Si e paraqitën revistat e njohura ngritjen e diktatorëve gjatë Luftës së Dytë Botërore (...nuk mungon as Shqipëria)

2 Janar 2017, 09:00Kulturë TEMA
Si e paraqitën revistat e njohura ngritjen e diktatorëve gjatë

Disa nga mediat më të njohura perëndimore, në një farë mënyre u verbuan nga ardhja në pushtet e diktatorëve fashistë në fund të viteve 1920-të dhe në fillim të 1930-ës. Shumë larg portretizimit si të rrezikshëm, të autokratëve që sundonin në Gjermani, Itali, Japoni dhe vende të tjera, këta udhëheqës u paraqitën me ngjyra rrëzëllitëse, madje edhe me njëfarë servilosjeje në kopertinat e revistave kryesore, që atëherë as nuk e merrnin me mend se ç’do të ndodhte.

“The New York Times Magazine,” në vitin 1937 do të kishte një qasje joshëse ndaj diktatorit gjerman, Adolf Hitler, teksa përshkruante pushimet e tij në alpe: vendi ku ai “ëndërron dhe planifikon.” Me siguri, pa e kuptuar se ato ëndrra dhe plane do të zhysnin gjysmën e botës në luftë, vetëm pak vite më pas.

Nga ana tjetër, Benito Mussolini ka qenë gjithmonë personazhi i parapëlqyer i revistave më të njohura. Në një kopertinë të vitit 1923, dhe sërish në 1926, “Time” do të lavdëronte “vetëkontrollin e pabesueshëm, gjykimin e rrallë dhe aplikimin efikas të ideve për zgjidhjen e problemeve,” të italianit.
Ndërkohë, Hitlerit do t’i duheshin edhe shumë vite për të dalë për herë të parë në kopertinën e prestigjiozes “Time,” në vitin 1931, gjatë një fjalimi të ashpër.
Vetëm një vit më pas, peranori japonez Hirohito do të ishte personazhi i kësaj reviste, i cilësuar si “Biri i Qiellit,” veshur me uniformën traicionale. Ndërkaq, në Japoni, militarizimi i vendit ishte në rritje.

Adolf Hitler ka qenë personazhi i dashur dhe i urryer i mediave të njohura perëndimore. Kur u emërua kancelar i Gjermanisë në vitin 1933, ai u paraqit nga revista “Time,” me uniformën e tij, i ulur qetësisht në një karrige, me vështrimin e vendosur dhe një pastor gjerman pas shpinës. Nëntitulli i kopertinës, “Shënim: Rilindja e Bolshevizmit,” i referohej një fjalimi të Hitlerit, në të cilin ai thoshte se, Gjermania ose do të ngrihej nga hiri i poshtërimit në Luftën e Parë Botërore, ose do të binte nën spektrin e Marksizmit.

Megjithatë, “Time” duket se e kapi ritmin në vitin 1939. Në edicionin “Njeriu i Vitit” (në nder të personazhit më të bujshëm në lajme gjatë vitit), iu përkushtua Hitlerit. Në artikull, ai cilësohej si i pamëshirshëm, barbar dhe “forca më e madhe kërcënuese e demokracisë dhe lirisë, me të cilën bota po përballet.”

Në kopertinë, paraqitej një skicë, ku tregohet një muzikant duke luajtur në organo “himnin e urrejtjes,” ndërsa mbi instrument varen kufoma njerëzish.

“The Saturday Evening Post,” ishte gjithashtu një nga revistat, që nuk e kuptuan qysh në fillim rrezikun, që këta diktatorë paraqisnin. Por, në vitin 1943, ata nisën ta përqeshin diktatorin gjerman, duke e portretizuar si një fëmijë, me një krehër në vend të mustaqeve, ëndrrat e të cilit sapo janë shkatërruar.

Revista e njohur amerikane “Newsweek”, duket se arriti ta korrigjonte gabimin në lidhje me diktatorët, vetëm në vitin 1939. Me nëntitullin, “Duçe shpërfill demokracitë me pushtimin e Shqipërisë,” ata publikuan kopertinën me foton e Musolinit, teksa mban hundën me duar.

Ata do të vazhdonin në këtë stil edhe me Adolf Hitler në vitin 1943. Në kopertinën e këtij viti, ata publikuan një Hitler të rrënuar, me shënimin: “Burrë i vogël, po tani?” Menjëherë pas zbarkimit të aleatëve në Itali.

Hera e fundit kur një diktator i Aksit u paraqit në kopertinën e një reviste, ishte në 7 Maj 1945, pak pas vetëvrasjes së Hitlerit. Ajo paraqiste një fotografi të tij, me një X të përgjakur mbi fytyrën e diktatorit. /Përg.: Bjorn Runa

Marrë nga: ATTN

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje