Absurdi i radhës në klubin bardheblu, të dëmtuarit… braktisen

17 Janar 2017, 16:20Sport TEMA

Te Tirana po çuditen se pse lojtarët kërkojnë rrogat e prapambetura. Edhe kur pagat minimizohen për shkak se bëhet fjalë për futbollistë të dëmtuar që për një periudhë të gjatë nuk kanë qenë të gatshëm, sërish në kupolën bardheblu ka zhgënjim. Kjo ndodh as më pak e as më shumë te klubi që duhet të ishte shembull për respektimin e kontratave, por që po tregon tashmë tjetër imazh.

Rasti më i fundit i Gjergji Muzakës, i cili me të drejtën që i jep kontrata ka kërkuar 16 rroga të prapambetura, duke njoftuar edhe institucionin e futbollit shqiptar ka nxjerrë zbuluar klubin e Tiranës. Me sa duket, kush dëmtohet te Tirana braktiset dhe më pas çështja shkon në dyert e FSHF-së, ose ndoshta edhe në FIFA. Në fund është klubi që paguan të njëjtën faturë që duhet ta shlyente në kohën e duhur.

Duke qenë se së fundmi diçka e tillë ndodhi me një lojtar të rëndësishëm të kampionatit shqiptar si Muzaka, natyrshëm kuptohet se si mund të hidhen në rrugë emra të tjerë, që për fatin e tyre të keq dëmtohen dhe nuk arrijnë të marrin në kohë as rrogat jo të plota që kanë për raste të tilla. Absurdi shkon deri atje, saqë në klubin e Tiranës janë të zhgënjyer pse Muzaka është treguar profesionist, duke njoftuar FSHF-në për mosrespektimin e kontratës.

Tashmë për një futbollist që është dëmtuar dhe kërkon të rimbursohet për periudhën e riaftësimit qenka një habi e madhe. Të paktën kështu e perceptojnë te bardheblutë dhe situata bëhet më e rëndë kur lojtarit të prezantuar me bujë dy vite më parë i thuhet dy ditë para startit të fazës përgatitore se nuk bën më pjesë në planet e klubit. “Mëkati” i vetëm i Muzakës është që ka treguar profesionalizëm, duke vënë në dijeni institucionin e futbollit, ashtu siç parashikohet në kontrata për të tilla raste.

Kjo nuk është hera e parë që një klub sillet në këtë mënyrë me lojtarë që vijnë nga dëmtime të gjata. Megjithatë, çudia më e madhe është që në momentin kur lojtarët kërkojnë pagat, dalin jashtë planeve. Një tjetër klub që ka pasur halle të njëjta si Tirana është Flamurtari, por vlonjatët dhanë një shembull në fundvitin e kaluar me mbrojtësin Franc Veliu.

Edhe pse ky i fundit kishte paditur klubin dhe priste të paguhej për rrogat e prapambetura, në të njëjtën kohë vijonte stërvitjen me Flamurtarin, pasi drejtuesit e këtij të fundit nuk u hakmorën si në rastin “Muzaka”, ku Tirana nxitoi të braktiste një prej atyre lojtarëve që e konsideronte ndër më të rëndësishmit. Me sa duket, është momenti që institucioni i futbollit shqiptar të mbështesë lojtarët e dëmtuar, duke ua bërë të qartë klubeve se kontratat janë bërë për t’u respektuar…/Panorama Sport/

1 komente në “Absurdi i radhës në klubin bardheblu, të dëmtuarit… braktisen”

  1. tironsi says:

    Tirona ka qene gjithmon klub [email protected] [email protected] si ne kohen e Dulles edhe sot vazhdon te jete i tille turp turp e poshtrun ket emer te Kryeqytetit keta plera qe drejtojn ate klub keshtu eshte kur Tirona ka mbetur ne dore te disa tipave qe nuk dihet se nga i kane rrenjet por na hiqen per tironas te hershem disa tipa qe edhe mbiemrin nuk e kane shqiptare

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje