Kthimi i Tiranës nga Antalya ka sjellë një ngjarje të pakëndshme për kapitenin e bardhebluve, Erando Karabeci. Mesfushori ka pësuar mëngjesin e kësaj të mërkure një dëmtim të rëndë në shtëpinë e tij teksa ishte në kabinën e dushit.
Futbollisti është shoqëruar menjëherë në urgjencë nga familjarët e tij ku ka marrë menjëherë trajtimin e nevojshëm. Karabeci ka kryer 20 të qepura në kofshën dhe dëmtimi mendohet se është tejet serioz, por të paktën nuk ka dëmtuar ligamentet e gjurit pasi periudha e riaftësimit do të ishte shumë e gjatë.
Aktualisht, futbollisti nuk duhet të mbështesë këmbën në tokë për rreth një javë, ndërsa periudha e riaftësimit parashikohet të zgjasë rreth një muaj duke e bërë të humbasë një pjesë të mirë të ndeshjeve të fazës së 3-të për bardheblutë, shkruan “Supersport”.
Mungesa e tij pritet të jetë një problem jo i vogël për trajnerin Mirel Josa, duke qenë se Karabeci është jo vetëm një lojtar titullar i formacionit të Tiranës, por gjithashtu dhe kapiteni i ekipit.