Kutia e duhanit e të vrarëve të pa tretur!

21 Janar 2017, 09:46Blog TEMA

Nga Anri Bala

Sot është një ditë e dhembshme për të gjithë qytetarët që ndjehen qytetar. Sot është 21 Janar, një datë që pak kush mund t’a harroi. Sot edhe ju, edhe ju… kryeministri i vendit tim, do dilni bulevardit, bashkë me të gjithë ata që e përjetuan këtë ditë tmerri dhe krimi të vitit 2011.

Do vendosni lule dhe kurora, do bëni qokën e vakisë! Do të uleni përballë nënës së Hekuranit, gruas së Faikut, gruas së Aleksit apo gruas së Ziverit, në respekt dhe në kujtimin e dhembshëm të katër qytetarëve të këtij vendi.

Nëna zeza, gra zezat, do të pershëndesin sipas zakonit: “Kam filluar ta pi këtë helm për shpirtin e djalit, të burrit tim, për shpirtin e tij, që nuk po rehatohet dhe do ta hedhin në prehër kutin e duhanit, ndaj ndize dhe ti një cigare helm për ta!

Natyrisht ti do e marrësh sepse e do zakoni dhe do nisësh ta dredhësh duhanin, duke i ngushëlluar me ato fjalë që thuhen po sipas sipas zakoneve tona: “Nënë, motër i paharruar qoftë kujtimi i tyre! Rrofshi e i kujtofshi bashkë me ne! U prehshin në paqe…” dhe aty kutia e duhanit do të të dridhet në dorë, si guri i varrit të tyre!

Ata… të vrarët, do mendojnë se nuk e keni seriozisht, sepse ju e dini shumë mirë se ata nuk treten. Ata nuk mund të treten, e të prehen në paqe, sepse nuk e dinë përse i vranë. Ata nuk mund të treten dhe të prehen në paqe, sepse nuk e dinë se kush i vrau.

Si mund të prehet në paqe Aleksi, kur “dëgjon” se vajza e tij, do paguajë si çdo shqiptarë 1000 lekë… për vrasjen e babait të saj, sepse kaq do paguaj çdo shqiptarë që nuk ka vrarë askënd?!

Si mund të tretet Hekurani, kur ka dëgjuar se nëna e tij plakë e paska… “vrarë”, ndaj u duhet të paguaj nga pensioni i saj 1000 lekë… për krimin që ka “bërë”?!

Si mund të treten dhe të paqtohen të dënuarit me vdekje, pa gjyq, pa asnjë vendim, që nuk i paska vrarë askush?! Tallje dhe fyerje e madhe ishte t’u thuash se i’u ka vrarë një derë, një tabel, një uniformë me emrin Gardë.

Kjo është të ulërasësh dhe gurët e varret të dridhen. Ata e dinë fare mirë se je duar lidhur, sepse shteti ligjor, ligji i shtetit, drejtësia imagjinare dhe (pa_drejtësia e thurur aq keq me poshtërsinë, krimin dhe një tufë broçkullash të tjera që nuk vlejnë për këtë vend, janë si lëmsh vrastar që duhet me patjetër t’a zgjidhësh TI…!

Ti, duhet të bëhesh më burrë, për ata të pafajshëm dhe ta tejkalosh ligjin, sepse vrasësit nuk pyetën për ligjin, për shtetin dhe për shtetarët e tyre.  Ti duhet ta tejkalosh ligjin, sepse vrasësit ngelën pa emër, e ndaj dhe ligji yt, do duhet të jet vetëm me një emër … DREJTËSI.

Për të gjithë ne, bëj diçka që mos të rëndojë edhe mbi supet tona pesha e vrasjes. Ti duhet të bësh diçka kur vrasësit na përqeshin dhe bëjnë karshillik, duke na thënë se do na kishin vrarë të gjithëve dhe bashkë me ne dhe ty, nëse dikush do të guxonte më shumë.

Ti duhet ta zgjosh, apo ta gremisësh në zgafellat nga ka ardhur, “palaço prokurorin” e këtij vendi, që ka kohë të bashkëpunojë me antishtetin dhe nuk ka kohë të bëjë një dosje të vetme për krimet makabre shtetërore.

Ti duhet të bësh diçka, sepse nuk ka më kohë. Ti duhet të bësh diçka, që vrasësit të mos vazhdojnë të zgërdhihen duke na fyer e duke bërë qejfe, e qoka çdo “21 Janar”.

Ju kryeministri im, jeni aq inteligjent sa të kuptoni se ne shqiptarët tashmë jemi bërë të paduruar dhe mosbesues, kërkojmë të bëhet drejtësi me të gjitha mënyrat.

Nëse do e shkelni ndopak vijën e kuq të shtetit të së “drejtës”, që ne na është mohuar me kohë, e në këtë vend nuk ekziston, nuk bëhet kiameti: “Qëllimi e justifikon mjetin” dhe ju, po të doni… e dini më mirë se unë.

Nëse do t’a dëgjosh sadopak zërin tim, që shpresoj të jet zëri i mijëra të rinjëve shqiptarë, më 21 Janarin që do vijë, kutia e duhanit nuk do të të dridhet në dorë, por me plotë gojën dhe i qetësuar do të thuash: U prehshin në paqe!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje