Moti nxjerr blof klubet dhe FSHF-në, dje u luajt një kampionat i vërtetë

22 Janar 2017, 16:29Sport TEMA

Ishte një fundjavë ideale për zhvillimin e një aktiviteti normal dhe këtë e konfirmuan plot 12 ndeshjet që u zhvilluan dje. Në fakt, e shtuna i ngjante më shumë një dite kampionati, pasi 80 për qind e klubeve të Kategorisë Superiore ishin në fushë, jo thjesht për stërvitje, por për të zhvilluar ndeshje miqësore, në mungesë të atyre zyrtare. Madje si për të konfirmuar se gjërat ishin serioze, një prej miqësoreve, pikërisht Tirana – Luftëtari, u transmetua direkt në TVSH.

Tashmë lind pyetja: përse u shty me një javë rifillimi i Kategorisë Superiore?! Institucioni i futbollit shqiptar iu dorëzua klubeve, duke mos respektuar kalendarin për të disatën herë këtë sezon. Mirëpo, e vërteta është se nuk pati asnjë arsye madhore për të shtyrë kampionatin.

Mirëpo, si për ironi, dje dielli pushtoi të 12 fushat ku u zhvilluan miqësoret, teksa kushtet e stadiumeve ishin ideale për ndeshje futbolli. Tashmë mbetet për t’u parë nëse fundjava e ardhshme do t’u japë të drejtë klubeve dhe FSHF-së për këtë mosrespektim të kalendarit.

Sektori i garave në FSHF ka njoftuar se java e 19-të nis që të premten e 27 janarit me ndeshjen Vllaznia – Kukësi në stadiumin “Loro Boriçi”. Një ditë më pas do të luhen Korabi – Laçi, Skënderbeu – Flamurtari dhe Teuta – Tirana, ndërsa të dielën Luftëtari – Partizani.

Kapriciot e motit

Java e ardhshme, e cila përkon me rifillimin e kampionatit shqiptar, parashikohet të jetë me një mot të ftohtë dhe temperatura disa gradë nën zero. Në disa qytete të Shqipërisë, sipas asaj që parashikojnë sinoptikanët, pritet të ketë edhe reshje dëbore./PanoramaSport/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje