Për trajnerin e Kukësit, Ernest Gjoka, në sfidën e nesërme kundër Partizanit ai do të ishte i kënaqur edhe me një barazim.
Në prag të kësaj përballje tekniku i Kukësit u shpreh se sfida ndaj të kuqve do të jetë një duel mjaft i fortë pasi përballen dy ekipe që janë rivale për të fituar titullin kampion.
Gjoka theksoi se objektivi i Kukësit në këtë takim do të jetë marrja e një rezultati pozitiv.
“Ndaj Partizanit është një takim shumë i rëndësishëm, pasi luajmë përballë një kundërshtari direkt dhe kërkojmë të marrim maksimumin. Do të jetë një ndeshje shumë e bukur dhe e luftuar. Kemi punuar fort që në fund rezultati të anojë në anën tone. Një sfidë e tillë i ka të gjitha rezultatet brenda dhe do të isha i kënaqur me çdo rezultat pozitiv. Kukësi do të luajë për të marrë fitoren në këtë sfidë” tha Gjoka.
Partizani-Kukësi do të luhet nesër në orën 17:00 në stadiumin “Elbasan Arena”, një sfidë e cila pritet që të dhurojë mjaft emocione./f.b