Nuk është më surprizë që në pamundësi për të mbledhur njerëz në 18 shkurt, do përdoret sot kjo foltore për të bërë thirrje; se ju keni kohë që nuk shkoni te njerëzit dhe përdorni foltoren e Kuvendit për të mbledhur ca njerëz. Mirë bëni, por ju them troç fare: Kjo qeveri është në këmbë, është në detyrë, është në punë, kërcënimet tuaja mund të trembin vetëm Lulin, por nuk trembin dot njeri në këmbë në Shqipëri. Kjo qeveri vazhdon të çojë përpara reformat! Po keni nevojë për ndihmë në 18 shkurt, na thoni t’ju sjellim dhe ne ca njerëz dhe vazhdojmë punën.
Tani dëgjuam bashkëkryetarin dhe nuk kam asgjë në formë replike të bënte një skaner të problematikave të zgjedhjeve në Shqipëri; ishin problematika që i kemi parë në 96, ishin problematika që i kemi parë në 2009. Të thuash që zgjedhjet e 2009 në Shqipëri paskan qenë zgjedhjet më të mira, kësaj i thonë të tallesh me veten. Të fala nga Rruzhdia, të fala nga e gjithë Shqipëria për mënyrën se si eprori yt ka ditur të bëjë zgjedhje. Ju keni një problem shumë të madh, kur flisni për kartat e indentitetit gjithmonë i referoheni skemave që keni përdorur ju. Ne nuk kemi ndërmend dhe nuk kemi bërë kurrë nga këto që keni bërë ju. Kartat e indentitetit i mblidhje ti me Gon Kuliçin e me shokë, harroje se skemat e tua e të Gon Kuliçit mund t’i bëjmë ne. T’i kemi dhënë një për një ne këtu në parlament, e kemi treguar se ç’bëje ti me kartat, një për një t’i kemi dhënë. E para do të kishte qenë normale: që bashkëkryetari i reformës zgjedhore sot, nëse këta e kanë seriozisht reformën zgjedhore, duhet të çohej dhe të ngrinte shqetësimin që kemi. Dhe pak ditë nga mandati i këtij komisioni s’the asnjë fjalë, nuk the asnjë fjalë për këtë çështje, ndërkohë që unë sot i kërkoj Kuvendit të Shqipërisë përsëri ta zgjasim edhe 30 ditë të tjera madatin e këtij komisioni, për të diskutuar realisht çështje që mund të adresojnë dhe kemi plot cështje që mund t’i adresojmë sikurse është financimi i partive politike, financimi i fushatës zgjedhore, rritja e ndëshkimit të veprave penale që lidhen me korrupsionin elektoral. Këto janë çështje që ne duhet të diskutojmë dhe ju s’thoni fare asgjë; është shumë e qartë, është shumë e qartë ju po kërkoni alibinë e rradhës për humbjen e rradhës. Një parti politike që nuk bën asnjë përgatitje për të hyrë në fushatë zgjedhore, një parti politike që nuk ka gati strukturën minimale të organizimit të vet për t’u bërë gati për përballjen elektorale, sigurisht që po mundohet sot, që me gjoja protesta dhe me gjoja argumenta false, të bllokojë realizimin e reformës zgjedhore.
Dëgjova dje kryetarin tuaj de juro, i cili i referohej raportit të miratuar në komisionin e politikës së jashtme mbi Shqipërinë, raport i ndërtuar mbi raportin e Komisionit Europian. Tani më falni, ky kryetari juaj de juro, se që ky është dhe ka qenë mjeshtër për të manipuluar dosje këtë e di e gjithë Shqipëria dhe Kosova se ç’po heq Haradinaj i shkretë nga dosja që ka bërë Luli, e kemi parë. Nuk po shpëton dot as Haradinaj dhe as Kosova nga dosjet që ka shkruar Luli mbrapsht. Po këto dosjet e Bashkimit Europian si ka mundësi që Luli nuk di t’i lexojë mirë? Dje Parlamenti Europian vlerësoi progresin e vazhdueshëm të Shqipërisë në reformat që lidhen me integrimin europian.
Ku janë këto llafet e pazarit që thoni ju ‘pse’? Ne kemi miratuar të gjithë së bashku që autoriteti i cili na monitoron ne më së miri, mënyrën e sjelljes tonë në aspiratën tonë integruese, është Bashkimi Europian. Ja pra, Parlamenti Europian, pas Komisionit Europian, thotë se Shqipëria po ecën dhe po bën progres në drejtim të integrimit Europian. Si jua nxë goja more, po ç’keni more me Shqipërinë, pse i bini në qafë? Bashkimi Europian thotë që Shqipëria meriton hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. E thotë pika 2, që Parlamenti Europian mbështet hapjen e negociatave ndërmjet Bashkimit Europian dhe Shqipërisë. Cila opozitë, në një vend si ne, minimalisht nuk do të mbështeste dhe nuk do të përshëndeste këtë raport i cili, jua them, ka marrë edhe votat e partive simotra të Partisë Demokratike në familjen e Partisë Popullore Europiane.
Dolët javën e kaluar dhe na folët për një rezolutë në Asamblenë e Partive Popullore Europiane, shumë mirë bëtë. Pas asaj rezolute, partitë simotra të Partisë Demokratike kanë shkuar në Parlamentin Europian dhe kanë votuar këtë dokument, që i kërkojnë vendeve anëtare, Këshillit, që të hapen negociatat me Shqipërinë.
Flisni ju për korrupsion, ju që me ç’po shohin e me ç’po dëgjojnë shqiptarët këto ditë, në një dosje të vetme që ne jemi duke e hetuar faqe për faqe, gërmë për gërmë, shifër për shifër, kemi gjetur rryshfetin që kompania blerëse ka paguar te sekseri dhe sekseri më pas e ka sjellë tek ju.
Flisni ju për korrupsion? Në vitin 2013, sipas Transparency International Shqipëria ishte në vendin e 116 përsa i përket nivelit të korrupsionit.
Ju thoni që korrupsioni është ngritur! Po si ka mundësi që Shqipëria sot, sipas raportit të Transparency International, është në venin e 83-të?
Si ka mundësi që Transparency International thotë që kur ishit ju në qeveri kishte më shumë korrupsion, ndërsa tani ka më pak?
Ne nuk po themi që e kemi shkulur korrupsionin me farë e me rrënjë. Lufta ndaj korrupsionit është një betejë që vazhdon. Por luftën ndaj korrupsionit ne po e bëjmë më të fortë nga çfarë e bënit ju, sepse ju ishit njësh me korrupsionin.
Në dosjen që ju përmenda më lart shihet dhe vërtetohet qartë modeli se si funksiononte korrupsioni. Ndërkohë që reforma më e rëndësishme që ne kemi bërë në këto tre vite e gjysmë është Reforma në Drejtësi. Si ka mundësi që Partia Demokratike, partia e idealeve të dhjetorit që i kanë harruar me kohë, nuk çohet sot dhe të thotë një fjalë të vetme për rezultatet e para të Vettingut? Gjyqtarë që i keni votuar ju, nuk e kam votuar unë Merita Thanën në Gjykatën e Lartë, e keni votuar ju me votat tuaja, ju e keni çuar në Gjykatën e lartë. Si ka mundësi që kjo gjyqtarja të cilën e keni votuar ju, as nuk pranoi, as nuk ia mbajti të plotësojë dokumentet për të hyrë në procesin e Vettingut, por dha dorëheqjen?! Edhe një trung gjyqtarësh të tjerë bashkë me Merita Thanën nuk pranuan të bëjnë skanerin e Vettingut.
Si ka mundësi që Partia Demokratike nuk thotë një fjalë të vetme për këto gjyqtarë që i keni votuar ju? Ju e dini fare mirë lidhjen personale të Sali Berishës me atë gjyqtare. Kandidati juaj për deputet, në vitin 2005 vendosi gruan e tij në Gjykatën e Lartë. Por dita erdhi dhe gruaja e kandidatit të PD-së nuk e kalon dot Vettingun.
Por nuk mbaron me kaq, pasi tani fillon largimi edhe i atyre që kanë pranuar t’i nënshtrohen Vettingut; kjo sepse do iu dalin të gjitha lidhjet e tyre.
E kemi thënë që prej ditës së parë, Vettingu ka tre dimensinone. E para është pasuria, sepse ju e dini fare mirë se ç’gjyqtarë keni votuar me votat tuaja në Parlament për në Gjykatën e Lartë, në KLD për në Gjykatën e Apelit apo për në Gjykatën e Shkallës së Parë, me pasuri të paimagjinueshme. Çfarë e pengon Partinë Demokratike që nuk flet për pasurinë e gjyqtarëve? Si ka mundësi që Partia Demokratike ka rënë peng i disa gjyqtarëve dhe disa prokurorëve të korruptuar?
Ajo që bie në sy është shumë e qartë. Me ç’duket, te pjesa e votimit elektronik paskeni hequr dorë, e për pasojë z. Bashkëkryetar të bëj thirrje publikisht që nesër të mblidhemi në Komisionin e Reformës Zgjedhore, të flasim aty realisht për çështjet e arritshme, të mundshme për t’u realizuar me sukses për zgjedhjet e 18 qershorit. Mos u mërzisni, një pjesë e juaja, sipas Lulit, nuk e kalon Vettingun brenda Partisë Demokratike.
Nuk keni ç’bëni, edhe ju si puna e gjyqtarëve, një pjesë jepni dorëheqjen, një pjesë do kalojë Vettingun e Lulit. Kam hall a do e kalojë Saliu Vettingun e Lulit.
*Fjala e mbajtur në Kuvend