Tifozat e Partizanit thirrje Bashkisë: "Stadiumi dhe qyteti, janë të qytetit dhe qytetarëve, si taksapagues kemi të drejtë të shfrytëzojmë stadiumin e kryeqytetit"

22 Janar 2017, 18:40Sport TEMA

Tifo-Grupi “Ultras Guerrlis” ka bërë ditën e sotme një deklaratë për çështjen e stadiumit “Selman Stermasi”, ku Partizani deri më tani nuk është lejuar për të zhvilluar ndeshje.

Tifozat më të zjarrtë të 15-herë kampionëve të vendit i kanë kërkuar Bashkisë së Tiranës dhe klubit të Tiranës që të lejojnë klubin e tyre që të zhvillojë ndeshjet në “Selman Stermasi”.

Ata shprehen me të drejtë se stadiumi dhe qyteti, janë të qytetit dhe qytetarëve, dhe si taksapagues kanë te drejtë të shfrytëzojmë stadiumin e qytetit.

Deklarata e plotë e Tifo-Grupit “Ultras Guerrils”

Stadiumi dhe qyteti janë të qytetit dhe qytetarëve, të atyre që e banojnë dhe atyre që i japin jetë. Të atyre që e ndezin me pasion dhe me dashuri, që e zgjojnë me zhurmë e rrëmujë agonistiko-sportive. Jemi detyruar deri tani nga kushtet dhe rrethanat e ndryshme që të zhvillojmë një gjysëm sezoni në transfertë, por prap po luftojmë denjësisht për titull me vetëm një pikë larg kreut. Ne si grupim e kemi treguar që e mbështesim skuadrën anembanë Shqipërisë dhe nuk ndalemi nga distancat. Megjithatë, duhet të mendojmë për krejt tifozërinë e kuqe dhe dëshira e tyre, që është një e drejtë sublime, është që ta ndjekin ekipin e zemrës në qytetin e tyre! Stadiumi “Dinamo” nuk mund të “privatizohet”, ndoshta po në një logjikë të shtrembër ekonomike dhe në procedura të çuditshme koncesioni, por jo në kuptimin e privatizimit si përjashtim dhe si privim, sado rrënjë fashiste të individi që zotëron (dhe tifozëria që mbështet) një pjesë të aksioneve në klubin që Bashkia e qytetit tonë ka zgjedhur ta mbajë nën sqetull duke anashkaluar çdo rekomandim për privatizimin, të cilat UEFA i ka dorëzuar FSHF-së që prej vitit 1993 dhe që prej atij viti e deri më sot, i vetmi klub që i ka përmbushur është Partizani ynë. Klubi i vetëm në krejt superioren që është sh.a me kapital 100% privat që ka përqafuar rregullat e ekonomisë së lirë prej mëse 24 viteve, duke i lënë të tjetër në batakun e një gjendjeje të shpifur hibride komunisto-kapitaliste. 

Thënë këtë, ne zotohemi se do të ndërmarrim hapa të ndryshme deri sa ta zhbëjmë këtë situate idioteske e këtë budallallëk kolektiv dyngjyrësh. Nëse vjen puna për hapje stadiumi, rikujtojmë këdo që e ka memorien e shkurtër dhe që nuk sheh më larg se hunda e tij, që ishin tifozët e Partizanit që pranuan prezencën e kundërshtarëve në derbi përpara disa sezonesh, pavarësisht se ata ishin të dënuar. Sepse tifozët e Partizanit nuk kanë komplekse të inferioritetit, siç mund të ketë pala tjetër, dhe nuk i tremben rivalitetit. Gjithashtu po për këtë fakt nuk ka limit biletash në derbin kur ne jemi pritës, duke i dhënë rivalëve të paktën 5 mijë vende, ndërsa në Stadiumin “Dinamo” ndodh e kundërta. 
Ku ka sy sheh, kush ka mend kupton! 
Ndaj ne do të marrim masa, ashtu siç ne e sollëm derbin dhe rivalitetin ashtu ne e zhdukim! Nëse situata nuk ndryshon rregulli i 5% do te aplikohet me rigorozitet në Elbasan që i bie diku te 600 bileta në sektorin mik dhe nuk ka tribunë apostafat, por vetëm një copëz sektori (siç na ndodh ne në stadiumin “Dinamo” që na japin 800 vende dhe na shesin 1500 bileta). E nga sezoni tjetër, kur të bëhet stadiumi ynë prej 5000 vendesh, bëjeni vetë llogarinë e 5%-shit. 
NUK DO TË KETË MË DERBI!

Pra kjo nuk do të vazhdojë për shumë kohë, ndaj i bëjmë thirrje klubit tonë të punojë deri në zgjidhjen e situatës dhe zhvillimin e ndeshjeve në stadiumin “Dinamo”. I bëjmë thirrje pronarit të klubit Tirana dhe stadiumit “Dinamo”, pra Bashkisë, të kthejë vëmendjen te kjo çështje sepse si taksapagues në të gjithë Shqipërinë e sidomos në Tiranë, kemi të drejtë të shfrytëzojmë stadiumin e qytetit tonë. Këtë premtim, pra të rikthimit të të drejtës së përbashkët në një stadium komunal, kryebashkiaku e ka me zë dhe figurë gjatë gjithë fushatës së shkuar! Gjithashtu ftojmë Refik Halilin familjarisht ta marrë në konsideratë deklaratën dhe kërkesën tonë. 
Ndërsa pjesa e fundit i dedikohet tifozëve prehistorikë që besojnë se kanë pronësinë shpirtërore të stadiumit të ndërtuar nga sistemi që ata e evokojnë ditë e natë në mënyra të ndryshme. Ju ftojmë juve, që jeni “aseti” i familjes që ta “rikonsideroni” gjoja presionin ndaj financuesit tuaj. Tashmë e kemi të qartë se në psikozën tuaj të çuditshme, fakti që ne luajmë jashtë qytetit këto kohë, ju mbush me kënaqësi. Iluzioni i madhështësisë që përjetoni është rrjedhojë e kompleksit të theksuar te inferioritetit, që ju vjen prej disfatave zinxhir në fushë e në tribunë!

Nëse doni derbi, përballuni!
Ultras Guerrils

 

2 komente në “Tifozat e Partizanit thirrje Bashkisë: “Stadiumi dhe qyteti, janë të qytetit dhe qytetarëve, si taksapagues kemi të drejtë të shfrytëzojmë stadiumin e kryeqytetit””

  1. Gregor Lato says:

    Tirana te mbaje e shterngoje fort fushen e stervitjes ne kazermat e Ali Rizajt, qyteti i nxenesve, stadiumi Dinamo eshte ndertuar pas clirimit dhe ishte nen administrimin e klubit DINAMO, ku luanin pa dallim te gjitha ekipet dhe pa ndarje kufiri te tifozerive e biletave.
    Pasardhesit e kolaboracionisteve me fashistet, deshen qe me cdo kusht, mbas viteve ’90 te zhduknin e shkaterronin gjithecka lidhej me dy emrat e medhenj te sportit tone, PARTIZANI e DINAMO, dhe ne njefare menyre ia arriten duke shkaterruar keto dy klube madhore te sportit tone dhe ne te njejten kohe duke rrembyer e shkaterruar dhe infrastrukturen ku ato sterviteshin. Kjo nuk i solli asgje te mire sportit tone kombetar, pervec shkaterrimit dhe renien e tij ne nivelin e futbollit te ekipeve te shkollave, lagjeve e fshatrave, se sportet e tjera, me te cilat krenohej e gjithe Shqiperia, nuk ekzistojne fare, si volejbolli, basketbolli, atletika, gjimnastika etj.etj.
    Duke mbeshtetur kerkesen e sportdashesve te ekipit te PARTIZANIT, edhe une si qytetar shume i vjeter i Tiranes, i bej thirrje dhe besoj plotesisht ne nje vendim te drejte te keshillit bashkiak te Tiranes, qe ekipeve te PARTIZANIT e DINAMOS t’u rikthehen ambjentet e marra ne menyre brutale, stadiumet e qytetit- t’u rikthehen qytetareve, ku te luajne te gjitha ekipet, pa dallim, me shitje te lira biletash, jo me autorizim, si dikur per ndeshjet nderkombetare.
    Ne te njejten kohe, i kerkoj edhe gazetes TEMA e DITA e ndonje pjese tjeter te shtypit, qe gjykon ne menyre reale, kete problem ta bejne mediatik e t’i drejtohen herepashere kryetarit te bashkise qe kete problem, jo te vogel, ta kete ne qender te vemendjes, si gjithe problemet e tjera, me te cilat ai po merret seriozisht dhe si askush me pare.
    Ka vullnetin, argumenta te panumurta dhe mbeshtetje te pakufizuar qytetare per ta bere kete.
    Le te shpresojme te gjithe se edhe ky problem, jo i vogel, do te jete ne axhenden e kryetarit te bashkise.

  2. enter"" says:

    Zagaret e Tiranes

    Forca Partizoni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje