Në vijim të shpërndarjes së ndihmave nga Forcat e Armatosura për banorët e zonave të izoluara nga bora, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli vizitoi disa familje në nevojë në Bashkinë e Klosit ku shpërndau pako me ndihma ushqimore. Ajo gjithashtu premtoi ndihmë shëndetësore për pjesëtarët e këtyre familjeve, të cilat vuajnë nga sëmundje të ndryshme dhe kanë nevojë për trajtim e kujdes të veçantë.
Ministrja e mbrojtjes Mimi Kodheli u ndal këtë të martë në Bashkinë e Klosit, duke ndihmuar tre familje në nevojë. Kjo është familja e Dritan Çollakut në Bashkinë e Klosit, i cili ka djalin e sëmurë me sëmundjen Parkinson.
Kodheli iu përgjigj pozitivisht apelit të vajzës së vogël të kësaj familje për ndihmë. Ndalesa tjetër ishte në familjen e Nerum Kurtit në Klos ku u shpërndanë ndihma. Ministrja e mbrojtjes Kodheli tha se Forcat e Armatosura po u vijnë në ndihmë banorëve në të gjitha anët e Shqipërisë nga toka apo nga ajri. Edhe në fshatin Lis të Matit u ndanë ndihma per disa familje te varfra.
Pas vizitave në këto familje, ministrja Kodheli falënderoi Forcat e Armatosura për angazhimin e tyre në hapjen e rrugëve të bllokuara nga bora dhe transportimin e ndihmave me helikopter në zonat më të thella të vendit, duke u ndalur veçanërisht në qarkun e Dibrës. “Forcat e Armatosura kanë qenë që nga Xibra, fshati Ketë, me ndihma të cilat i kanë transportuar qoftë nga ajri qoftë në rrugë tokësore. Kanë qenë prezentë në fshatin Lis pranë Bashkisë Klos për sa i përket disa orendive shtëpiake.
Jemi bashkërisht me to duke shpërndarë ndihma ushqimore në familjet në nevojë. E bëjmë këtë përtej angazhimit tonë në emergjenca, e bëjmë këtë përtej angazhimeve tona kushtetuese. Ndaj dua t’i falenderoj edhe njëherë për gjithë angazhimin e tyre kushtetues, por edhe njerëzor në ndihmë të familjeve në nevojë.”- u shpreh ministrja Kodheli.
Ashtu siç u shpreh edhe vetë ministrja Kodheli, angazhimi dhe kontributi i Forcave të Armatosura në ndihmë të banorëve të zonave të izoluara dhe atyre në nevojë, do të vijojë në të gjithë vendin.
Ndërkohe rreth 4 mijë banorë në 10 fshatrat e njësisë administrative Cudhi te Krujës kanë mbetur të izoluar, pasi rruga është e pakalueshme për shkak të trashësisë së dëborës që arrin në 40 cm.
Në një kohë kur akulli dhe ngricat kanë izoluar shumë zona të thella malore, firmat kontaktore që duhet të merren me mirëmbajtjen duket se janë inekzistente. Administratori i zonë Osman Koni tha se firma që ka fituar tenderin nuk i përgjigjet as telefonatave. Një nga banorët e zonës thotë se me ngricën e krijuar, rruga për në Qafështamë është e pamundur.
Ngritja e temperaturave ka bërë që shumë akse kombëtare në të gjithë vendin të jenë plotësisht të qarkullueshme dhe vetëm në pak segmente kane nevojë për përdorimin e zinxhirëve.