Tërhiqet Adriatik Llalla, pezullon emërimin e zv.prokurorit të Përgjithshëm pas presioneve të mazhorancës

17 Janar 2017, 09:12Kronika TEMA

Tërhiqet Adriatik Llalla pas presioneve të mazhorancës për emërimin e zëvendës Prokurorit të Përgjithshëm. Kryeprokurori Llalla ka bllokuar emërimin e zëvendësit të tij, pas thirrjes së deputetit të Partisë Socialiste, Ulsi Manja, i cili tha se nuk i takon këtij kryeprokurori që të zgjedhë zëvendësin e tij, por i takon atij që do të zgjidhet pas reformës në drejtësi.

Posti për numrin dy të organit të akuzës është një post i ri, që krijohet pas miratimit të reformës në drejtësi. Sipas ligjit, i takon kryeprokurorit të ri që do të zgjidhet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për ta zgjedhur zëvendësin e tij. Ditën e djeshme ishte parashikuar që të zgjidhej numri dy i organit të akuzës, por Prokuroria e Përgjithshme njofton se mbledhja është shtyrë për një moment tjetër.

Në fakt, shtyrja e mbledhjes ka të bëjë pikërisht me deklaratën e deputetit të PS të Komisionit të Ligjeve, i cili i kujtoi ditë më parë Adriatik Llallës, se me reformën në drejtësi kjo detyrë nuk i takon atij, por pasardhësit që do të emërohet në krye të organit të akuzës shkruan ‘Sot’. Ai ka sqaruar se kompetencat e Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë përsa i përket emërimeve transferimeve apo ngritjeve në detyrë janë të kufizuara sipas Kushtetutës dhe ligjit për Prokurorinë. Sipas ligjit, Prokurori i Përgjithshëm në këtë fazë të reformës në drejtësi ka të drejtë të bëjë vetëm emërimin e përkohshëm të magjistratëve.

Emërimi i numrit dy të organit të akuzës

Posti i zëvendës Prokurorit të Përgjithshëm krijohet me ligjin e ri të organizimit dhe funksionimit të organit më të lartë të akuzës. Sipas ligjit, zëvendës prokurori zgjidhet brenda 30 ditëve nga emërimi i Prokurorit të Përgjithshëm. Kandidatët duhet të kenë të paktën 10 vjet përvojë si prokuror dhe të jenë vlerësuar “shumë mirë”.

“Zëvendësprokurori i Përgjithshëm zgjidhet, brenda 30 ditëve nga emërimi i Prokurorit të Përgjithshëm, nga radhët e prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme me të paktën 10 vjet përvojë si prokuror dhe që janë vlerësuar “shumë mirë” në tre vlerësimet e fundit të performancës etike dhe profesionale.

Zëvendësprokurori i Përgjithshëm emërohet nga Prokurori i Përgjithshëm, për një mandat dyvjeçar me të drejtë riemërimi, pasi ka marrë mendimin e mbledhjes së prokurorëve të prokurorisë. Mendimi i mbledhjes së prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme nuk është i detyrueshëm për Prokurorin e Përgjithshëm”, thuhet në nenin 39 të ligjit. Sa i takon kompetencave,

Zëvendësprokurori i Përgjithshëm përfaqëson Prokurorinë e Përgjithshme, në mungesë dhe me autorizim të Prokurorit të Përgjithshëm ose kur vendi i tij është përkohësisht i lirë. Zëvendësprokurori i Përgjithshëm kryen vetëm detyrat që janë të nevojshme: a) për funksionimin e Prokurorisë së Përgjithshme, prokurorive pranë gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm dhe Policisë Gjyqësore; b) për përfaqësimin e prokurorisë me të tretët.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje