Janot Tadjong u shndërrua në personazhin më të diskutuar javën e kaluar. Kamerunasi, i cili pranoi të rrëfente të gjitha vuajtjet e tij në katër muajt e fundit te Sopoti ku jo vetëm që nuk mori asnjë qindarkë, por mbijetoi vetëm falë ndihmës së miqve të tij që i siguronin vaktet e ditës, dje është shfaqur sërish. Vuajtjet e tij, që bënë xhiron e rrjetit dhe u rrëfyen edhe në emisione të ndryshme televizive, duket se mund të marrin fund.
Atë ditë që gazeta publikoi rrëfimin e mesfushorit, reagoi klubi i Domosdovës duke i hapur dyert lojtarit që të provohej në skuadrën përrenjasake. Dhe dje, futbollisti ka udhëtuar drejt Përrenjasit duke iu bashkuar ekipit në stërvitje. Ai do të provohet në miqësoren e sotme ndaj Pogradecit. Teksa grupi tjetër i lojtarëve është stërvitur këto javë rregullisht nën urdhrat e trajnerit Erald Karriqi, pritet që në miqësore të tregojnë të gjithë formën që zotërojnë.
Për përrenjasakët do të aktivizohen edhe lojtarët e afruar këto ditë si peqinasi Mustafaj dhe cërrikasi Metaj. “Minuta në dispozicion do të kenë të gjithë futbollistët, ndërsa do të shihet me interes të veçantë paraqitja e Janot Tadjong, pasi që të gjithë e dimë historinë e tij”, deklaroi trajneri Karriqi.
Kamerunasi
Pas seancës së parë stërvitore që ka zhvilluar, Tadjong është shprehur: “Dua t’i falënderoj drejtuesit përrenjasakë për mundësinë që më dhanë që të provohem në këtë ekip. Do të bëj gjithçka që të justifikoj besimin e dhënë”.
Ndërsa i pyetur se si i ka shtyrë këto ditë i vetëm në Tiranë lojtari përgjigjet: “Zoti është i madh dhe mendoi për mua edhe këto ditë duke më ofruar shokë të mirë dhe zemërgjerë që më ndihmojnë. Shpresoj t’i bind drejtuesit e Domosdovës dhe të vazhdoj të luaj për këtë ekip në vazhdim”. Përrenjsakët do të luajnë sot miqësoren me Pogradecin ku do të provohet edhe kamerunasi./PanoramaSport