Erion Veliaj: 10 km korsi të dedikuara për biçikletat në Tiranë

14 Janar 2017, 14:45Sociale TEMA

Bashkia e Tiranës parashikon ndërtimin e 10 kilometrave korsi të dedikuara për lëvizjen e biçikletave. Ky synim u bë publik nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë një takimi të zhvilluar me Ambasadoren e Hollandes, Dewi De Weerd, profesorë të ardhur nga Hollanda dhe Unversiteti i Tiranës, ku u prezantua edhe një studim i posaçëm mbi mundësitë e lëvizjes me biçikleta në Tiranë.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj u shpreh se një vëmendje e veçantë i është kushtuar promovimit të lëvizjes me biçikleta, jo vetëm si një mënyrë për të reduktuar trafikun në rrugët e Tiranës, por edhe si një lëvizje që nxit jetën e shëndetshme. Ai theksoi se për herë të parë është vendosur një fond i posaçëm për këtë qëllim edhe në Buxhetin e Bashkisë së Tiranës dhe se rrugët e reja po ndërtohen duke pasur edhe një korsi të dedikuar për biçikletat.

“Kemi filluar me disa rrugë, si rrugët kryesore “Dritan Hoxha”, rruga “Gjergj Filipi” te Pallati i Kongreseve, rruga e “Kosovarëve”, pra të gjithë rrugët e reja po pajisen me një korsi të dedikuar biçikletash, por kjo nuk mjafton. Ne duhet të kemi një rrjet, ndaj në buxhetin e këtij viti, kemi projektuar 10 kilometra korsi biçikletash, si një buxhet i veçantë në Bashkinë e Tiranës, si një buxhet që për mendimi tim duhet të vazhdojë të jetë çdo vit, pavarësisht se kush është kryetar bashkie, për të treguar se sa prioritet është kjo për qytetin”, bëri të ditur Veliaj. Ai theksoi se shumë shpejt do të fillojë përcaktimi i korsive për biçikletat në disa nga rrugët kryesore ekzistuese të kryeqytetit.

“Do të fillojmë me aksin bulevardi “Zogu i Parë”, gjithë bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, aksi nga qendra deri tek rruga e “Dibrës”, deri te Farmacia 10 dhe pastaj nga Farmacia 10 deri në Kinostudio; po kështu me rrugën e re të Kombinatit. Duke pasur një rrjet prej 10 kilometrash, besoj se mund të flasim seriozisht për kulturën e rikthyer të biçikletës në Tiranë”, shtoi Veliaj. Kreu i Bashkisë u shpreh se ndërtimi i korsive të posaçme të dedikuara për biçikletat është një investim afatgjatë dhe që do t’i shërbejë qytetit dhe qytetarëve në vitet që vijnë duke bërë një jetë më të shëndetshme.

“Unë e di që njerëzit kërkojnë të kenë prioritet çështje që kanë më pranë zemrës; ka njerëz që thonë, se na duhet më shumë gjelbërim, jo korsi biçikletash, që na duhet më shumë ushqim dhe strehim për ata në situatë rruge, se na duhet më shumë zhbllokim rrugësh në situata ngricash, por unë besoj se një qytet i mirë është si një familje e mirë dhe një familje e mirë i bën të gjitha, pra mundohet të kontribuojë edhe në disa gjëra që janë, le të themi të ditës, por edhe të investojë në disa gjëra që janë afatgjatë dhe për ne ky është një investim afatgjatë”, tha ai.

Veliaj u shpreh se falë politikave që ka ndjekur bashkia duke përcaktuar ditë pa makina si dhe duke shtuar korsitë e dedikuara, sot është trefishuar numri i atyre që përdorin biçikletën në

Tiranë. Gjithsesi, ai theksoi se mbetet ende shumë punë për t’u bërë që përdorimi i biçikletave të mos mbetet një fenomen i izoluar.

Ambasadorja holandeze, Dewi De Weerd siguroi mbështetje për çdo projekt që Bashkia e Tiranës do të kërkojë të zbatojë për ndërtimin e korsive dhe stacioneve të qendrimit të biçikletave. “Të rinjtë janë shumë pozitivë përsa i përket ecjes me biçikletë (çiklizmit) dhe ju do të keni një mbështetje të madhe, nëse bëni zona për biçikletat dhe jo vendparkime makinash”, tha ambasadorja Dewi De Weerd.

4 komente në “Erion Veliaj: 10 km korsi të dedikuara për biçikletat në Tiranë”

  1. lloqe lloqe says:

    * tirana nuk ka uje te rrjedhshem 24 ore.
    * tirana nuk ka uje te pishem sepse: uji depozitohet ne qindra mijera depozita private jashte sistemit te kontrollit. Sedimente, baktere, alga, insekte, flore e faune mikrobiologjike zhvillohet ne keto sisteme “arna” qe i jane shtuar sistemit egzistues.

    ky eshte realiteti qe do plan dhe afat e premtime me data. te tjerat jane pallavra

  2. G-UNIT says:

    po pra PRANDAJ KA VENE KJOSKAT E STACIONEVE TE AUTOBUZIT MBI KORSITE E BICIKLETAVE!

    ESHTE I BLERE, KOK E KEMBE

    KUNT

  3. Deri ke Banka says:

    Po Tirane-Durres, do behet.

  4. Tirons i vjeter says:

    Kjo eshte fantastike! Mbeshtes fuqishem kete nisme, si dhe strategjine per te krijuar nje rrjet. Nuk dua te di per politiken, se te gjithe me lug ne brez jane, si majtas, dhe djathtas, por investime per transportin publik ne Tirane (se dhe cdo qytet tjeter), me perparesi absolute bicikletat, dhe trenat intra dhe inter-urbane, do te na jap nje zhvillim te papare, si per qarkullimin, shendetin, apo dhe turizmin. Cdo politikan te vleresohet nga angazhimi qe ka per te realizuar nje gje te tille. Te votohen vetem ata qe do ta shpien kete pune perpara. Kush ka qene ne Kopenhagen apo Amsterdam ka pare mrekulline e qarkullimit me bicikleta ne keto qytete. Ne kemi klimen njemije here me te pershtatshme se ato, ku bicikleta perdoret 12 muaj ne vit, dhe mundet ta shnderrojme Tiranen, si dhe cdo qytet ne Shqiperi, ne modelin me te avancuar te pedonaleve dhe bicikletave. Nqs e realizojme vertet, fluksi i njerezve ne Rinas nuk do jete me nga Shqiperia per ne Evrope, por nga Evropa ne Shqiperi. Njerezit duhet te flasin, dhe te kerkojne kete gje kudo qe jane. Na ka dhene perendia klimen, tani te bejme infrastrukturen.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje