Gjobat e vëna gabim për të vetëpunësuarit: Financat po hartojnë draftin e fshirjes

26 Dhjetor 2016, 10:55Ekonomia TEMA

Pasi një draft paraprak i faljes fiskale, i hartuar në korrik, nuk gjeti konsensusin e FMN-së, financat po punojnë tashmë për një projektligj tjetër për fshirjen e një pjese të detyrimeve të prapambetura dhe gjobave të vëna gabim në qershor për të vetëpunësuarit.

Lajmi është bërë i ditur për Monitor nga drejtoresha e tatimeve, Vasilika Vjero.

“Ministria e Financave është duke punuar për draftimin e një projektligji për fshirjen e një pjese të detyrimeve të prapambetura. Në këtë kuadër, parashikohet që të bëhet edhe fshirja e gjobave për personat e vetëpunësuar të cilët nuk kanë bërë në afatin e caktuar deklaratën e tyre”, ka pohuar ajo.

Një pjesë e madhe e bizneseve, kryesisht të reja, u gjobitën masivisht më 22 qershor me 10 mijë lekë për vonesa në deklarimin e administratorit, pas përditësimit të sistemit të e-tax. Vetëm pak ditë më vonë, më 1 korrik, ministri i Financave Arben Ahmetaj, pohoi publikisht se këto gjoba do të faleshin, pavarësisht se këmbënguli se ato ishin vënë me të drejtë.

Pavarësisht kësaj, në tetor, tek bizneset u shkaktua konfuzion pasi morën një shkresë nga organet tatimore për detyrimet tatimore të papaguara, ku përfshiheshin dhe gjobat të cilat u vunë automatikisht nga sistemi në qershor për vonesë në deklarimin e punonjësve dhe për të cilat bizneset ishin në pritje të faljes.

Si ndryshoi projekti për faljen fiskale

Drafti paraprak i faljes fiskale, i propozuar në korrik, parashikonte faljen e plotë të detyrimeve deri në vitin 2011 dhe pas këtij viti do të falej 30% e detyrimit dhe gjobat e kamatëvonesat për ata që paguanin pjesën tjetër prej 70% të detyrimeve.

Në shtator, drafti i faljes u la pezull, pas kundërshtimeve të FMN-së, e cila kërkoi me forcë që të fshiheshin vetëm ato detyrime që ishin të pamundura për t’u mbledhur dhe të bëhej maksimumi për të arkëtuar detyrimet e mbledhshme. Edhe ministri i financave Ahmetaj u tërhoq dhe tha  se nuk ka falje të detyrimeve, por “nga viti 2010 deri në vitin 2014 do të ketë lehtësi për ata që paguajnë detyrimin e plotë. Kush paguan detyrimet do të ketë lehtësi në interesa dhe në gjoba, ndërsa ata që nuk e paguajnë do t’i mblidhet detyrimi me forcë me anë të gjithë instrumenteve.

Tashmë pritet të shohim se çfarë do të përmbajë drafti i ri i faljes fiskale./ Monitor

6 komente në “Gjobat e vëna gabim për të vetëpunësuarit: Financat po hartojnë draftin e fshirjes”

  1. truni says:

    kjo eshte nje gje mjaft e mire dhe bravo ministrise per kete gje pasi kjo i cliron sadopak te vetpunsuarit

  2. ani says:

    vendim shume i drejte i financave per ti pare apo anuluar gjobat e vena padrejtesisht

    1. al says:

      nja lajm shume i mire per ti lehtesuar sado pak nga ky detyrim shtrengues kategorine ne fjale

  3. fiona says:

    Vendim shume pozitive falja e detyrimeve i vjen ne ndihme gjithkujt qe eshte i prekur nga ky sanksion, me pelqen shume si iniciative nevojiten ndonjehere edhe lehtesime si keto.

  4. zambi says:

    bravo stafi i ministrise

  5. Turi says:

    Çfarë pozitive? Individët dhe kompanitë sidomos i kanë paguar gjobat. Çfarë kërkojnë të falin, nuk kuptoj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje