

Sokol Balla: Ju thoni që është vetëm Vettingu dhe asgjë tjetër? Pra nuk janë zgjedhje? Nuk është lufta kundër krimit të organizuar, kundër drogës? Nuk është dekriminalizimi?

Kryeministri Rama: Të gjitha të tjerat që kanë të bëjnë me pesë prioritetet janë kritere që do t’i kemi në tavolinë deri kur të anëtarësohemi. Pra gjithë procesi i negociatave do të jetë një proces që do të gjykohet mbi bazën e përmbushjes së plotë të kritereve. Këto nuk janë kushte. Ato janë aty dhe do të jenë aty dhe siç e tha kancelarja ‘janë çështje të përhershme të rendit të ditës’. Pra nuk bëhet fjalë për kushte që po na vihen tani përpara. Bëhet fjalë për kritere që kemi ditur, i dimë dhe do t’i kemi para syve deri kur Shqipëria të anëtarësohet në BE.

Sokol Balla: Si shpjegohen deklaratat e Krichbaum? Ju folët edhe më shefin e tij, që është kreu i Bundestagut, zotin Lammert. Si shpjegohet ky pozicion kaq verbalisht i ndryshëm nga një përfaqësues shumë i lartë i parlamentit gjerman?

Kryeministri Rama: Nuk është vetë rasti në fjalë. Një tjetër deputet në parlamentin austriak ka bërë një deklaratë të ngjashme, ndërkohë që Austria është në grupin e vendeve që kërkojnë nisjen e negociatave menjëherë, edhe pa nisjen e Vettingut, ashtu si disa vende të tjera që janë rreshtuar në një pozicion të themi të avancuar. Të gjitha këto janë të natyrshme dhe konkluzioni është një kompromis mes vendeve që ne shpresojmë ta kemi në funksion të mirëpritjes së rekomandimit të KE. Këshilli Europian mund edhe të mos e mirëpresë rekomandimin e Komisionit.

Sokol Balla: Pra ju e prisni këtë? Mund të ndodhë edhe kjo?

Kryeministri Rama: Teorikisht mund të ndodhë që të thotë jo. E ka bërë edhe në raste të tjera. Ajo që ne presim dhe që është më e mira për ne është që ky proces të vazhdojë. Mirëpritja e rekomandimit do të thotë që për BE-në negociatat mund të hapen në çdo moment që Shqipëria është gati dhe gati nënkupton nisja e zbatimit të Vettingut dhe nisja e spastrimit të pallatit të drejtësisë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Kjo quhet gati për BE-në. Po ta kishim nisur këtë menjëherë dhe opozita mos e kishte çuar në Gjykatën Kushtetuese, fare mirë mund të kishim që tani miratimin e Këshillit për një datë. Konteksti nuk është ideal për shkak se ka zgjedhje në Gjermani, në Francë, Holandë që janë vende me peshë të rëndësishme në këtë proces dhe që kanë dinamikat e tyre të brendshme që ne e kuptojmë plotësisht.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje