Vizion Plus ka marrë zyrtarisht Licencën Kombëtare për transmetimet dixhitale. Vendimi është marrë ne unanimitet nga Autoritetit i Medias Audiovizive gjatë takimit të të enjtes, ku janë shqyrtuar aplikimet e subjekteve, veprim që do t’i japë fund televizionit analog për të kaluar në atë numerik.
Kjo është licenca e katërt që është akorduar, por duhet thënë se Vizion Plus është televizioni i parë, i cili e ka marrë atë përmes një vendimi unanim të institucionit rregullator te mediave audiovizive, pasi tre të tjerat nuk janë akorduar nga AMA, por janë fituar përmes vendimeve gjyqësore.
Me përcaktimin e katër licencave për operatorët privat, Autoriteti i Medias Audiovizive ka për të akorduar dhe një të fundit. Gjatë këtij procesi, AMA zgjodhi procedurën e “beauty contest-it” për dhënien e licencave, qe nënkuptonte se prioritet do të kishin kanalet dhe paketat të konfirmuara në treg, si televizionet kombëtare, satelitor kombëtare dhe paketat dixhitale.
Procesi i dixhitalizimit, ose kalimi nga sistemi analog në atë dixhital, është dhe një detyrim që vendi ynë ka si anëtar i Unionit Europian të Transmetimeve, EBU. Shqipëria bashkë me Kosovën janë dy vendet e fundit të rajonit që ende nuk e kane finalizuar procesin e dixhitalizimit.